Hyrje
Falënderimi i takon Allahut, i Cili e krijoi njeriun, ia mësoi të shprehurit dhe i bëri fëmijët dhuratë, amanet dhe përgjegjësi. Ai i urdhëroi prindërit që ta ruajnë veten dhe familjet e tyre nga Zjarri dhe nuk ua la edukimin e fëmijëve dëshirave apo përvojave të kufizuara njerëzore. Përkundrazi, u zbriti një Libër që udhëzon në rrugën më të drejtë. Në të gjenden edhe porositë e të urtit Llukman drejtuar birit të tij; një metodologji madhështore edukimi që fillon me teuhidin, kalon përmes ndjenjës së mbikëqyrjes së Allahut, namazit, durimit dhe përgjegjësisë për përmirësimin e shoqërisë, e përfundon me edukimin e sjelljes, ecjes dhe uljes së zërit.
Kjo na mëson se edukimi, sipas peshores së shpalljes, nuk synon vetëm të përgatisë një trup që të jetojë në këtë botë, por të formojë një rob që e njeh Zotin e tij, e adhuron Atë, e ndien se Ai e mbikëqyr në çdo gjendje, sillet mirë me krijesat e Tij dhe ecën drejt Tij derisa ta takojë.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhammedin ﷺ, mësuesin dhe edukatorin më të madh, i cili i mësoi umetit të tij se mëshira nuk ndahet nga edukimi, se butësia nuk bie ndesh me vendosmërinë dhe se trashëgimia më e madhe që lë njeriu pas nuk është pasuria që shteron dhe as posti që zhduket, por besimi që e qetëson zemrën, dija që e ndriçon mendjen, morali që e zbukuron jetën dhe rruga e drejtë që të çon drejt kënaqësisë së Allahut të Lartësuar.
Këto rreshta nuk janë një shpjegim tradicional i porosive të Llukmanit dhe as një përpjekje për t’u shtuar fjalë të reja ajeteve që i kemi lexuar, mësuar përmendësh dhe dëgjuar vazhdimisht. Përkundrazi, ato janë një ndalesë para pasqyrës së Kuranit, ku vendosim shtëpitë tona, fëmijët tanë, mënyrën tonë të edukimit, përparësitë tona, frikërat dhe shpresat tona.
Pastaj e pyesim veten me sinqeritet:
Po sikur Llukmani i urtë të hynte sot në shtëpitë tona, çfarë do të shihte? Për çfarë do të shqetësohej më shumë te fëmijët tanë? Për çfarë do të na shihte të kalonim net pa gjumë? Për çfarë do të na shihte të zemëruar? Dhe për çfarë do të na shihte të lumtur?
A do t’i gjente përparësitë tona të ngjashme me përparësitë e tij?
Llukmani e filloi këshillën e tij me fjalën e Allahut:
﴿يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ﴾
“O biri im, mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim.”
Ndërsa shumë prej nesh e fillojnë me pyetje rreth shkollës, notave, universitetit, profesionit, pagës dhe së ardhmes. Të gjitha këto kanë rëndësinë e tyre, por mangësia fillon kur e ardhmja e kësaj bote bëhet e vetmja e ardhme për të cilën përgatitemi; kur frikësohemi më shumë se mos fëmija ynë humbas një vit shkollor sesa se mos e humbas namazin; kur shqetësohemi më tepër nëse vonohet në punë sesa nëse zemra e tij vonohet në njohjen e Allahut të Madhëruar.
Prej këtu fillon ky udhëtim…
Ai është një udhëtim që nis nga thellësia e zemrës, me fjalën e Allahut të Lartësuar:
﴿لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ﴾
“Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim.”
Pastaj kalon te marrëdhënia e njeriut me prindërit e tij, te zgjedhja e rrugës që ndjek, te ndjenja se Allahu e sheh edhe kur askush tjetër nuk e sheh, te namazi, te përgjegjësia për përmirësimin e shoqërisë, te durimi ndaj sprovave, derisa kjo rrugë të shfaqet në mënyrën se si ecën dhe në tonin e zërit me të cilin flet.
Këto nuk janë porosi të harruara që i përkasin një kohe të kaluar. Ato janë një metodologji hyjnore për ndërtimin e njeriut në çdo kohë. Ato hyjnë edhe sot në shtëpitë tona dhe na pyesin:
Çfarë lloj fëmijësh po ndërtojmë? Çfarë zemrash po formojmë? Dhe për cilën të ardhme po i përgatisim ata?
Lus Allahun e Lartësuar që t’i bëjë këto rreshta të sinqerta vetëm për Fytyrën e Tij Fisnike; që t’u bëjnë dobi baballarëve, nënave dhe edukatorëve; që me to t’i përmirësojë pasardhësit tanë; t’i bëjë ata gëzim për sytë tanë në këtë botë dhe prej banorëve të bindjes ndaj Tij në botën tjetër; të na falë mangësitë tona në përmbushjen e këtij amaneti dhe të na ndihmojë ta kryejmë atë në mënyrën që Ai e do dhe është i kënaqur.
﴿وَمَا تَوْفِيقِي إِلَّا بِاللَّهِ ۚ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَإِلَيْهِ أُنِيبُ﴾
“Suksesi im është vetëm prej Allahut. Tek Ai jam mbështetur dhe tek Ai kthehem me pendim.” (Hud, 88)
Parathënie
Pse Allahu i Lartësuar e ruajti në Librin e Tij këshillën e një babai drejtuar birit të tij, që do të lexohet deri në Ditën e Kiametit?
Në Kuranin Famëlartë gjenden rrëfime për popujt e mëparshëm, tregime për profetët dhe të dërguarit, përshkrime të kësaj bote dhe të botës tjetër, dispozita që ndërtojnë jetën e njeriut dhe këshilla që zgjojnë zemrat.
Megjithatë, mes miliona fjalëve që etërit u kanë thënë bijve të tyre gjatë historisë së njerëzimit, Allahu i Lartësuar zgjodhi fjalët e një njeriu të urtë drejtuar birit të tij, i ruajti në Librin e Tij dhe i bëri të lexohen në shtëpi dhe në xhami deri në Ditën e Kiametit:
﴿يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ﴾
“O biri im! Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim.”
Kjo nuk është një çështje para së cilës lexuesi kalon pa u ndalur. Përkundrazi, ajo e shtyn të mendojë dhe të pyesë:
• Pse pikërisht këto porosi?
• Pse në këtë renditje?
• Pse fillojnë me teuhidin dhe përfundojnë me uljen e zërit?
• Çfarë dëshiron Allahu t’ia mësojë çdo babai, çdo nëne, çdo djali dhe çdo vajze, në çdo kohë dhe në çdo vend?
Kur lexojmë porositë e Llukmanit, ndonjëherë i shohim si një grup virtytesh të ndara: mos i bëj shirk Allahut, bëhu bamirës ndaj prindërve, fale namazin, urdhëro për të mirën, ndalo nga e keqja, duro, mos u bëj mendjemadh dhe ule zërin.
Por kur meditojmë mbi renditjen e tyre, kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me këshilla të shpërndara, por me një metodologji të plotë hyjnore për ndërtimin e njeriut, e cila fillon nga pika më e thellë e zemrës së tij dhe vazhdon derisa të shfaqet në sjelljen dhe moralin e tij.
1- Ndërtimi fillon me besimin
Fjalët e para që Llukmani ia drejtoi birit të tij ishin:
﴿يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ﴾
“O biri im! Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim.”
Sepse, nëse njeriut i prishet përfytyrimi për Zotin e tij, nuk do të rregullohet plotësisht asgjë tjetër pas kësaj. Nëse nuk e njeh Krijuesin e tij, nuk do ta dijë kujt t’i drejtohet, kujt t’i mbështetet dhe kujt t’i kthehet.
Ai mund të arrijë sukses sipas standardeve të njerëzve, por do të jetë humbës në çështjen më të madhe të ekzistencës së tij.
Pastaj Kurani kalon te prindërit, për t’i mësuar njeriut se adhurimi i Allahut nuk e shkëput atë nga të drejtat e njerëzve që e rrethojnë. Përkundrazi, sprova e parë e moralit fillon brenda shtëpisë, me babanë dhe nënën që, pas Allahut, janë shkaku i ekzistencës së tij.
Pastaj vjen ky rregull madhështor i ekuilibrit:
﴿فَلَا تُطِعْهُمَا وَصَاحِبْهُمَا فِي الدُّنْيَا مَعْرُوفًا﴾
“Atëherë mos iu bind atyre (nëse të urdhërojnë në shirk), por shoqëroji në këtë botë me mirësi.” (Lukman, 15)
Nuk ka bindje ndaj krijesës kur ajo përfshin mosbindje ndaj Krijuesit.
Megjithatë, mospajtimi në besim nuk duhet të shndërrohet në padrejtësi dhe as dallimi në fe nuk e justifikon mungesën e mirësjelljes ndaj prindërve.
Qëndrueshmëria në të vërtetën nuk kërkon zemër të ashpër dhe as sjellje të vrazhdë.
Pastaj vjen orientimi për rrugën që duhet ndjekur:
﴿وَاتَّبِعْ سَبِيلَ مَنْ أَنَابَ إِلَيَّ﴾
“Dhe ndiqe rrugën e atyre që kthehen tek Unë me pendim.” (Lukman, 15)
Sepse njeriu nuk jeton i vetëm. Çdo njeri ecën në një rrugë dhe ndikohet nga ata që ecin para tij.
Në kohën tonë, ai që ndikon te fëmija nuk është domosdoshmërisht shoku që ulet pranë tij. Mund të jetë një person në anën tjetër të botës, që hyn në dhomën e tij përmes ekranit të telefonit, i flet çdo ditë dhe formëson mendimet, shijet, frikërat dhe ëndrrat e tij, ndërkohë që prindërit mendojnë se fëmija i tyre është i sigurt brenda shtëpisë.
Pastaj Llukmani e ngre birin e tij në shkallën e mbikëqyrjes së Allahut.
Ai i thotë:
﴿يَا بُنَيَّ إِنَّهَا إِنْ تَكُ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِنْ خَرْدَلٍ فَتَكُنْ فِي صَخْرَةٍ أَوْ فِي السَّمَاوَاتِ أَوْ فِي الْأَرْضِ يَأْتِ بِهَا اللَّهُ ۚ إِنَّ اللَّهَ لَطِيفٌ خَبِيرٌ﴾
“O biri im! Edhe sikur një vepër të jetë sa pesha e një kokrre sinapi, e fshehur brenda një shkëmbi, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë atë. Vërtet, Allahu është i Butë dhe i Gjithëdijshëm për çdo hollësi.” (Lukman, 16)
Këtu fillon edukimi i vërtetë. Ai nuk mbështetet te syri i babait, as te prania e nënës, as te kamerat dhe as te ndëshkimi. Ai ndërton në zemër bindjen se Allahu i Madhëruar di gjithçka, të fshehtën dhe atë që është edhe më e fshehtë.
Njeriu mund të fshihet nga të gjitha krijesat, por nuk mund të fshihet nga Krijuesi i tij.
2- Pas kësaj vjen namazi
Pasi e mbolli në zemrën e birit të tij teuhidin, ia mësoi mirësinë ndaj prindërve, e drejtoi në rrugën e njerëzve të mirë dhe i nguliti bindjen se Allahu e sheh në çdo çast, Llukmani i tha:
﴿يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ﴾
“O biri im, fale namazin.” (Lukman, 17)
Kjo është renditja natyrore e edukimit. Sepse kur vetëdija për mbikëqyrjen e Allahut vendoset në zemër, ajo duhet të shfaqet në adhurim. Besimi që nuk shfaqet në lidhjen e robit me Zotin e tij përmes namazit, mbetet një besim i mangët në ndikimin e tij mbi jetën.
Pastaj Kurani nuk e lë besimtarin të mjaftohet vetëm me përmirësimin e vetes, por e ngarkon me përgjegjësi ndaj shoqërisë.
Allahu i Lartësuar thotë:
﴿وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنْكَرِ﴾
“Urdhëro për të mirën dhe ndalo nga e keqja.” (Lukman, 17)
Kurani nuk dëshiron të formojë një njeri që kujdeset vetëm për shpëtimin e vet dhe nuk i intereson gjendja e të tjerëve. Ai dëshiron të formojë një zemër që e do të mirën për njerëzit, që gëzohet kur ata udhëzohen dhe pikëllohet kur i sheh duke u larguar nga rruga e Allahut.
Por ai që urdhëron për të mirën dhe ndalon nga e keqja, patjetër do të përballet me vështirësi.
Prandaj menjëherë pas kësaj vjen fjala e Allahut:
﴿وَاصْبِرْ عَلَىٰ مَا أَصَابَكَ﴾
“Dhe duro për atë që të godet.” (Lukman, 17)
Është sikur Kurani t’u thotë prindërve:
⁃ Mos i edukoni fëmijët tuaj mbi të vërtetën pa ua mësuar edhe durimin për hir të saj.
⁃ Mos i rritni duke menduar se jeta do t’u japë gjithmonë atë që dëshirojnë.
⁃ Mos ua paraqitni çdo sprovë si fatkeqësi.
Sepse njeriu nuk bëhet i fortë duke jetuar pa sprova, por duke mësuar si t’i përballojë ato me besim dhe durim.
Pastaj, pasi ndërtoi besimin, adhurimin, ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut, përgjegjësinë dhe durimin, Kurani kalon te edukimi i sjelljes së jashtme.
Allahu i Lartësuar thotë:
﴿وَلَا تُصَعِّرْ خَدَّكَ لِلنَّاسِ﴾
“Mos ua kthe faqen njerëzve me mendjemadhësi.” (Lukman, 18)
Pastaj:
﴿وَلَا تَمْشِ فِي الْأَرْضِ مَرَحًا﴾
“Mos ec nëpër tokë me mburrje.” (Lukman, 18)
Pastaj:
﴿وَاقْصِدْ فِي مَشْيِكَ﴾
“Ji i matur në ecjen tënde.” (Lukman, 19)
Dhe në fund:
﴿وَاغْضُضْ مِنْ صَوْتِكَ﴾
“Dhe ule zërin tënd.” (Lukman, 19)
Këtu shfaqet bukuria e plotë e kësaj metodologjie edukative.
Llukmani e filloi edukimin e birit të tij duke rregulluar marrëdhënien e tij me Allahun dhe e përfundoi duke rregulluar mënyrën se si ai sillet me njerëzit.
Ai filloi me çështjen më të madhe të ekzistencës:
﴿لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ﴾
“Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim.”
Dhe e përfundoi me një çështje që shumë njerëz e konsiderojnë të vogël:
﴿وَاغْضُضْ مِنْ صَوْتِكَ﴾
“Dhe ule zërin tënd.”
Sepse në metodologjinë e Kuranit, besimi nuk është vetëm një ide që banohet në mendje dhe as një ndjenjë e fshehur në zemër. Ai është një dritë që përshkon gjithë jetën e njeriut; shfaqet në adhurimin e tij, në moralin e tij, në sjelljen e tij, në mënyrën se si ecën, madje edhe në mënyrën se si flet.
Prandaj, ai që mediton mbi këto porosi e kupton se ato nuk janë thjesht urdhra të veçuar, por një program i plotë edukimi, i cili ndërton njeriun nga brenda dhe e zbukuron atë nga jashtë.
Këtu duhet të ndalemi gjatë…
Bota ka ndryshuar shumë që nga koha e Llukmanit.
Kanë ndryshuar shtëpitë.
Kanë ndryshuar shkollat.
Kanë ndryshuar universitetet.
Kanë ndryshuar telefonat.
Kanë ndryshuar platformat dhe rrjetet sociale.
Madje ka ndryshuar edhe mënyra se si fëmijët marrin dijen dhe ndikohen nga të tjerët.
Por një gjë nuk ka ndryshuar:
Njeriu.
Ai ende ka nevojë:
• ta njohë Zotin e tij;
• ta ndiejë se Allahu e sheh edhe kur është vetëm;
• ta falë namazin;
• ta njohë rrugën e njerëzve të mirë;
• të durojë sprovat;
• të largohet nga mendjemadhësia;
• dhe të mësojë të jetojë me njerëzit me edukatë dhe urtësi.
Pikërisht për këtë arsye, ky shkrim nuk synon vetëm të shpjegojë kuptimin e porosive të Llukmanit, njëra pas tjetrës, e pastaj ta mbyllë faqen.
Përkundrazi, ai dëshiron ta marrë secilën porosi dhe ta vendosë përballë realitetit tonë bashkëkohor, pastaj të na pyesë:
• Ku është kjo porosi në shtëpitë tona?
• Ku është ajo në përparësitë tona?
• Ku është ajo në mënyrën se si i edukojmë fëmijët tanë?
• Dhe sa jemi ne të përkushtuar ndaj renditjes së edukimit që na mëson Kurani?
Do të ndalemi te teuhidi dhe do të pyesim:
Pse disa nga fëmijët tanë njohin emrat e lojtarëve, artistëve dhe njerëzve të famshëm më mirë sesa njohin Zotin e tyre?
Do të ndalemi te vetëdija se Allahu të sheh dhe do të pyesim:
A po i edukojmë fëmijët tanë që të kenë frikë nga Allahu, apo vetëm që të kenë frikë se mos zbulohen?
Do të ndalemi te namazi dhe do të pyesim:
Pse disa shtëpi tronditen kur fëmija dështon në një provim, por nuk tronditen kur ai e humbas namazin?
Do të ndalemi te fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿وَاتَّبِعْ سَبِيلَ مَنْ أَنَابَ إِلَيَّ﴾
“Dhe ndiqe rrugën e atyre që kthehen tek Unë me pendim.” (Lukman, 15)
Pastaj do të pyesim:
Kë ndjekin sot fëmijët tanë? Ne, apo ekranet që i shoqërojnë natë e ditë?
Do të ndalemi te durimi dhe do të pyesim:
Pse duam që fëmijët tanë të jenë të fortë, ndërsa përpiqemi t’ua largojmë çdo dhimbje, çdo privim dhe çdo sprovë? Pastaj habitemi kur shemben përballë pengesës së parë.
Do të ndalemi te mendjemadhësia dhe ulja e zërit dhe do të pyesim:
Çfarë kanë bërë kultura e vetëshfaqjes, krahasimet e vazhdueshme, komentet dhe rrjetet sociale me shpirtrat e fëmijëve tanë dhe me moralin e tyre?
Ky është udhëtimi që do ta përshkojmë së bashku.
Ne nuk do t’i gjykojmë baballarët dhe nënat nga një pozitë epërsie. Nuk do të pretendojmë se edukimi është një rrugë e lehtë. Gjithashtu, nuk do t’ua ngarkojmë prindërve të vetëm përgjegjësinë për çdo devijim që ndodh te fëmijët, sepse udhëzimi është në Dorën e Allahut të Lartësuar, ndërsa njeriu është përgjegjës vetëm për përpjekjen e tij.
Mund të dalë një njeri i mirë nga një familje e prishur dhe mund të sprovohet një baba i devotshëm me një bir që nuk i përgjigjet thirrjes së tij.
Megjithatë, ne duam t’i bëjmë vetes disa pyetje me sinqeritet:
• A e kemi përmbushur amanetin që Allahu na ka ngarkuar?
• A i kemi edukuar fëmijët tanë sipas udhëzimit të shpalljes apo sipas presioneve të shoqërisë?
• A ka qenë shqetësimi ynë më i madh feja e tyre apo vetëm e ardhmja e tyre në këtë botë?
• A i kemi përgatitur për tregun e punës, apo për takimin me Allahun?
Porositë e Llukmanit nuk janë zëvendësim për shkencat bashkëkohore të edukimit dhe as thirrje për të lënë pas dore arsimin, shëndetin, profesionin apo të ardhmen e fëmijëve.
Përkundrazi, ato janë peshorja me të cilën vendosen të gjitha këto në vendin e tyre të drejtë.
Prandaj, mos e shndërro mjetin në qëllim.
Mos e vendos suksesin e kësaj bote mbi suksesin e Ahiretit.
Mos e vendos diplomën mbi namazin.
Mos e vendos kënaqësinë e njerëzve mbi kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
Fëmija që edukojmë sot mund të bëhet mjek, mësues, tregtar, punëtor ose dijetar. Mund të arrijë atë që kemi ëndërruar për të ose të zgjedhë një rrugë tjetër.
Por, pas të gjitha këtyre titujve dhe profesioneve, mbetet një e vërtetë që nuk ndryshon:
Ai është rob i Allahut.
Do të vdesë.
Do të dalë para Zotit të tij.
Dhe suksesi më i madh i kësaj bote nuk do t’i bëjë dobi nëse e humbas Ahiretin.
Prandaj, porosia filloi me fjalët:
﴿يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ﴾
“O biri im! Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim.”
Dhe përfundoi me fjalët:
﴿وَاغْضُضْ مِنْ صَوْتِكَ﴾
“Dhe ule zërin tënd.”
Midis këtyre dy porosive gjendet një metodologji e plotë hyjnore për ndërtimin e njeriut.
Pas mijëra vitesh nga porositë e Llukmanit…
Pse sot kemi nevojë për to më shumë se në çdo kohë të kaluar?
Historia e njerëzimit nuk ka njohur ndonjë epokë në të cilën të jenë shumuar aq shumë librat e edukimit, studimet psikologjike, teoritë arsimore, kurset familjare, specialistët, këshilltarët dhe programet edukative, sa i njeh koha jonë.
Sot, brenda pak minutash, një baba ose një nënë mund të arrijë te mijëra artikuj dhe ligjërata që flasin për:
1. Si të veprojnë me zemërimin e fëmijës.
2. Si ta ndërtojnë vetëbesimin e tij.
3. Si ta zhvillojnë inteligjencën e tij.
4. Si t’i zbulojnë talentet e tij.
5. Si ta motivojnë për mësime.
6. Si ta mbrojnë nga bullizmi.
7. Si të komunikojnë me të gjatë adoleshencës.
8. Si ta ndihmojnë të zgjedhë profesionin dhe të ardhmen e tij.
Megjithatë, me gjithë këtë vërshim të madh të dijes…
• A janë bërë fëmijët tanë më të qetë shpirtërisht?
• A janë bërë shtëpitë tona më të qëndrueshme?
• A është bërë brezi ynë më i durueshëm?
• A është bërë lidhja e tij me Allahun më e thellë?
• A është bërë më i aftë të përballojë epshet, dyshimet, presionet dhe joshjet?
• A është bërë më i përulur, më i edukuar dhe me ndjenjë më të fortë përgjegjësie ndaj të tjerëve?
Këto pyetje nuk nënkuptojnë mohimin e dobisë që kanë disa shkenca dhe përvoja bashkëkohore të edukimit. Po ashtu, nuk do të thotë se çdo gjë e re është e gabuar vetëm pse është e re. Urtësia e dobishme nuk refuzohet, sepse ajo mund të vijë nga një përvojë njerëzore, ndërsa përvoja e saktë është e dobishme përderisa nuk bie ndesh me Sheriatin e Allahut të Lartësuar.
Por këto pyetje nënkuptojnë se duhet të bëjmë një pyetje më të thellë sesa pyetja për mjetet dhe metodat:
Çfarë njeriu po përpiqemi të ndërtojmë?
Këtu fillon e gjithë çështja.
• Mund të kemi mjetet më të mira, por po ecim drejt një qëllimi të mangët.
• Mund të zotërojmë mënyrat më të mira të motivimit, por po i shtyjmë fëmijët tanë drejt një synimi që nuk duhet të jetë synimi më i madh i tyre.
• Mund të kemi sukses në formimin e një fëmije me vetëbesim, por ai nuk e njeh nevojën e tij të vërtetë për Allahun.
• Mund të formojmë një të ri me ambicie të mëdha, por ai nuk e di pse është krijuar.
• Mund të rrisim një djalë që di si t’i kërkojë të drejtat e veta, por nuk di si t’i kryejë detyrimet e tij.
• Mund ta mësojmë të shprehë çdo ndjenjë që ka, por nuk e mësojmë kur duhet ta përmbajë zemërimin, kur duhet të durojë, kur duhet të falë dhe kur duhet të heshtë.
• Mund ta mbrojmë nga çdo dhimbje, derisa të bëhet i pafuqishëm përballë sprovës së parë.
• Mund t’ia mbushim mendjen me informacione, ndërsa zemra e tij mbetet bosh nga madhërimi i Allahut dhe nga vetëdija për mbikëqyrjen e Tij.
• Mund ta mësojmë si ta ndërtojë të ardhmen e tij në këtë botë, por nuk e mësojmë se ai ka edhe një të ardhme tjetër, e cila fillon kur përfundon kjo jetë.
Këtu shfaqet nevoja jonë për porositë e Llukmanit.
Jo sepse duam të kthehemi në të kaluarën duke ikur nga e tashmja, dhe as sepse bota nuk ka ndryshuar.
Por sepse sfidat me të cilat përballen sot fëmijët tanë janë, në thelb, të njëjtat sfida me të cilat janë përballur brezat e mëparshëm.
Sepse njeriu mbetet njeri, sado që të ndryshojnë mjetet e tij. Zemra e tij vazhdon të ketë nevojë për udhëzim, shpirti i tij mbetet i ekspozuar ndaj epsheve, shejtani nuk pushon së joshuri dhe kjo botë nuk pushon së sprovuari. Po ashtu, vdekja nuk pushon së pritur njeriun.
1. Kanë ndryshuar ekranet, por sprova e shikimit ka mbetur.
2. Kanë ndryshuar mjetet e komunikimit, por nevoja e njeriut për shoqëri të mirë dhe shembull të mirë ka mbetur.
3. Kanë ndryshuar format e famës, por dashuria për t’u shfaqur para njerëzve ka mbetur.
4. Kanë ndryshuar mjetet e mbikëqyrjes, por vetmia ka mbetur.
5. Kanë ndryshuar format e mendjemadhësisë, por mendjemadhësia ka mbetur.
6. Kanë ndryshuar zërat e minbereve dhe të ekraneve, por njeriu ende ka nevojë të dëgjojë fjalën e Allahut:
﴿وَاغْضُضْ مِنْ صَوْتِكَ﴾
“Dhe ule zërin tënd.”
Prandaj, porositë e Llukmanit nuk janë një tekst i vjetër, të cilit i kthehemi vetëm nga admirimi për të kaluarën. Ato janë një metodologji hyjnore që i drejtohet njeriut në çdo kohë, sepse nuk fillon nga mjetet që ndryshojnë, por nga parimet e pandryshueshme mbi të cilat ndërtohet njeriu.
Ndoshta mësimi më i madh që kemi nevojë të nxjerrim prej tyre sot nuk janë vetëm porositë veç e veç, por renditja e tyre.
Llukmani nuk e filloi edukimin e birit të tij me suksesin shoqëror, me aftësitë, me shëndetin psikologjik, me pavarësinë financiare apo me profesionin, megjithëse secila prej këtyre ka rëndësinë e vet.
Përkundrazi, ai filloi me të vërtetën më të madhe që përcakton kuptimin e tërë ekzistencës:
﴿يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ﴾
“O biri im! Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim. Vërtet, shirku është padrejtësia më e madhe.” (Lukman, 13)
• Filloi me akiden para profesionit.
• Me teuhidin para suksesit.
• Me njohjen e të drejtës së Allahut para kërkimit të pozitës mes njerëzve.
Pastaj erdhi e drejta e prindërve.
Allahu i Lartësuar thotë:
﴿أَنِ اشْكُرْ لِي وَلِوَالِدَيْكَ﴾
“Ji mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu.” (Lukman, 14)
Pastaj ia mësoi se bindja nuk është absolute dhe se qëndrueshmëria në të vërtetën nuk e lejon mosmirësjelljen:
﴿فَلَا تُطِعْهُمَا وَصَاحِبْهُمَا فِي الدُّنْيَا مَعْرُوفًا﴾
“Mos iu bind atyre (në shirk), por shoqëroji në këtë botë me mirësi.” (Lukman, 15)
Pastaj e drejtoi drejt rrugës dhe modelit që duhet ndjekur:
﴿وَاتَّبِعْ سَبِيلَ مَنْ أَنَابَ إِلَيَّ﴾
“Dhe ndiqe rrugën e atyre që kthehen tek Unë me pendim.” (Lukman, 15)
Pastaj ndërtoi brenda tij mbikëqyrjen më të madhe se çdo mbikëqyrje njerëzore: vetëdijen se Allahu e sheh.
﴿يَا بُنَيَّ إِنَّهَا إِنْ تَكُ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِنْ خَرْدَلٍ فَتَكُنْ فِي صَخْرَةٍ أَوْ فِي السَّمَاوَاتِ أَوْ فِي الْأَرْضِ يَأْتِ بِهَا اللَّهُ﴾
“O biri im! Edhe nëse një vepër është sa pesha e një kokrre sinapi dhe gjendet brenda një shkëmbi, ose në qiej, ose në tokë, Allahu do ta sjellë atë.” (Lukman, 16)
Pastaj e lidhi me Zotin e tij:
﴿يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ﴾
“O biri im, fale namazin.” (Lukman, 17)
Pastaj e nxori nga rrethi i përmirësimit të vetvetes në përgjegjësinë për përmirësimin e shoqërisë:
﴿وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنْكَرِ﴾
“Urdhëro për të mirën dhe ndalo nga e keqja.” (Lukman, 17)
Pastaj nuk e mashtroi me një pamje rozë të jetës, duke i thënë se përderisa është i mirë, nuk do të sprovohet. Përkundrazi, e përgatiti për realitetin:
﴿وَاصْبِرْ عَلَىٰ مَا أَصَابَكَ﴾
“Dhe duro për atë që të godet.” (Lukman, 17)
Pastaj e edukoi në marrëdhënien me njerëzit, duke ia pastruar zemrën nga mendjemadhësia dhe mburrja:
﴿وَلَا تُصَعِّرْ خَدَّكَ لِلنَّاسِ وَلَا تَمْشِ فِي الْأَرْضِ مَرَحًا﴾
“Mos ua kthe faqen njerëzve me mendjemadhësi dhe mos ec nëpër tokë me mburrje.” (Lukman, 18)
Pastaj e mësoi si të ecë:
﴿وَاقْصِدْ فِي مَشْيِكَ﴾
“Ji i matur në ecjen tënde.” (Lukman, 19)
Pastaj si të flasë:
﴿وَاغْضُضْ مِنْ صَوْتِكَ﴾
“Dhe ule zërin tënd.” (Lukman, 19)
Këtu fillon të shfaqet ideja themelore mbi të cilën ndërtohet ky shkrim.
Problemi ynë nuk është se nuk i edukojmë fëmijët tanë. Madje, shpeshherë ne bëjmë përpjekje të mëdha për edukimin e tyre. Problemi është se i edukojmë sipas një renditjeje që ndryshon nga renditja e shpalljes hyjnore.
• Ndërtojmë vetëbesimin para se të ndërtojmë te ata nevojën për Allahun.
• Kërkojmë talentin e fëmijës para se të mbjellim në zemrën e tij teuhidin.
• Mbikëqyrim telefonin e tij, por mund të mos e mësojmë se Allahu e mbikëqyr atë.
• Përpiqemi që ai të jetë i suksesshëm, por nuk pyesim: A do të jetë i përulur kur të ketë sukses?
• E mësojmë si të flasë dhe si të mbrojë mendimin e tij, por nuk e mësojmë se kur duhet ta ulë zërin.
• Duam që të jetë i fortë, por ndonjëherë e ngatërrojmë forcën me ashpërsinë, vetëbesimin me mendjemadhësinë dhe lirinë e shprehjes me mungesën e kufijve.
• E mbrojmë nga dështimi, ndërkohë që ndoshta ai ka nevojë të mësojë se si të ngrihet pas tij.
• Ia largojmë çdo vështirësi nga rruga, pastaj kërkojmë prej tij të bëhet i durueshëm.
• I zgjidhim çdo problem dhe më pas habitemi pse nuk di të përballet me jetën vetë.
• Dhjetëra herë e pyesim: “Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?”, por sa herë e kemi pyetur: “Çfarë robi i Allahut dëshiron të jesh?”
Renditja e përparësive nuk është një çështje formale. Ajo është ajo që përcakton llojin e njeriut që po ndërtojmë.
1. Kur suksesi në shkollë bëhet më i rëndësishëm se namazi në vetëdijen e familjes, fëmija do ta kuptojë mesazhin, edhe nëse ne nuk ia themi me fjalë.
2. Kur zemërohemi më shumë për notën e ulët sesa për gënjeshtrën, ne në fakt po e edukojmë me heshtjen tonë.
3. Kur gëzohemi për suksesin e tij, por nuk e pyesim se çfarë ndikimi pati ky sukses në zemrën e tij, mund të jemi duke formuar një njeri të suksesshëm… por mendjemadh.
4. Kur e mësojmë se vlera e tij qëndron vetëm në atë që zotëron, arrin ose shfaq para njerëzve, mund ta lëmë të pafuqishëm ditën kur të humbasë diçka nga këto.
Prandaj, porositë e Llukmanit nuk vijnë për t’i shtuar listës sonë trembëdhjetë këshilla të reja edukative. Ato vijnë për ta rindërtuar të gjithë listën që nga themeli.
Sikur të na pyesnin:
1. Çfarë është gjëja e parë që duhet të mbillet në zemrën e fëmijës para çdo gjëje tjetër?
2. Çfarë është ajo që, nëse fëmija e humbas, nuk mund ta zëvendësojnë të gjitha sukseset e kësaj bote?
3. Çfarë duhet të mbetet me të kur babai mungon, nëna vdes, dera e dhomës mbyllet, ai udhëton larg, ose qëndron i vetëm përballë një sprove, një epshi, një pasurie të ndaluar apo një mundësie për tradhti që askush nuk e sheh?
4. A duam një fëmijë që nuk mëkaton vetëm sepse babai e vëzhgon, apo një njeri që turpërohet nga Allahu edhe kur askush nuk e sheh?
5. A duam një fëmijë që ka sukses vetëm sepse e shtyjmë vazhdimisht, apo një njeri që e di pse jeton, edhe kur askush nuk e nxit?
6. A duam që para njerëzve të ketë një pamje të bukur, apo që ta takojë Allahun me një zemër të shëndoshë?
Prej këtu kuptojmë pse sot kemi më shumë nevojë për porositë e Llukmanit se në çdo kohë tjetër.
Sepse fëmijët tanë jetojnë në mes të një beteje të madhe që zhvillohet mbi mendjet, zemrat, kohën dhe identitetin e tyre.
Shtëpia nuk është më edukuesi i vetëm.
Shkolla nuk është më mësuesi i vetëm.
Shoku nuk është më ndikuesi i vetëm.
Ka një ekran që i ndjek.
Ka algoritme që studiojnë interesat e tyre.
Ka ndikues (influencues) që hyjnë në dhomat e tyre.
Ka ide që i kalojnë çdo kufi.
Ka krahasime që nuk mbarojnë kurrë.
Ka joshje që janë të arritshme vetëm me një klikim.
Ka dyshime që mund t’u arrijnë para se të kenë moshën dhe dijen për t’i kuptuar e për t’iu përgjigjur.
E në mes të gjithë kësaj zhurme, vjen zëri i qetë, i urtë dhe i mëshirshëm i Llukmanit:
﴿يَا بُنَيَّ﴾
“O biri im!”
• Pa britma.
• Pa shfaqje.
• Pa ndjekur çdo ndryshim të kohës.
• Por duke filluar nga themeli.
1. Njihe Zotin tënd.
2. Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim.
3. Njihe të drejtën e prindërve.
4. Zgjidh rrugën që do të ndjekësh.
5. Ki vetëdije se Allahu të sheh, edhe kur je vetëm.
6. Fale namazin.
7. Përhape të mirën ndër njerëz.
8. Ndaloje të keqen.
9. Duro në rrugën e së vërtetës.
10. Mos u bëj mendjemadh.
11. Ji i matur në ecjen tënde.
12. Ule zërin tënd.
Janë pak fjalë, por ato ndërtojnë një njeri të plotë.
Një njeri me teuhid të pastër në besim.
I devotshëm ndaj familjes së tij.
I vetëdijshëm se kë ndjek.
Që e ndien mbikëqyrjen e Allahut edhe në vetmi.
Që e fal namazin.
Që përpiqet të përmirësojë shoqërinë.
Që është i durueshëm përballë sprovave.
I përulur në marrëdhëniet me njerëzit.
I matur në ecje.
Dhe i edukuar edhe në mënyrën se si flet.
Ky është njeriu që ka nevojë të rindërtohet.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të japë një shpjegim të gjatë të ajeteve, edhe pse do t’i sqarojë kuptimet e tyre. Përkundrazi, ai synon të ndalet para çdo porosie, ta vendosë atë përballë realitetit tonë bashkëkohor dhe ta fusë në shtëpitë tona, në shkollat tona, në telefonat e fëmijëve tanë, në frikërat tona për ta dhe në shpresat që kemi për ta. Pastaj të na pyesë pa zbukurime:
A po i edukojmë fëmijët tanë sipas renditjes së shpalljes hyjnore… apo sipas renditjes që u ka vendosur bota?
Ne nuk jemi thirrur ta refuzojmë këtë botë, as ta lëmë pas dore arsimin, punën apo suksesin. Po ashtu, nuk jemi thirrur t’i lëmë fëmijët tanë pa përgatitje për të ardhmen e tyre.
Përkundrazi, kërkohet që çdo gjë të vendoset në vendin e vet të drejtë:
1. Që kjo botë të jetë në duart tona, jo synimi më i madh i zemrave tona.
2. Që t’i arsimojmë fëmijët tanë, por të mos harrojmë pse janë krijuar.
3. Që t’i përgatisim për profesionin, por para dhe mbi të gjitha t’i edukojmë për adhurimin e Allahut.
4. Që të gëzohemi për suksesin e tyre, por të gëzohemi edhe më shumë për qëndrueshmërinë e tyre në fe.
5. Që të kemi frikë për ta nga dështimi, por edhe më shumë të kemi frikë për fenë dhe Ahiretin e tyre.
6. Që të dëshirojmë për ta një të ardhme të mirë në këtë botë, pa harruar se ata kanë një të ardhme të përhershme pas vdekjes.
Pas mijëra vitesh, porositë e Llukmanit mbeten ende të gjalla, sepse njeriu të cilit iu drejtuan nuk ka ndryshuar.
• Fëmija ende ka nevojë që dikush t’i thotë me dashuri:
﴿يَا بُنَيَّ﴾
“O biri im!”
• Zemra ende ka nevojë për teuhid.
• Vetmia ende ka nevojë për vetëdijen se Allahu të sheh.
• Shpirti ende ka nevojë për namazin.
• Rruga ende ka nevojë për durim.
• Suksesi ende ka nevojë për përulësi.
• Forca ende ka nevojë për edukatë.
• Zëri ende ka nevojë të ulet.
Dhe ndoshta pyetja që duhet të na shoqërojë nga këtu e deri në fund të këtij shkrimi nuk është:
“Çfarë i tha Llukmani birit të tij?” – sepse ne tashmë i dimë dhe i lexojmë fjalët e tij.
Pyetja e vërtetë është:
Çfarë do të ndodhte me shtëpitë tona dhe me fëmijët tanë, nëse do ta rindërtonim edukimin sipas renditjes së shpalljes hyjnore?
Derijd el-Meusulij
Përshtati: Bekir Halimi
