Monstra, Komiteti i Helsinkit konstataton shkelje të rënda

0
38

Komiteti i Helsinkit ka konstatuar shkelje të shumta nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë gjatë aksionit të ashtuquajtur “Monstrum”, në të cilin u arrestuan dhjetëra shqiptarë të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc të Shkupit.

Në raportin tremujor komiteti nënvizon në veçanti shkeljen e së drejtës kushtetuese të prezumimit të pafajësisë duke filluar nga vet emërtimi i aksionit, pastaj etiketimi i personave të arrestuar pa pasur një vendim të plotfuqishëm gjyqësor, publikimin e xhirimeve nga MPB dhe pa mbrojtur identitetin e tyre .

Gjatë këtij aksioni, nënvizon më tej Komiteti i Helsinkit dolën në shesh edhe shkeljet ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve siç ishte rasti i Haki Azirit për të cilin 6 ditë me rradhë nuk kishte asnjë informatë se ku ndodhej.

“Rasti tregon se ekziston rrezik real që ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve të keqpërdoret në procedurën para hetimore. Pikërisht në ligj është përcaktuar se dëshmitari mbrojtës mund të jetë personi, i cili, në mënyrë vullnetare do të paraqitet, ndërsa për vendimin e tij, nuk duhet të lajmërohet as avokati e as anëtari i familjes. Pikërisht kjo mundësi lë hapësirë që një person i caktuar nën presion dhe kërcënime policore të nënshkruaj se pajtohet të përfshihet në programin për mbrojtje të dëshmitarëve”, thuhet nw raport, raporton Alsat M.

Komiteti vlerëson se para se të nënshkruhet një pajtueshmëri e këtillë personave tu jepet mundësi të këshillohen me avokat.

Komiteti shpreh brengosje edhe për pasojat eventuale që mund të paraqiten nga implementimi i ligjit të ri për lustrim i cili paraqet kërcënim real për ata që kanë mendim ndryshe. ‘Fakti që ligji është kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mohon shtetin juridik që paraqet vepër penale’, thuhet në raport.

Komiteti pwrkujton që ligjet duhet miratuar me konsensus dhe parlamenti të miratojt sa më shpejt ligj për rehabilitimin e personave që kanë qenë viktimë e sistemit të kaluar.

Komiteti po ashtu ka paralajmëruar ngritjen e iniciativës në gjykatën kushtetuese për disa përcaktime ligjore të ligjit të ri për lustrim. Komiteti në raport thekson se vlerësimi i tyre për ndrydhjen e lirisë së mediave nga ndikimi i partive politike në politikën redaktuese u vërtetua edhe në raportin e Freedom House. Si rast eklatant ata theksojnë mbylljen në mënyrë ekspres të televizionit A2.

Komiteti gjithashtu vlerëson se marrëveshja për dekriminalizim të shpifjes duhej të kishte karakter të debatit të gjerë publik me përfshirjen e sektorit qytetar dhe profesional. /Telegrafi/kohaislame