16.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Kolonët izraelitë sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor, dhjetëra të plagosur

Më të lexuarat

Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu-n se dhjetëra kolonë izraelitë të shoqëruar nga forcat izraelite bastisën Huvaran dhe vandalizuan pronat palestineze, duke përfshirë djegien e disa shtëpive dhe makinave

Kolonët izraelitë organizuan sulm në qytezën Huvara pranë Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar të dielën vonë, duke i vënë flakën disa shtëpive dhe makinave dhe duke plagosur dhjetëra palestinezë, raporton Anadolu.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një palestinez u plagos rëndë në kokë gjatë sulmit nga kolonët, të cilët ishin nën mbrojtje të fortë nga forcat izraelite.

Ndërkohë, Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se 95 palestinezë pësuan thithje të gazit lotsjellës kur u përballën me ushtarët izraelitë.

Ajo gjithashtu shtoi se një palestinez u godit me thikë dhe një tjetër nga një copë metali dhe që të dy janë transferuar në spital.

Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu-n se dhjetëra kolonë izraelitë të shoqëruar nga forcat izraelite bastisën Huvaran dhe vandalizuan pronat palestineze, duke përfshirë djegien e disa shtëpive dhe makinave në qytezë.

Sulmet e kolonëve erdhën pas vdekjes së dy kolonëve izraelitë në Huvara nga një palestinez i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Në komentet e tij për sulmet e kolonëve, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u bëri thirrje kolonëve që të mos hakmerren për vdekjen e dy kolonëve dhe t’ia lënë ushtrisë izraelite të kërkojë autorin.

“Lërini IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) të përfundojnë ndjekjen e saj dhe mos e merrni ligjin në duart tuaja. Së bashku do ta mposhtim terrorizmin”, thuhet në deklaratën e Netanyahut.

Që nga fillimi i vitit, të paktën 60 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite gjatë bastisjeve në zonat palestineze në Bregun Perëndimor, duke përfshirë 11 të cilët u vranë të mërkurën gjatë një bastisjeje në qytetin e Nablusit.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit