8.3 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Mevludi dhe muslimanët

Më të lexuarat

Hoxhë Mustafa Tërniqi

Për dikë Mevludi është e pëlqyeshme për dikë është bidat. Për dikë kjo është formë me të cilën shfaqet dashuria për Profetin a.s dhe për dikë nuk është kjo forma e shfaqjes së dashurisë. Për mua nuk është aspak ky problemi, sepse çdo kush ka bindjen e tij dhe asnjëherë nuk mund të bashkohen mendjet bashkë për çdo detaj. Çdo kush bën ose e lë një vepër sipas bindjes që ka dhe në fund është Allahu Ai i cili gjykon, vlerëson, dënon ose shpërblen. Madje do kujtoja thënien dhe mendimin e disa dijetarëve, prej tyre Ibn Tejmije, të cilët thonë se Allahu nuk mund të pranojë punën e një njeriu që bën një bidat të urryer por mund të shpërblejë për qëllimin e mirë që ka pasur, pra çështja nuk është bardhë e zi..

Problemi qëndron te mënyra e shfaqjes së praktikës dhe bindjes, qoftë për ata që e bëjnë mevludin, qoftë për ata që e dënojnë..

Kur shohim se Mevludi bëhet për inat të dikujt, për të shtrirë dhe zgjeruar influencat, për të arritur dhe realizuar qëllimet, për të luftuar këtë apo atë grupacion ose rrymë, për të dalluar gjoja kush e do e kush nuk e do Profetin a.s, për të dalluar kush janë të mirët dhe kush janë të këqinjt, për të ruajtur pozitat dhe interesat, për të gjetur rastin për shfaqjen e mllefit kundrejt këtij e atij personi ose grupi, për të treguar forcën dhe muskujt etj etj.. atëherë rrjedhimisht kjo do të sjellë reagimin e kujtdo tjetër që ka të njëjtat qëllime, por jo me kryerjen e mevludit por me qëndrimin kundër tij… atëherë cështja nuk ka lidhje më me një adhurim, as me dashurinë për Profetin a.s por me një veprim të pastër politik dhe ofensivë kundër palëve, gjë e cila do të sjellë thellimin e hendekut të përcarjes dhe e gjitha kjo për hir të fesë.

Këtë e shohim qartë te mënyra e komunikmit sidomos në rrjetet sociale ku nuk mungojnë mes palëve, ironia, injorimi, përcmimi, nëncmimi, sarkazma, arroganca, mendjemadhësia, inati, urrejtja, smira, pothuajse të gjitha sëmnudjet e zemrës, pa përmendur këtu llojin e injorancës që shfaqet nga të gjitha palët dhe shtrembërimet e teksteve të fesë. Një palë për hatër të dashurisë për Profetit a.s kalon në urrejtje dhe luftë kundër vëllezërve të të njëjtës fe dhe pala tjetër që për hatër të fesë kalon nga kufiri i këshillës në llogore të luftës, kundër – po ashtu- vëllëzerve të të njëjtës fe. Ku mbeti sinqeriteti? Ku mbeti dashuria për hir të Allahut?

Të gjitha palët pa përjashtim, përsërisin të njëjtin gabim, packa se me të akuzojnë njëri tjetrin; urrejnë vëllezërit brenda fesë për hir të fesë, por që në realitet vuajnë për realizmin e qëllimeve që përmenda më sipër dhe nga sëmundjet e thella të zemrës edhe pse mundohen ta mbulojnë me petkun e dashurisë për fenë.

A mendoni se njerëzit në përgjithësi këtë presin dhe këtë duan të shohin? A mendoni se kjo është panorama që i bën njerëzit të shohin se a është kjo fe në të vërtetë madhështore?
Kjo gjendje dhe situatë më kujton hadithin profetik kur ishte në Mekë dhe thoshte: “Ah mjerë për kurejshët, i treti dhe i bluajti lufta!”

Kjo gjendje dhe situatë i ka bërë muslimanët të mos prodhojnë më mendim, të jetojnë pa projekte konkrete afatgjate, të veprojnë pa vizion e madje mos të shijojnë ëmbëlsinë e vërtetë të besimit, të cilën na e ka treguar Profeti a.s në hadithet e tij profetike.

E lus Allahun e Madhërishëm të na forcojë në besim, të na bashkojë zemrat dhe të na bëjë të sinqertë në fjalët dhe veprat tona!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit