Një ese reflektive mbi ankthin parashikues dhe fuqinë e besimit
*Mos vrapo drejt dhimbjes që ende s’ka ardhur*
“Nuk ka arsye të vuash për diçka që nuk ka ndodhur ende.”
Kështu thotë filozofi stoik Seneka, duke përmbledhur në një fjali gjithë qasjen stoike ndaj frikës nga e ardhmja. Një thënie tjetër, nga urtësia kineze, tingëllon po aq e thellë: “Mos e kalo urën para se të mbërrish tek ajo.”
Në botën moderne, këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Sepse shumë njerëz jetojnë në ankth për atë që mund të ndodhë, për atë që ende nuk ka ndodhur, e që ndoshta kurrë nuk do të ndodhë. E megjithatë, njeriu vuan – jo nga realiteti, por nga imagjinata. Ai e ndërton vuajtjen në mendje, e rrethon veten me skenarë fiktivë që e lodhin, e mpijnë, e robërojnë.
Kjo gjendje është ajo që psikologjia moderne e quan ankthi parashikues (anticipatory anxiety). Është një përtypje e vazhdueshme e pyetjes “po sikur?”, pa fakte konkrete, vetëm me hipoteza. Dhe kjo lodhje mendore nuk është vetëm shpirtërore – është humbje kohe, energjie dhe jete.
“Ne vuajmë më shumë në imagjinatë sesa në realitet.”
— Seneka
Po të ndalej njeriu e të sodiste gjendjen e tij, do të kuptonte se frika nga një e ardhme e pasigurt i ka vjedhur të tashmen. Ai është i pranishëm fizikisht në moment, por shpirti i ka ikur për të përballuar një luftë që s’ka nisur ende. E kur ndodh ajo që ka frikë – atëherë përballohu me të. Por nëse nuk ndodh kurrë – ti ke vuajtur kot.
*Kur arsyeja lodhet, zemra kërkon strehë*
Të gjithë e dinë që nuk duhet të frikësohemi për diçka që nuk ekziston ende. Por kjo dije nuk mjafton. Sepse njeriu nuk është vetëm logjikë. Ai është zemër, ndjenja, shpirt. Dhe kur mendja s’e përballon dot frikën, zemra kërkon strehë – e nëse nuk e gjen, trupi mbetet peng i ankthit.
Për këtë arsye, nevojitet diçka më shumë sesa arsyetim: nevojitet besim.
Besimi është ajo litar që vjen nga një vend i lartë dhe të fton të mbahesh fort, për të zbritur drejt sigurisë. Por nuk mjafton ta shohësh litarin – duhet t’i besosh forcës së tij, t’i dorëzohesh, t’i mbështetesh. Dhe ashtu është edhe me fjalën e Zotit.
“Thuaj: Nuk do të na godasë asgjë përveç asaj që Allahu e ka shkruar për ne.”
(Tevbe: 51)
Ky besim nuk është fatalizëm. Është çlirim. Sepse kur bindesh se çdo gjë që ndodh është shkruar tashmë, i thua vetes: “nuk ka përse të kem frikë”. Ajo që do të ndodhë, do të ndodhë – qoftë unë i trembur apo i qetë. Dhe ajo që nuk do të ndodhë – nuk do të ndodhë kurrë, edhe sikur të gjithë të punojnë që të ndodhë.
Ky lloj besimi është ai që e bëri Aliun – kalorësin e lavdishëm – të thoshte në fushëbetejë:
“Cilit prej dy ditëve të vdekjes do t’i shmangem?
Atij që s’është caktuar apo atij që është shkruar?
Ditën që nuk është caktuar, nuk kam pse i trembem,
E nga dita e shkruar, nuk ka shpëtim për asnjë të kujdesshëm.”
*Në zemër mbillet qetësia, kur lulëzon besimi*
Besimtari i vërtetë e di se edhe ajo që duket si fatkeqësi, mund të jetë mirësi e fshehur. Dhe e përsërit vetes:
“Ndoshta ju e urreni diçka, por ajo është e mirë për ju.”
(Bekare: 216)
Ai nuk dëshpërohet për atë që ka humbur dhe nuk frikësohet nga ajo që mund të vijë. Sepse i kujton vetes gjithmonë:
“Në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju është premtuar.”
(Dhariyat: 22)
Kështu, qetësia nuk vjen nga kontrolli i së ardhmes, por nga besimi se ajo ndodhet në duart e Zotit. Ti vepron, përpiqesh, merr shkaqet – por zemra jote rri e qetë sepse e di se përfundimi nuk është në dorën tënde.
Profeti ﷺ e përmblodhi këtë me një urtësi të artë:
“Kujdesu për atë që të sjell dobi, kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u trego i pafuqishëm.
Nëse të ndodh diçka, mos thuaj: ‘Sikur të kisha bërë kështu…’, por thuaj:
‘Allahu e kishte caktuar, dhe Ai bëri ç’të dojë.’”
Sepse fjala “sikur” është derë për shejtanin. Është ftesë për mendime të pafundme që të zënë frymën dhe të paralizojnë.
*Fjala e fundit*
Kur mendja ndjen frikë për të ardhmen, lejoje zemrën të kujtojë Zotin. Kur çdo skenar të duket i pasigurt, mbështetu te Ai që s’gabon kurrë në caktim.
Mos e lejo vetveten të jetosh në hijen e asaj që nuk ka ndodhur. Futu në dritën e çastit të tanishëm dhe thuaj me zemër të qetë:
“Unë besoj. Dhe ky besim më mjafton.”
Aid Ed-Deuseri
Përktheu: Bekir Halimi
