Nga një intervistë me gjeneral brigade Gil Pinhas kreu i Departamentit të Buxhetit në Ministrinë izraelite të Mbrojtjes për gazetën “Yedioth Ahronoth”
Intervistën e realizoi: Sever Plotzker
Intervista me kreun e sektorit ekonomik në ushtrinë izraelite zbulon një aspekt që rrallë i paraqitet opinionit publik: lufta nuk është vetëm fushë zjarri, por një projekt ekonomik i plotë, në të cilin menaxhohen burimet, llogariten humbjet dhe ndërtohen investime afatgjata.
Sipas Gil Pinhas, kostoja e luftës deri tani ka arritur në 222 miliardë shekelë, me një mesatare ditore rreth 300 milionë shekelë gjatë më shumë se dy vjetëve. Këto shifra siç pranon ai nuk përfshijnë humbjet e prodhimit të ekonomisë, as dëmet e infrastrukturës civile, as koston e kompensimeve, gjë që do të thotë se kostoja reale është shumë më e lartë.
Rezerva: barra më e madhe
Mobilizimi i rezervistëve përbën zërin më të rëndë në faturën e luftës.
Në kulmin e luftimeve u thirrën 230 mijë ushtarë rezervë, ndërsa pagesat e tyre arritën rreth 73 miliardë shekelë. Edhe pse aktualisht numri ka rënë në rreth 50 mijë, institucioni ushtarak e sheh rezervën si barrë ekonomike të drejtpërdrejtë për shkak të humbjes së produktivitetit civil.
Pinhas pranon se integrimi i haredimëve në shërbimin ushtarak mund të kursejë miliarda shekelë në vit, duke konsideruar se një batalion haredi, nga ana ekonomike, është i barabartë me 10–12 batalione rezervë.
Lufta si shtysë për industrinë izraelite
Që nga 7 tetori, blerjet e ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë arritur në rreth 340 miliardë shekelë, prej të cilave 235 miliardë janë shpenzuar brenda Izraelit, duke përbërë një shtysë të madhe për industrinë ushtarake dhe civile:
• 108 miliardë shekelë për kompanitë e mëdha
• 92 miliardë shekelë për kompanitë e mesme dhe të vogla, përfshirë rreth 300 kompani fillestare (start-up)
Në këtë kuptim, lufta shndërrohet në një motor të kërkesës së brendshme, që kompenson pjesërisht pasojat e recesionit dhe riciklon paratë brenda ekonomisë izraelite
Buxheti i mbrojtjes: nga rritja te “normalja e re”
Pjesa e mbrojtjes nga prodhimi i brendshëm bruto u rrit në 7.6% në vitin 2024, më pas ra në 6.7%, dhe pritet të bjerë nën 5% këtë vit, duke arritur në 4.4% në vitin 2027.
Megjithatë, qeveria është angazhuar, në kuadër të planit shumëvjeçar, të shtojë 300 miliardë shekelë për sistemin e mbrojtjes gjatë një dekade, në këmbim të një angazhimi të ushtrisë për kursime të brendshme prej 50 miliardë shekelësh.
Rezultati i pritur:
Një buxhet vjetor i qëndrueshëm i mbrojtjes midis 115 dhe 120 miliardë shekelësh, duke filluar nga viti 2027.
Ndihmat amerikane: debat pas varësisë
Pinhas flet hapur për mundësinë e heqjes graduale dorë nga ndihmat ushtarake amerikane (3.8 miliardë dollarë në vit), duke theksuar se Izraeli është i aftë të blejë nga tregje të tjera dhe se thelbi i marrëdhënies me Uashingtonin nuk është paratë, por partneriteti strategjik dhe teknologjik.
Tashmë kanë filluar konsultime amerikano izraelite rreth të ardhmes së këtyre ndihmave pas përfundimit të Memorandumit të Obamës në vitin 2028.
Irani dhe planifikimi afatgjatë
Pinhas pranon se operacioni “Luani në ngritje” kundër Iranit, i vetëm, ka kushtuar 20 miliardë shekelë, dhe thekson se 30% e kapaciteteve të përdorura janë rezultat i investimeve në kërkim dhe zhvillim që kanë nisur dekada më parë.
Gjenerali doktor Gil Pinhas e përmbledh karrierën e tij ushtarake dhe ekonomike, që shtrihet në dekada, duke thënë:
Me gjithë respektin për armët dhe teknologjinë, kapitali i ushtrisë izraelite në ekonominë e dijes janë kuadrot e saj njerëzore. Kapitali njerëzor është më i rëndësishmi.
