Gaza – Ndërsa lufta vazhdon të lërë pas rrënoja, plagë dhe shkatërrim, në mesin e këtij realiteti të dhimbshëm shfaqen histori që dëshmojnë se lidhja e palestinezëve me Librin e Allahut mbetet e palëkundur.
Palestinezi Ebu Muhammed Mikdad ka zgjedhur një mision të veçantë: të mbledhë dhe të riparojë kopjet e Kur’anit që janë dëmtuar nga bombardimet izraelite ose janë nxjerrë nga rrënojat e shtëpive dhe xhamive të shkatërruara.
Për të, çdo Mushaf i dëmtuar nuk është thjesht një libër i grisur. Ai është një amanet që duhet ruajtur dhe nderuar.
“I mbledh mushafët që nxirren nga rrënojat e shtëpive dhe xhamive; mushafët që janë dëmtuar nga lufta dhe shkatërrimi ose janë konsumuar nga përdorimi i gjatë prej pronarëve të tyre”, thotë ai.
Në punishten e tij të thjeshtë, ai i pastron me kujdes, i rregullon faqet e dëmtuara, i qep përsëri dhe u rikthen dinjitetin, në mënyrë që të vazhdojnë të lexohen dhe të ruhen me respekt.
Ajo që e bën edhe më prekëse këtë histori është mënyra se si ai i pret njerëzit që i sjellin Mushafët.
“Kur dikush ma sjell një Mushaf, e pres me fjalët: ‘Je i mirëpritur, ke vend mbi kokën time’, dhe e mirëpres me kënaqësi.”
Ai nuk kërkon asnjë shpërblim për punën e tij.
“I riparoj mushafët pa marrë asnjë pagesë. E bëj këtë vetëm për hir të Allahut.”
Në një kohë kur shumë njerëz përpiqen të shpëtojnë jetën dhe të sigurojnë kafshatën e bukës, Ebu Muhammed Mikdad po përpiqet të shpëtojë edhe atë që për besimtarët ka vlerën më të madhe shpirtërore: Librin e Allahut.
Historia e tij dëshmon se lufta mund të shkatërrojë mure, shtëpi dhe xhami, por nuk mund ta shuajë dashurinë për Kur’anin. Nga rrënojat vazhdojnë të nxirren Mushafë të dëmtuar, ndërsa gjithmonë gjenden duar besnike që i mbledhin, i nderojnë dhe u japin jetë të re.
Ky është një shembull i rrallë i respektit ndaj Fjalës së Allahut dhe i përkushtimit të sinqertë që lind nga besimi, duke kujtuar se madhërimi i simboleve të Allahut është shenjë e devotshmërisë së zemrës.
“E kush madhëron simbolet e Allahut, atëherë kjo është prej devotshmërisë së zemrave.”
﴿وَمَن يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى الْقُلُوبِ﴾ (El-Haxh, 32).
Burimi: Agjencia Anadolu.
