DOKUMENTAR PËR JETËN E SHEJH SHENKITIUT

Më të lexuarat

Shejh Muhamed Emin Shenkitiu (1905 – 1974) është një nga dijetarët më me zë të shekullit të kalur, që ka lënë gjurmë në shumë lëmi të dijes. Shejhu ishte shembull i nxënësit të zellshëm dhe i mësuesit të përkushtuar. Në dallim nga shumë autorë të tjerë bashkëkohorë, librat e shejhut nuk ishin vetëm një përmbledhje dhe një riprodhim i të mëparshmes. Shejhu, me nivelin e tij të lartë në dije, arriti të nxjerrë në dritë me mjeshtëri vepra dhe punime të mrekullueshme.

Shejhu lindi dhe u rrit në krahinën e Shenkitit në Mauritani. Babai e la jetim që në vogëli dhe shejhu u edukua në shtëpinë e dajallarëve të tij, një shtëpi e njohur për dije dhe fetarizëm. Formimin e parë e morri pikërisht aty dhe më pas nga dijetarët e njohur të vendit të tij. Në fikh mësoi poemën e Ibën Ashirit në fikhun maliki dhe më pas edhe libra të tjerë, gjersa arriti të mësonte të plotë Përmbledhjen e Halilit e cila konsiderohet si libri bazë dhe më i avancuar te malikitë në kohën tonë.

Më pas shejhu morri rrugën e Mekës për të kryer haxhin dhe Allahu i kishte caktuar të jetonte në ato vende gjer në ndarjen nga kjo botë.

Në lëminë e tefsirit hartoi një nga tefsirët më të arrirë të shekullit të kaluar, me titull “Eduaul bejan”. Në këtë libër shejhu i komentoi ajetet e Kuranit bazuar në ajete të tjera, pra e komentoi Kuranin duke u bazuar në vetë Kuranin. Pikërisht, për këtë arsye, nuk i komentoi të gjitha ajetet e Kuranit por vetëm ato që i përshtateshin metodologjisë së librit. Në fushën e tefsirit, është përmbledhur edhe tefsiri disavëllimësh me titull “El adhbun nemir”. Ky tefsir është përmbledhur nga mësimet e regjistruara që shejhu i mbante në Xhaminë e Profetit në Medinën e Ndritur.

Në shkencën e usulit shpjegoi në dy vëllime poemën shkencore me titull “Merakis saud” të shejh Abdullah ibn Haxh Ibrahimit. Kjo poemë në shkencën e usulit përbëhet prej një mijë vargjesh. Shejh Muhamed Emin Shenkitiu e shpjegoi këtë poemë në Xhaminë e Profetit në Medinë, për vite me rradhë. Po në shkencën e usulit hartoi edhe një përmbledhje me titull “El mukaddimeh” në të cilën thjeshtësoi dhe sqaroi çështjet e librit të imam Ibën Kudame Makdesiut “Reudatun nadhir”.

Një nga librat më të bukur që më kanë rënë në dorë është edhe libri i shejhut në shkencën e logjikës, me titull “Adabul bahthi uel munadherah”. Megjithëse shejhu ka pasur mësues në shumë lëndë, mirëpo shkencën e logjikës, siç është shprehur edhe vetë, e ka mësuar autodidakt. Ky libër është një punim i mrekullueshëm që dëshmon për njohuritë e thella të shejhut. Sa herë që kam hasur ndonjë vështirësi gjatë mësimit të librave të ndryshëm në shkencën e logjikës, librin e shejhut e kam pasur për referencë kryesore, për shkak të qartësisë dhe përpikmërisë me të cilën shejhu i trajton çështjet.

Për më tepër mund të ndiqni dokumentarin e përgatitur. Në fakt dokumentari ishte shumë i gjatë dhe unë e përgjysmova. Fillimisht ideja ishte për një video njëzetminutëshe, por shkurtimi i mëtejshëm do ta gjymtonte shumë parqitjen. Shpresoj që shikuesit të më falin për ndonjë gabim në punim, sepse eksperienca ime në punime të tille nuk është kushedi çfarë. Megjithatë u mundova t’i paraqes publikut një video që shpresoj që do të marrë pëlqimin e tyre dhe do të hedhë dritë sadopak për jetën e këtij dijetari të madh.

Allahu e mëshiroftë shejhun me mëshirën e tij të gjerë dhe na bashkoftë ne bashkë me të në xhenetet e tij! Amin!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit