16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut bëhen lutje dhe falet namazi i xhenazes në mungesë për viktimat e tërmetit në Turqi

Më të lexuarat

Në xhaminë historike “Mustafa Pashë” në Shkup, pas namazit të xhumasë është falur edhe namazi i xhenazes për ata që humbën jetën nga tërmeti dhe është bërë dua për të prekurit nga tërmeti

Në xhamitë e rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë bërë lutje për të vdekurit dhe të lënduarit nga tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë që goditën Türkiye-n jugore të hënën, raporton Anadolu.

Në Xhaminë Sinan Pasha të Prizrenit është lexuar Kurani para namazit të xhumasë, nën organizimin e Këshilltarit për Shërbime Fetare pranë Ambasadës së Türkiye-s në Prishtinë.

Në hutben e xhumasë, Këshilltari i Shërbimeve Fetare, Bünyamin Albayrak, theksoi rëndësinë e frymës së unitetit dhe solidaritetit.

“Ne jemi dëshmitarë të fatkeqësisë së shekullit, ndoshta një nga fatkeqësitë e pakta në historinë e botës. U bënë dua për vëllezërit dhe motrat tona që humbën jetën në fatkeqësinë e tërmetit në Türkiye, të cilët janë në zemrat, lutjet, urimet, mbështetjen materiale dhe morale të vëllezërve tanë kosovarë”, tha Albayrak.

Gjithashtu, në rreth 900 xhami të Bashkësisë Islame të Kosovës janë mbledhur donacione për të prekurit nga tërmetet.

Në Shkup falet namazi i xhenazes në mungesë për viktimat e tërmetit në Türkiye

Në xhaminë historike “Mustafa Pashë” në Shkup, pas namazit të xhumasë është falur edhe namazi i xhenazes për ata që humbën jetën nga tërmeti dhe është bërë dua për të prekurit nga tërmeti.



Menjëherë pas faljes së namazit të xhumasë, është falur namazi i xhenazes në mungesë për viktimat e tërmetit. Para namazit u lexuan salavate, ndërsa pas faljes u mblodhën edhe të holla për të prekurit nga tërmeti.

Këshilltari për shërbime fetare në Ambasadën e Türkiye-s në Shkup, Mustafa Mesten, i cili mbajti hutben e xhumasë, kujtoi fjalët e profetit Muhamed: “Besimtarët janë si një trup i vetëm, nëse një pjesë e trupit ndien dhimbje, i gjithë trupi e ndien dhimbjen”.

“Kjo ditë është dita e ndërlidhjes. Është dita e ndihmës për njëri-tjetrin, është dita e kërkimit të mbrojtjes tek Allahu i Madhëruar me lutje dhe kërkim për mëshirë dhe ndihmën e tij të madhe”, tha Mesten.

Duke cituar ajetin nga Kurani, “Sigurisht, pas vështirësisë vjen lehtësimi”, ai tha: “Ne e dimë se kombi ynë i dashur, i cili ka kapërcyer të gjitha llojet e vështirësive krah për krah, zemër për zemër, do t’i shërojë përsëri plagët me largpamësinë e tij, mëshirën dhe hirin e Zotit tonë dhe me fuqinë dhe përpjekjen e shtetit tonë. Lus Zotin e plotfuqishëm të mos përjetojmë më vuajtje të tilla. Ai e ruajttë vendin tonë, kombin tonë, botën islame dhe mbarë njerëzimin nga të gjitha llojet e fatkeqësive”.

Mesten gjithashtu tha se me udhëzim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, në të gjitha xhamitë anembanë Maqedonisë së Veriut pas namazit të xhumasë janë mbledhur ndihma, në bashkëpunim me Fondacionin e Diyanet-it të Türkiye-s.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit