20.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

E vërteta mbi Muhamedin dhe Ajshen

Më të lexuarat

Myriam Francois-Cerrah

Duke shkruar mbi Muhamedin, profetin e Islamit, orientalisti W Montgomery Watt shprehet: “Nga të gjithë burrat e mëdhenj të historisë, askush nuk është demonizuar aq sa Muhamedi”. Thënia e tij tingëllon akoma më aktuale në sfondin e filmit islamofob “Pafajësia e Muslimanëve”, që shkaktoi protesta nga Jemeni në Libi, dhe që mes të tjerave e përshkruan Muhamedin si pedofil.

Ky është një refren i përsëritur mes kritikëve të Islamit, prandaj nevojitet një analizë e kujdesshme.

Kritikët pretendojnë se Aishja ishte vetëm 6 vjeç kur u fejua me Muhamedin, që në atë kohë ishte 50 vjeç, dhe 9 vjeç kur u konsumua martesa. Ata e bazojnë këtë pretendim në një thënie të Aishes (Sahihu i Buhariut, volume 5, libri 58, numri 234) dhe debati mbi këtë çështje është ndërlikuar më tej nga fakti se disa muslimanë besojnë se ky është një detaj i saktë historik. Edhe pse shumica e muslimanëve s’do të pranonin të martonin vajzat e tyre 9-vjeçare, ata që e pranojnë këtë thënie, argumentojnë se përderisa Kur’ani shpall se martesa mund të lidhet vetëm me pëlqimin e dy të rriturve, Aishja duhet ta ketë arritur herët pjekurinë seksuale.

Në Arabinë e shekullit të VII-të, një person konsiderohej i rritur kur arrinte pjekurinë seksuale. (Kjo është më se e vërtetë dhe vlente edhe për Evropën. 5 shekuj pas martesës së Muhamedit me Aishen, mbreti Xhon i Anglisë, 33 vjeç, u martua me Izabelën e Angoulemës që ishte 12 vjeç.) Çuditërisht, asnjë nga kritikët e Muhamedit nuk u fokusua tek mosha e Aishes, sa ai ishte gjallë,.

Sipas këtij këndvështrimi, Aishja mund të ketë qenë e re, por nuk ishte më e re nga ç‘e kërkonte tradita e kohës. Muslimanë të tjerë vënë në dyshim faktin nëse Aishja ka qenë vërtet 6 vjeç në kohën e fejesës, duke u bazuar tek disa historianë që kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e moshës së Aishes siç përmendet në hadith. Në një shoqëri pa regjistër lindjesh dhe ku njerëzit nuk i festonin ditëlindjet, shumica e njerëzve hamendësonin mbi moshën e tyre dhe të tjerëve. Aishja s’mund të përbënte ndryshim! Për më tepër, Aishja kishte qenë e fejuar me dikë tjetër para se të martohej me Muhamedin. Kjo sugjeron se sipas standardeve të shoqërisë ku jetonte, ajo ishte mjaftueshëm e rritur për t’u martuar. Është e vështirë që ky fakt të mbështesë pretendimet se ajo ishte vetëm 6 vjeç.

Disa dijetarë islamë modernë kanë hedhur dyshime mbi vërtetësinë e thënies, ose hadithit që pohon moshën e re të Aishes. Në Islam, literatura e hadithit (thëniet e Profetit) kanë vlerë dytësore, pas Kur’anit. Ndërsa Kur’ani konsiderohet fjala e drejtpërdrejtë e Zotit, hadithet janë përçuar me kalimin e kohës sipas një metodologjie të kujdesshme, por jo të pagabueshme. Duke marrë për bazë të gjitha të dhënat që zotërojmë mbi moshën e Aishes në kohën e martesës, vlerësimet mbi moshën e saj luhaten nga 9 në 19 vjeç.

Për arsyet e sipërpërmendura është e pamundur të dimë me saktësi sa vjeç ishte Aishja. Ajo që dimë me siguri është pohimi i Kur’anit mbi martesën, sipas të cilit ajo është e vlefshme kur lidhet me vullnetin e dy të rriturve, dhe se gruaja ka të drejtë të zgjedhë bashkëshortin e saj. Si mishërim i Islamit, veprimet e Muhamedit reflektojnë mësimet e Kur’anit mbi martesën, edhe pse kjo nuk vlen për veprimet e disa muslimanëve.

Fatkeqësisht, në shumë vende, arsyet që motivojnë martesën e vajzave në moshë të re janë kryesisht ekonomike. Në vende të tjera janë politike. Fakti që Irani dhe Arabia Saudite janë përpjekur ta përdorin thënien e Aishes si argument për të justifikuar uljen e moshës ligjore për t’u martuar, tregon për natyrën shtypëse dhe patriakale të këtyre regjimeve, por asgjë për Muhamedin, ose natyrën e Islamit. Çirrjet e atyre që bazohen në interpretime literaliste duke paraqitur vizionin e tyre të ngushtë mbi Islamin ,nuk i ndihmojnë ata muslimanë që përpiqen të kundërshtojnë këto shpifje.

Përshkrimi islamofobik i martesës së Muhamedit me Aishen si e motivuar nga deviacionet seksuale, përputhet me përshkrimin orientalist të Muhamedit si flirtues. Kjo ide daton nga periudha e kryqëzatave. Sipas një akademiku, Kecia Ali: “Akuzat si njeri epshor dhe flirtues janë pjesë e zakonshme e sulmeve mesjetare ndaj karakterit të Profetit, dhe më gjerë, ndaj vërtetësisë së Islamit.”

Qëkurse të krishterët lëvduan Krishtin si model të virtytit të murgjërisë, Muhamedi, i cili ishte martuar disa herë, ishte i destinuar të udhëhiqej nga epshi. Ky portretizim injoron faktin se përpara martesës me Aishen, Muhamedi kishte qenë i martuar me Hatixhen, një biznesmene e fuqishme që ishte 15 vjet më e madhe se ai, për plot 25 vite. Vdekja e saj i shkaktoi vuajtje të thellë dhe miqtë e nxitën që të martohej sërish. Një e afërmja e tij i sugjeroi Aishen që ishte e zgjuar dhe e shkathët.

Martesa me Aishen do të betononte miqësinë e kahershme të Muhamedit me babanë e saj, Ebu Bekrin. Në traditën arabe (madje dhe në disa vend të botës sot), martesa kishte funksione politike dhe shoqërore. Ishte mënyrë për të bashkuar fiset, për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për t’u kujdesur për vejushat dhe jetimët, dhe përgjithësisht për të forcuar lidhjet në një mjedis politik dinamik dhe të paqëndrueshëm. Shumica e bashkëshorteve të Muhamedit ishin vejusha. Të shqyrtosh martesat e Profetit jashtë këtij konteksti është diletantizëm historik.

Dëshmitë historike tregojnë qartë se Muhamedi dhe Aishja kishin marrëdhënie dashurie dhe barazie, çka vendosi standardin për reciprocitet, butësi dhe respekt sipas frymëzimit kur’anor. Dëshmitë mbi marrëdhënien e tyre, fakti që pinin në të njëjtën gotë ose garonin me njëri-tjetrin, tregojnë për thellësinë e lidhjes së tyre dhe rrëzojnë çdo keqinterpretim.

Portretizim i Aishes si viktimë, nuk përputhet aspak me personalitetin e saj. Ajo nuk ishte femër e mënjanuar. Gjatë një beteje në historinë islame, ajo mori rolin e udhëheqëses së ushtrisë. Ajo shquhej për vendosmërinë dhe sensin e humorit, ndërsa pasojat e shakave të saj shpesh i “vuante” Muhamedi. Sa ishte gjallë, ai lartësoi autoritetin e saj duke u thënë muslimanëve që të konsultoheshin me të në mungesë të tij, dhe pas vdekjes së tij ajo u bë një nga dijetaret më të shquara të kohës.

Shtetare, dijetare, udhëheqëse dhe gjykatëse, Aishja kombinoi spirtualizmin, aktivizmin dhe dijet duke u shndërruar në model për gratë muslimane sot. Humnera mes trashëgimisë së saj të vërtetë dhe përshkrimeve islamofobe është jo vetëm historikisht e rreme, por përbën fyerje për kujtesën e një gruaje udhëçelëse.

Ata që manipulojnë historinë e saj për të justifikuar abuzimet me vajza të reja, dhe ata që e manipulojnë për ta paraqitur Islamin si fe që i legjitimon këto abuzime, kanë shumë më tepër të përbashkëta nga ç‘mendojnë. Të dy grupet injorojnë të vërtetat historike të kohës në të cilën Muhamedi jetoi, dhe faktin se jeta e saj ishte ilustrim i autonomisë femërore.

Burimi: theguardian.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit