6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Kur’ani, pasuria dhe lumturia jonë!

Më të lexuarat

Autor: Nedim Botić

Abdullah Ibën Mes’udi, radijAllahu anhu gjatë një rasti tha: “Kush mund ta ngrejë pasurinë e tij në qiell, ku krimbat nuk mund ta brejnë dhe as hajdutët ta vjedhin, le ta bëjë këtë, sepse zemra e njeriut është e lidhur me pasurinë e tij!” (1)

Ku gjendemi ne në lidhje me mesazhin e këtyre fjalëve?

Le ta pyesim veten se çfarë na e vështirëson leximin e Kur’anit dhe zbukurimin e vërtet të jetëve tona duke i zbatuar parimet e kur’anore? Çfarë është ajo që na ndan nga kënaqësia e besimit, pse paraqet vështirësi për ne leximi i Kur’anit, pse kur shohim prapa pendohemi për kohën për të cilën mendojmë se ishim muslimanë më të mirë, duke falur namaz nate, duke agjëruar agjërim nafile, ndërsa sot nuk jemi të tillë? Pse?!

Nëse shikojmë përreth nesh, gjëra të ngjashme do të shohim edhe tek besimtarët e tjerë. Për fat të keq, është e zakonshme që një person, menjëherë pasi të fillojë ta praktikojë islamin, ndihet i lumtur, i fortë, plot entuziazëm… dëshiron të bëjë gjithçka në një frymë, interesohet për gjithçka, mendon, lexon dhe flet për të islamin ditë e natë. Por me kalimin e kohës, entuziazmi bie, dëshira për ibadet zvogëlohet, humbet nuri nga zemra dhe fillon të flasë gjithnjë e më shumë për jetën e kësaj bote, dhe më pak për Islamin.

Jeta shpirtërore dhe praktike e besimtari duhet për do ditë të përmirësohet; dhe jo e kundërta keqësohet për çdo ditë. Sa më gjatë që një musliman e jeton Islamin, me kalimin e kohës duhet të jetë akoma më i mirë, dhe jo e kundërta. Dijetari islam, Aid el-Karni pohon se neglizhenca është shkaku që e djeshmja të jetë më e mirë se e sotmja jote. Kjo nënkupton se në fillim të praktikimit të dinit, ishim më të mirë se sot, gjatë jetës mbizotëroi neglizhenca, por kjo nuk do të thotë se duhet arsyetuar duke mos ndryshuar asgjë.

Brengat tona…

Secili prej nesh ka pritje për këtë dhe jetën e përtejme, hulumtojmë për përmbushjen e ëndrrave dhe qëllimeve tona. Palodhur e kërkojmë plotësimin e nevojave tona dhe u dorëzohemi atyre. Për hir të tyre, ne heqim dorë nga shumë gjëra që i duam tani, që të kemi diçka nesër. Dhe këtu shumica prej nesh bien në grackën e përcaktimit të prioriteteve.

Cilat janë prioritetet tona në jetë? Çfarë mendojmë kur zgjohemi në mëngjes? Sa prej nesh e kemi prioritet arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe të jenët të dobishëm për ummetin dhe të gjithë njerëzit? Sa prej nesh, mendon vetëm për veten, jeton vetëm për veten dhe bën dua vetëm për veten e tij? Sa prej nesh kujdesemi dhe ndjejmë afërsi për vëllain musliman me vepra dhe jo vetëm me fjalë?!

“Zemra e njeriut është e lidhur me pasurinë e tij.”

Në natyrën e njeriut është dashuria ndaj gjërave të afërta, asaj që mund ta ketë pa pritje, menjëherë. Kjo është arsyeja pse kjo bota është preokupim për shumë njerëz, dhe ahireti është i huaj dhe i largët. Një pakicë kanë durim t’i presin rezultatet, suksesin dhe lumturinë. Ritmi i jetës moderne na mëson të duam gjithçka, në të njëjtin moment. Prandaj, në mënyrë që ta ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj Islamit në përgjithësi, dhe Librit të Allahut në veçanti, duhet ta ndryshojmë mënyrën e shikimit të kësaj dhe jetës së ardhme.

I mençur është njeriu i cili e vendos çdo send në vendin e duhur dhe i kushton rëndësi sipas vlerës së tij. Dynjaja e ka vendin e vet sikur edhe ahireti. Dynjaja është shtëpi kalimtare, ndërsa ahireti është shtëpia e vërtetë. Ahiretin duhet ta kuptojmë si një investim afatgjatë, kursim i veprave të mira dhe përpjekje për të fituar kënaqësinë e Mëshiruesit. Kështu dynjaja paraqet një mundësi për të fituar diçka më të madhe, më sublime dhe më të bukur, ne veprojmë në të, por nuk harrojmë se ahireti është më i mirë dhe se ne shkojmë drejt tij. Nëse përmbysen kriteret tona, dhe jeta e kësaj bote ka rëndësi më të madhe në zemrat tona, nuk do të kemi vullnet për të punuar në fitimin e shpërblimeve të botës tjetër sepse vlera e tyre është e paqartë

Ku është Kur’ani në listën e prioriteteve tona?

Le ta pyesim veten tonë pse gjendet Kur’ani në pjesën e poshtme të listës së prioriteteve? Pse nuk mund vite me radhë ta përvetësojmë sufaren dhe drejtëleximin e Kur’anit? Themi se është e vështirë, nuk kemi kohë, nuk mund gjithkush ta bëjë këtë… Po, po, ne themi kështu vetëm për ta arsyetuar veten para të tjerëve ndërsa në zemrat tona ndihemi të turpëruar sepse e dimë që nuk është e vërtetë. Ne e dimë që tek Allahu këto nuk janë arsye të vërteta dhe Ai e di se çfarë fshehim në zemrat tona. Pse nuk kemi probleme me mësimin e gjuhëve të huaja, për shembull lexojmë një mijë faqe për një provim në fakultet, nuk flemë gjithë natën për të fituar disa nga të mirat e kësaj bote? Ekzistojnë shumë shembuj, dhe secili prej nesh i di ato.

Nuk duhet ta kuptojmë këtë si kritikë, por si një apel për përmirësim.

LE TA NDAJMË NJË PJESË TË KOHËS SONË PËR ALLAHUN, LE TA NDAJMË NJË PJESË TË KOHËS SONË PËR KRIJUESIN TONË.

Allahu i Plotfuqishëm është kujdesur për ne që kur ishim embrione në barkun e nënave tona, Ai na dërgon mirësi nga të gjitha anët dhe gjithçka që kemi është prej Tij. Atëherë, si mund ta harrojmë Atë?

Ne e lexojmë Kur’anin për ta arritur kënaqësinë e Tij, dhe sërish me Mëshirën e Tij, gjithçka na kthehet prapë. A thua presim të fitojmë diçka nga kjo botë duke ikur nga Allahu, ndërsa Ai është Pronari i gjithçkaje në qiej dhe tokë?!

Le të përpiqemi ta kuptojmë vlerën e Kur’anit, të respektojmë Atë, Fjalët e të cilit janë në Kur’an dhe ta pyesim veten: çfarë mund të bëj sot në emër të Allahut për ta bërë më të ndritur të ardhmen e ummetit dhe të gjithë njerëzisë.

Përktheu: Lutfi Muaremi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit