17.5 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Kujdesi nga sprova e dynjasë

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Ebu Seid El Hudrij (r.a) transmeton nga profeti a.s. ka thënë: “Dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbër. Allahu ju ka bërë zëdhënës në të, që t’ju shikojë se si do të veproni. Kini frikë dynjanë dhe gratë, sepse sprova e parë e bijve të Israelit ka qenë sprova e grave”.[1]
 Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Dynjaja  është e ëmbël, e gjelbër dhe e bukur. Shpirti i njeriut i dëshiron dhe ia ka ënda këto cilësi. Këto cilësi janë në përputhje me natyrën, që Allahu ka vendosur tek njeriu, por megjithatë kjo sinjalizon për dy aspekte:
1- Sinjalizon për mbarimin e shpejtë të dynjasë, sepse këto cilësi janë episodike, mbarojnë shumë shpejt dhe ndryshojnë. E bukura nuk është gjithmonë e bukur, pemës së gjelbër do t’i vijë koha kur të zverdhet. Në të duken shenjat e mbarimit. Ndërsa në botën tjetër, mirësia është e vazhdueshme dhe nuk mbaron asnjëherë.
2- Animi nga dynjaja nuk e kundërshton natyrën e pastër të njeriut, sepse shpirti kënaqet me të gjelbrën dhe dëshiron të shijojë ëmbëlsinë e saj. Por ajo, prej të cilës duhet të ruhesh, është lidhja fort pas dynjasë, marrja e saj si synim kryesor, zhytja në dëshirat e saj dhe preokupimi i thellë, aq sa ajo të jetë pengesë për përkushtimin ndaj Allahut. Muslimani nuk është armik i vetë dynjasë, por ai ka kujdes ndaj sprovës së saj dhe për të ajo është një parcelë për botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Me atë që të ka dhënë Allahu kërko botën tjetër, por mos harro hisen tënde nga jeta e kësaj bote. Bëj mirë ashtu si ka bërë Allahu ndaj teje dhe mos kërko të bësh shkatërrim në tokë. Allahu nuk i do shkatërruesit”. Sure El Kasas: 77
Allahu e ka nderuar njeriun, duke e bërë zëdhënës në tokë, që ai ta ndërtojë atë, duke ecur sipas programit hyjnor. Ky nderim është obligim dhe në ntë njëjtën kohë është edhe sprovë nga Allahu për robërit e tij, për të treguar se kush është më i miri në vepra. Këtë gjë ka për qëllim profeti a.s me fjalën e tij: “Allahu ju ka bërë zëdhënës në të, që t’ju shikojë si do të veproni”.
Duke u nisur nga kjo dallojmë dy grupe njerëzish:
Një grup që qëllimin e kryesor ka dynjanë. Ky grup nuk e ka frikë Allahun në veprat që kryen, punon vetëm për dynjanë dhe shkatërron për botën tjetër.
Grupi tjetër, që me veçimin dhe izolimin nga jeta e kësaj bote, ka kujtuar se ka shpëtuar nga sprova e saj. Ky grup e ka lënë pas shpine atë, për të cilën është urdhëruar nga Allahu, ndërtimin e tokës me punë të mira dhe me ftesën e të tjerëve në fenë e Allahut.
Profeti (a.s) e mbyll fjalën e tij me kujdesin që duhet patur nga sprova e grave, sepse ajo është shkatërruese, shkatërron popujt dhe moralin. E përfundon fjalën e tij, duke thënë se sprova e parë tek beni israilët, që nuk i kanë rezistuar, ka qenë sprova e grave. Në këtë vërejtje kihen parasysh dy gjëra:
E para: Flitet për të gjitha gratë. Sprova e tyre është jashtëzakonisht e vështirë. Shikimi i hedhur drej tyre është një shigjetë e helmosur e shejtanit, që godet zemrën dhe e sëmur atë. Më e keqe së shikimi është përzierja me to, veçimi dhe kryerja e imoralitetit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos ju afroni imoralitetit, sepse imoraliteti është një punë e ndyrë dhe një rrugë e keqe”.  Sure El Isra:32
E dyta: Bashkëshortet, sepse bashkëshortja mund ta ndihmojë bashkëshortin e saj në përkushtimin ndaj Allahut të Lartësuar, në kryerjen e punëve të mira dhe kapjen fort pas librit të Allahut dhe sunetit të profetit a.s. Por ajo mund të jetë pengesë për të, që ai t’i përkushtohet Allahut, e pengon që të kryejë vepra të mira, që e afrojnë tek Allahu. Ajo zotëron zemrën e tij e ai rend pas saj si skllav në rrugën e mëkateve. Nga kjo gjë duhet patur shumë kujdes dhe gjithashtu duhet paralajmëruar bashkëshortja, që të ketë frikë nga ndëshkimi i Allahut, derisa të ndjekë rrugën e drejtë. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju të cilët keni besuar, disa prej grave dhe fëmijëve tuaj janë armiqtë tuaj, prandaj kini kujdes prej tyre”.  Sure Et Tegabun:14
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Muslimani nuk e urren dynjanë, por ai i ruhet të keqes së saj. Ai e shfrytëzon atë si një mjet, për të fituar botën tjetër.
2- Njeriu është zëdhënës në tokë. Allahu e krijoi atë dhe e urdhëroi, që t’i bindet Atij.
3- Kujdesi që duhet patur nga sprova e grave, sepse ajo është një sprovë shkatërruese.
4- Kujdesi që duhet patur nga sprova e bashkëshortes, që të pengon nga përkushtimi ndaj Allahut. Obligimi i dhënies së këshillës dhe orientimit të saj në rrugën e drejtë.
[1] Transmeton imam Muslimi: 2742

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit