7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ekonomitë e mbështetura në turizëm përballen me verën e dytë të vështirë të Covid

Më të lexuarat

Ekonomitë në zhvillim, që janë të varura nga turizmi, të cilat edhe përpara pandemisë po përballeshin me probleme financiare dhe borxhe të mëdha, po vlerësojnë kostot e rënies së dytë të njëpasnjëshme të verës, pasi përhapja e koronavirusit po i mban vizitorët larg, shkruan Financial Times.

Në pesë muajt e parë të këtij viti, mbërritjet ndërkombëtare globale ishin mesatarisht 85 për qind më pak, në krahasim me 540 milionë që arritën para-pandemisë në vitin 2019, sipas të dhënave të publikuara në korrik nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së. Kjo shifër është edhe më keq se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kur mbërritjet ishin mesatarisht 65 për qind më pak, me bazë vjetore.

Zona e Azisë u godit veçanërisht rëndë, me një rënie prej 95 për qind të mbërritjeve në krahasim me nivelet e vitit 2019-s, për shkak të mungesës së vazhdueshme të udhëtarëve kinezë. Në të kundërt, kthimi i turistëve amerikanë ka lehtësuar goditjen në Karaibe.

Rënia e të ardhurave nga turizmi në pjesën më të madhe të botës në zhvillim vjen ndërsa borxhet e qeverive po rriten, si rrjedhojë e përpjekjeve për të përballuar kostot e pandemisë. Borxhi mesatar i qeverisë në ekonomitë e mëdha në zhvillim u rrit nga 52.2 për qind e prodhimit të brendshëm bruto në 60.5 për qind në vitin 2020, sipas Institutit të Financave Ndërkombëtare – rritja më e madhe në histori.
Dëmi nuk është përhapur në mënyrë të barabartë. Disa ekonomi hynë në pandemi në formë më të mirë se të tjerat dhe janë më të afta të përballojnë stuhinë.

Kryeekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath, paralajmëroi në fillim të këtij viti se performanca ekonomike “po ndryshonte në mënyrë të rrezikshme, pasi ekonomitë me përhapje më të ngadaltë të vaksinave, mbështetje më të kufizuar të politikave dhe më shumë mbështetje në turizëm kanë ecuri më pak të mirë”.

Vendet më të rrezikuara, tha David Rogovic, analist i lartë në Moody’s Investors Service në Nju York, ishin “ekonomitë më të vogla, më pak të larmishme që hynë në pandemi me kushte të dobëta fiskale”. Luiz Eduardo Peixoto, ekonomist i tregjeve në zhvillim në BNP Paribas në Londër, tha se deri më tani ky vit ka qenë më i keq se sa ishte parashikuar vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar, vlerësohet se në 2021 do të shihnim një ri ngritje,” tha ai. “Por rënia [e numrave] vitin e kaluar ishte afër skenarit më pesimist nga Organizata Botërore e Turizmit, sepse nuk kishte një rimëkëmbje gjatë dimrit të [hemisferës veriore] – përkundrazi. Këtë vit, gjërat nuk po rimëkëmben. ”

Ai përmendi si shkaqe ritmin e ngadaltë të përhapjes së vaksinave në shumë vende në zhvillim dhe përhapjen e varianteve të reja të virusit, të cilat kanë penguar planet e vendeve për të lehtësuar kufizimet kufitare./FT

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit