Drama e këtij gazetari tregon se çfarë janë burgjet e sionistëve…

Më të lexuarat

Uria, mungesa e trajtimit mjekësor dhe abuzimet në burgjet izraelite e lanë në prag të vdekjes

Gazetari palestinez Mujahid Bani Muflih po vazhdon të luftojë për jetën edhe gjashtë muaj pas lirimit nga një burg izraelit, ku ishte mbajtur pa aktakuzë për gjashtë muaj.

Ai pohon se gjatë paraburgimit u përball me uri të vazhdueshme, mungesë të trajtimit mjekësor dhe kushte çnjerëzore, të cilat i sollën një përkeqësim dramatik të gjendjes shëndetësore dhe më pas një hemorragji të rëndë në tru vetëm pak ditë pasi fitoi lirinë.

Aktualisht, Bani Muflih po trajtohet në Spitalin e Specializuar “Ibn Sina” në Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Pas hemorragjisë ai ra në koma dhe iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, përfshirë edhe heqjen e një pjese të kafkës për të ulur presionin në tru.

Sot ai ka vështirësi në lëvizje, në të folur dhe në gëlltitje, duke pasur nevojë për ndihmën e familjarëve edhe për veprimet më të thjeshta të jetës së përditshme.

Duke folur nga shtrati i spitalit, gazetari kujton se në burg humbi afro 20 kilogramë peshë. Ai hyri në paraburgim me 72 kilogramë, ndërsa doli me pak se 55. Sipas tij, kjo ishte pasojë direkte e urisë dhe racioneve të pamjaftueshme ushqimore.

“Shkonim për të fjetur të uritur. Ushqimi nuk mjaftonte dhe uria ishte pjesë e jetës së përditshme”, tregon ai. Gjendja e tij u rëndua edhe më shumë sepse vuan nga diabeti, por gjatë gjithë periudhës së ndalimit nuk mori mjekimin e nevojshëm.

Ai thotë se nuk iu bënë analiza, nuk iu kontrollua asnjëherë niveli i sheqerit në gjak dhe nuk mori trajtimin që sëmundja e tij kronike kërkonte. Bani Muflih u arrestua nga forcat izraelite në qershor 2025 në qytetin Beita, në jug të Nablusit, dhe u lirua në janar 2026.

Ai tregon se lirimi ndodhi krejtësisht papritur. Fillimisht iu tha se do të transferohej në një burg tjetër dhe nuk pati mundësi as t’u jepte lamtumirën të burgosurve të tjerë.

“Më nxorën në mesnatë dhe pas katër orësh u gjenda në shkretëtirën e Negevit, në një të ftohtë të madh. Dridhesha pa pushim”, kujton ai. Vetëm pak ditë pas lirimit, analizat mjekësore treguan se niveli i sheqerit dhe tensionit të gjakut ishte shumë i lartë.

Ndërsa po jepte një intervistë ku po rrëfente përvojën e tij në burg, humbi ndjenjat. Mjekët diagnostikuan një hemorragji të rëndë në tru, e cila e futi në koma dhe e detyroi t’i nënshtrohej disa operacioneve të vështira.

Sot, ai thotë se jeta e tij ka ndryshuar plotësisht. Njeriu aktiv që punonte me orë të tëra si gazetar dhe merrej edhe me bujqësi, tashmë nuk mund të kryejë as detyrat më elementare pa ndihmë. Dhimbjen më të madhe, sipas tij, e përjeton në raport me tre fëmijët e tij.

“Dikur kaloja shumë kohë me ta, i mësoja dhe kujdesesha për gjithçka. Sot nuk mundem më. Më mungojnë të qeshurat e tyre dhe shpresoj të rikthehem një ditë të jem babai që isha”, shprehet ai.

Pak kohë më parë, ai publikoi në rrjetet sociale një fotografi ku shihet pas operacionit, me një pjesë të kafkës së hequr dhe i dobësuar në mënyrë ekstreme. Shumë miq i kërkuan të mos e publikonte, por ai vendosi ta bënte publike.

“Doja që njerëzit ta shihnin të vërtetën. Nuk kam asgjë për të fshehur. Kjo është gjendja ime dhe kjo është ajo që kam përjetuar”, tha gazetari. Shoqata e të Burgosurve Palestinezë deklaroi se rasti i Bani Muflihut nuk është i izoluar, por pasqyron gjendjen me të cilën, sipas organizatës, përballen mijëra palestinezë në burgjet izraelite.

Organizata thotë se uria, neglizhenca mjekësore dhe kushtet e rënda të paraburgimit janë bërë pjesë e përditshmërisë për shumë të ndaluar. Sipas të dhënave të saj, që nga tetori i vitit 2023 janë arrestuar mbi 245 gazetarë palestinezë, ndërsa numri i palestinezëve të arrestuar në Bregun Perëndimor ka arritur rreth 23 mijë, përfshirë gra, fëmijë dhe ish-të burgosur.

Kjo organizatë i përshkruan burgjet izraelite si një mjet të “vrasjes së ngadaltë”, duke akuzuar autoritetet për shkelje të vazhdueshme ndaj të drejtave të të ndaluarve. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit