12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Hoxha shqiptar që ia msheli gojën komunistit

Më të lexuarat

Përmbajtja

Ripost, sa per ta kujtuar njeriun e mire hafiz Pijazitin, Zoti e meshirofte!

Plepi dhe kungulli

Hafiz Pijaziti, të gjithë e njihnim me këtë emër, ishte një burrë i mençur, kishte memorizuar të gjithë Kuranin përmendësh që në vegjëli, edhe pse shikimin e kishte humbur gjatë dy viteve të para të jetës, për shkak të një sëmundje. Hafiz Pijaziti ishte simbol i urtësisë fetare, por edhe asaj dibrane. Ai i kishte shëtitur odat e konaqet e Dibrës dhe e dinte ku rrihte muhabeti, ishte mjeshtër i alegorisë dibrane. Ai të dëgjonte me vëmendje, pastaj jepte përgjigjen ose bënte komentin e tij duke i vënë muhabetit kapak.

Si çdo hoxhë tjetër, edhe ai ishte privuar nga gjëja më e çmuar gjatë sistemit komunist, fjala e Zotit. Megjithatë, hafizi e përcillte mesazhin e vet, falë alegorisë dibrane.

Një herë, gjatë diktaturës, ai ishte ftuar në një konak. Një komunist nga Dibra, duke dashur ta vërë në siklet hafiz Pijazitin, i qe drejtuar me këto fjalë në atë dhomë plot me burra:

“O Pijazit! Sa vite ka që ka dalë feja jalla?”

Hafizi i urtë u mendua pak – siç e kishte zakon – pastaj iu përgjigj:”Nja 14 shekuj o filan.”

Komunisti:”Po mire bre, po si është e mundur që ne për 20-30 vite të ndërtojmë vepra madhështore, uzina e fabrika, rrugë e kryevepra të tjera, që ju si keni ndërtuar për shekuj?” gjë të cilën e shoqëroi me një buzëqeshje ironike, pasi besoi se do ia mbyllë gojën hafizit.

Hafizi i urtë, edhe pse ishte akoma diktatura në këmbë dhe për përgjigje të tilla të bënin gropën, pas një heshtjeje në të cilën ai bluante si pyetjen dhe përgjigjen, iu përgjigj me maturi:”Po o filan, e vërtetë ajo që thua, por më dëgjo me vëmendje! Dikur herët, thuhet se ka qenë një plep i madh njëqind vjeçar, njëqind metra i gjatë, me trung që nuk e mbërthenin dot dy burra. Një ditë të ngrohtë pranvere, pranë plepit mbin një fare kungulli e cila çdo dite rritej nga pak, duke lëshuar dhe lastarët e parë. Duke mos pasur ku të kacavirrej, kungulli i tha plepit:”O plep! A më lejon të kacavirrem për trungut tënd?”

Plepi i tha:”Sigurisht që po, jemi fqinjë dhe kemi detyrime ndaj njëri-tjetrit. Ngjitu dhe kacavirru si të duash!”

Shumë shpejt, kungulli u zhvillua aq shume saqë e pa veten në majë të plepit. I mrekulluar me arritjen e vet, iu drejtua mikut të tij të vjetër:”Për sa vite e ke arrit këtë gjatësi or plep?”

“Për njëqind vite e kusur o kungull!” iu përgjigj plepi.

Kungulli:”Për njëqind vite?! Po çfarë ke bërë o i uruar?! Unë për disa muaj e arrita gjatësinë tende!”

Plepi iu përgjigj:”Po o kungull, por le të presim brymën e parë për të kuptuar sa i fortë je.”

Heshtja pllakosi në të gjithë konakun, askush nuk bëzante, e bashke me ta dhe komunisti ynë. Përgjigja e hafizit u mbylli gojën të gjithëve. Me këtë përgjigje, hafizi i thoshte që për ta vërtetuar sa i fortë është komunizmi, duhet të presim stuhinë e parë, pasi feja kishte kaluar stuhi dhe rrebeshë të njëpasnjëshëm dhe nuk ishte gjunjëzuar.

Disa ditë me vonë, hafiz Pijazitit i dërgojnë një oficer të sigurimit, duke e paralajmëruar se po foli herë tjetër ashtu, e pret burgu.

Ne fakt, hafizi pati te drejte, bryma e pare qe i rra kungullit komunist, e thau me gjethe e me rrënjë.

Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit