6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Komunizmi i mirë! Justinian Topulli

Më të lexuarat

Gjëja që të habit më shumë me disa njerëz -që nuk e di, t’i quaj naivë, të keqinformuar, apo nga ata utopikë, që mbyten nëpër iluzione ëndërrimtare?!- është pohimi i tyre se marksizmi apo komunizmi ideal ishte i mirë, por ai u keqinterpretua dhe u zbatua shtrembër në praktikë!
Tani gjëja më e mirë që të vjen ndër mendje për këta njerëz, është të quhen të paditur dhe të gënjyer, për të mos shkuar më tej në pozitat e tjera të naivitetit apo së keqes njerëzore, në të cilat mund të bjerë njeriu.
Një ideologji “e mirë” që prodhon ngado vetëm se një sistem të lig e kriminal, është e habitshme se si mund të keqinterpretohet dhe zbatohet kaq keq, kaq universalisht?!
Problemi me këta njerëz është se shohin vetëm disa prej produkteve ideale llamburitëse të kësaj ideologjie, dhe jo themelet e saj të panatyrshme e kriminale. Nëse do të vlerësosh një ideologji duhet të nisesh nga themelet e saj, sepse janë pikërisht ato që përcaktojnë edhe pasojat e mira apo të këqija, të atyre që vijnë më pas. Ashtu siç veprat varen sipas qëllimit, ashtu edhe një farë hithre nuk mund të japë kallinj e kokrra gruri, edhe sikur të mbijë mes një are të tillë drithi, apo të bashkëjetojë me të.
Së pari, themeli i themeleve të ideologjisë marksiste komuniste është pohimi se Zoti nuk ekziston dhe se njeriu është produkt i evolucionit të verbër të natyrës dhe se çdo e ligë që ekziston në shoqërinë njerëzore e ka burimin tek pabarazia sociale, pabarazi e cila është prodhuar, sipas kësaj ideologjie, nga prona private dhe ndarja e pabarabartë e pasurisë.
Së dyti, sipas marksizmit, rruga për ndreqjen e kësaj “të keqeje” është revolucioni dhe ndryshimet radikale në shoqëri, e cila shprehet përmes luftës së klasave shoqërore, pra, proletarët kundra kapitalistëve, e kështu më radhë.
Pra, komunizmi marksist është një pikëpamje materialiste mbi botën, për rrjedhojë, ai nuk është aspak miqësor me besimin në Zot dhe me asnjë fe (në fakt ai vetë ishte njëlloj feje!), ndërkohë fetaria e njeriut është diçka e lindur dhe e natyrshme për njeriun. Për këtë arsye, ai është kriminal që në gjenezën e tij ideologjike, sepse bie ndesh me natyrshmërinë njerëzore.
Tani nisur nga kjo e vërtetë, se si mundet një njeri që beson në Zot, të bëjë bashkë komunizmin dhe fenë, kjo është nga ato absurditetet që burojnë pikërisht nga ajo që thashë më sipër.
Bota materiale, e gjitha, duke përfshirë edhe atë të jetës së gjallë, e ruan ekzistencën e saj përmes ekuilibrave. Ekuilibrat nga ana e tyre ruhen përmes vendosjes së drejtë të çdo gjëje në pozicionin e duhur, apo të natyrshëm të tyre. Kjo quhet drejtësi. Drejtësia është ajo që mban në këmbë botën materiale, dhe është po ajo, themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet shoqëria njerëzore dhe marrëdhëniet e saj me veten dhe botën. Dhe drejtësi do të thotë të vendosësh barazi mes të barabartave dhe të diferencosh mes të ndryshmeve. Kjo do të thotë se të pranosh, në parim, një botë shoqërore ku pasuria nuk është e ndarë në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit, por ndërkohë në të ruhen, në parim, ekuilibrat e drejtësisë dhe nuk kalohet në padrejtësi, duke i thelluar dallimet padrejtësisht, është gjendja e natyrshme e një shoqërie të drejtë njerëzore. Qëllimi i njerëzve duhet të jetë pikërisht ruajtja e drejtësisë sociale dhe ndërhyrja për ndreqjen e saj, kur dhe ku ajo çalon, por jo vendosja e barazisë së plotë, për çdo gjë për të gjithë individët, sepse kjo do të rezultojë në mjaft raste në padrejtësi të ngritur në sistem, për dallim nga padrejtësitë që ndodhin nga defektet e sistemit. Kështu që edhe nga kjo pikëpamje, barazia që kërkon ideologjia marksiste komuniste, është në themel të saj kriminale, sepse bie ndesh me natyrshmërinë e gjërave dhe të ruajtjes së ekuilibrit natyror në botë.
Nisur nga këto dy premisa të komunizmit, ateizmi dhe barazia ekonomike, në thelb kriminale në ide, çfarë pasojash të mira mund të prodhojë kjo farë e tillë ideologjike veç atyre që solli?! E nëse kësaj i shtojmë edhe revolucionin, që është produkt i natyrshëm i këtyre ideve, e që është në themel të metodës marksiste komuniste, çfarë hairi mund të presësh nga kjo ide, veç asaj distopie kriminale e gjakatare, që prodhoi kudo komunizmi?!
E gjitha kjo që thamë, është një thjeshtëzim logjik, për të gjithë ata që thonë se komunizmi ishte i mirë në idealet e tij, për të kuptuar thelbin kriminal të idesë marksiste komuniste, ligësi kjo, që u parashikua edhe nga filozofë e studiues, që para se kuçedra e kuqe të përpinte mbi gjysmën e botës, apo u paratha nga shkrimtarë si Orwell, që përshkruan në mënyrë mahnitëse atë që do të ndodhte vite më pas, nga zbatimi i kësaj ideologjie në terren. Mjafton të lexosh dy veprat e këtij njeriu që vdiq në 1950-n, “Ferma e kafshëve” dhe “1984”, për të kuptuar se si një mendje e kthjellët parashikoi në mënyrë logjike, produktin kriminal të kësaj ideologjie “të mirë”.
P.s. Na duhet ta pranojmë se ideologjia marksiste komuniste, e artikuluar dhe strukturuar nga një mendje “gjeniale-djallëzore” si ajo e Marksit dhe e të tjerëve si ai, ishte kaq joshëse dhe verbuese për një sërë intelektualësh dhe turma të tëra njerëzish, saqë ishte mëshira e Zotit, ajo që i ruajti ata të cilët nuk ranë në kurthin e saj.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit