21.3 C
Pristina
Saturday, July 13, 2024

Hapja e urës së Ibrit pritet të trajtohet me seriozitet nga qeveria, opozita kërkon koordinim me aleatët

Më të lexuarat

Hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë për zëvendëskryeministres Donika Gërvalla është një temë që duhet të trajtohet me seriozitet.

Sipas zëvendëskryeministres, njëherësh ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla forcimi i sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse e ekzekutivit.

Ajo paralajmëron hapa pozitiv në këtë temë, mirëpo shton se janë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojnë sigurinë e vendit.

Në anën tjetër, hapjen e urës së Ibrit e mirëpresin edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por theksojnë nevojën e koordinimit me aleatë, kurse kanë dyshime se ky vendim po merret për agjenda elektorale. Ndërkaq, analistët politikë kërkojnë nga qeveria që pa shumë zhurmë politike të hapë urën, përkundër që thonë se qëndrueshmëria e komunitetit serbë në veri nuk është siç ka qenë më herët.

Donika Gërvalla për kp nuk tregon se kur qeveria do të merr veprime për hapjen e urës, pasi thotë se në momentin kur do të ketë lëvizje qytetarët do t’i shohin.

“Edhe tema e urës edhe tema të tjera janë tema që duhet të trajtuar me seriozitet nga institucionet tona si nga ato lokale ashtu edhe ato qendrore. Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitiv, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë…Në momentin që do të ketë lëvizje ju do të jeni dëshmitarë të lëvizjeve dhe do t’i shihni”, thotë ajo.

Hapjen e urës së Ibrit që bashkon Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë dhe Mitrovicën e Veriut, të banuar me serbë e konsideron të nevojshme edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Megjithatë, ai ngreh dyshime se ky veprim po bëhet për agjenda elektorale. Pavarësisht kësaj, Tahiri kërkon koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për hapjen e urës, në mënyrë, siç thotë mos të ketë kthim prapa të këtij vendimi.

“Kur qeveria merr një veprim, pyetja e parë që shtrohet është për çka po e marrim këtë veprim. Cili është qëllimi? A është qëllimi para zgjedhjeve me i tregua popullit që po i bëjmë do veprime në veri pasi s’ka bërë asgjë. Apo me të vërtet është qëllimi me forcua integritetin dhe sovranitetin tonë në atë pjesë. Për me bërë këtë pjesë duhet me pas një bashkëpunim dhe bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillimisht…Ura duhet të hapet mirëpo kur të hapet ura shteti nuk guxon të kthehet prapa.

Unë nuk e kam problemin e hapjes së urës pasi duhet të hapet. Duhet me na ndihmua Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet të tjera që të hapet ura. Por unë kam problemin se këta marrin vendim për targa pastaj kthehen, marrin vendim për zgjedhje pastaj i organizojnë prapë. Unë e kam problem se me bërë me hap urën dhe me dal KFOR-i me thënë se s’bën me kalua andej, ku po mbet sovranitetin dhe integriteti”, deklaron Tahiri.

Ndërkaq, analisti politik, Dritëro Arifi, deklaron se s’pret as shumë presion të aleatëve ndërkombëtar për mos hapjen e urës së Ibrit, pavarësisht se vendet e QUNIT-it dhe KFOR-i kanë deklaruar se nuk është momenti që ura të hapet.

Ai thotë se hapja e urës së Ibrit është më shumë çështje humane dhe të drejtave të njeriut, andaj duhet t’i jepet drita e gjelbër.

“Qeveria e Kosovës duhet në heshtje që të bëjë këtë veprim, të hap urën por pa shumë zhurmë. Realisht presioni i madh që mund të ekzistojë nuk është siç ka qenë më parë, por edhe qëndrueshmëria e komunitetit serb nuk është siç ka qenë më parë. Në një mënyrë është një pozitë e favorshme por duhet të bëhet me hapa të kujdesshëm. Hapja e urës do të ndodh shumë shpejtë, sepse është më shumë një çështje humane dhe të drejtave të njeriut, se që krijon probleme. Mendoj se më shumë do të afrojë komunitetit serb që të integrojë në institucionet e Kosovës. Duhet me një vetëdijesim dhe bashkëpunim që kur të hapet ura mos të ketë protesta apo kundër efekt apo ndonjë notë verbale nga partnerët evropian”, thekson Arifi.

Revitalizimi i urës së Ibrit ishte paraparë në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 në Bruksel. Edhe pse 6 vjet më parë kanë përfunduar punimet me investime milionëshe të BE-së, ura vazhdon të jetë e mbyllur për veturat.

Pavarësisht kësaj, BE-ja ka deklaruar se nuk është momenti që ura të hapet për shkaqe të sigurisë.

Pikërisht sot janë bërë dhjetë vjet nga heqja e barrikadave mbi urën Ibër në Mitrovicë të vendosura nga strukturat paralele serbe.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit