3.6 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

“Devolli” me oligarkët e vet ia mësyn edhe naftës

Më të lexuarat

Biznesi i paligjshëm, i favorizuar nga pushteti, pushton edhe segmentin e naftës?

Kompania e monopoleve aplikon për licencë të Trupës inspektuese 

Pasi e kanë shtrirë monopolin dhe dominimin e tyre të plotë, si për shembull në fushën e Terminaleve Doganore, duke privatizuar në mënyrë të paligjshme Fabrikën e Amortizatorëve, apo duke e shtrirë veprimtarinë e tyre në telefoninë celulare, nëpërmes kompanisë ‘Z Mobile’, vëllezërit Devolli ia kanë vërë syrin edhe biznesit të naftës.

Burime nga Shoqata e Naftëtarëve, që kanë folur në kushte anonimiteti, kanë njoftuar se tashmë vëllezërit Devolli po synojnë që të marrin nën kontrollin e tyre edhe sektorin e naftës në Kosovë. Sipas burimeve ata kanë aplikuar  në MTI për dhënien e një licence pune të Trupave inspektuese dhe një licence pune për laboratorë të analizave të derivateve të naftës.

Burimi nga Shoqata e Naftëtarëve i ka deklaruar gazetës “Kosova Sot” se kompania “Devolli”  tashmë ka aplikuar në MTI për leje pune të një Trupe inspektuese, me kërkesën e emërtimit “D-Inspekte”. “Në bazë të informacioneve tona, mësohet se ajo tashmë e ka kaluar procesin e akreditimit dhe me siguri tani pritet edhe ndonjë shpallje publike, për të cilën ajo do të autorizohet”, thotë burimi i gazetës.

MTI-ja mohon aplikimin

Sektori i importimit dhe shitjes së derivateve të naftës nga shoqëria civile dhe njohësit e ekonomisë informale konsiderohet të jetë njëri nga sektorët që më së shumti krijon informalitet në vend. Krerët e Shoqatës së Naftëtarëve, nëpërmes kryetarit Fadil Berjani, kanë njoftuar se vetëm 3 për qind e sasisë së derivateve të naftës që po importohet në Kosovë kontrollohet, derisa pjesa tjetër prej 97 për qind nuk kontrollohet fare.

Ndërsa, Vjollca Dibra, këshilltare për medie dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka mohuar se kompania ‘Devolli’ ka aplikuar për një licencë pune në këtë ministri për një leje pune të Trupave inspektuese dhe një leje pune për laboratorë të analizave të derivateve të naftës. Zyrtarja e MTI-së, Vjollca Dibra, tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka bërë shpallje për shprehje të interesit për autorizim të Trupave inspektuese dhe as autorizim të laboratorëve. Po ashtu, komisioni që udhëhiqet nga Departamenti i Industrisë, në bazë të dokumenteve të ofruara, përgatit raportin për dhënien apo jo të pëlqimit për autorizim.”Nuk është autorizuar deri më tani ndonjë operator ekonomik me titullin “Devolli”, tha ajo. 

Fajësohet shteti i kapur.

Ndërsa, lidhur me dominimin e grupeve të caktuara në sferën e biznesit, e në veçanti ato që është duke i bërë kompania “Devolli”, janë prononcuar dy njohës të sferës së ekonomisë, të shkolluar në Perëndim. Isa Mulaj, ekspert i ekonomisë, i shkolluar në Britani, thotë se fajet për monopolet në Kosovë i ka Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.”Me këtë gjendje të një lloj gjysmështeti privat ose në terminologjinë, e cila po bëhet popullore, “institucione të kapura”, trendët e monopoleve do të vazhdojnë sektor pas sektori, sepse kështu është instaluar sistemi i qeverisjes”, tha Mulaj.

Ai shtoi se licencat për importin e mallrave të caktuara nuk mund t’u lëshohen subjekteve që i plotësojnë kriteret e përcaktuara pa e shikuar efektin që do të ketë në treg dhe konkurrencë. Mulaj tha se duhet të kemi parasysh se aktorët në shumicën e institucioneve të Kosovës janë kryesisht militantë partiakë, të cilëve pikë së pari u intereson interesi i tyre individual, grupor, dhe partiak, e më së paku përpjekjet për krijimin e ndonjë konkurrence, për çka edhe janë të ngarkuar, jo vetëm në analizën e derivateve të naftës, por edhe në të gjithë sektorët e tjerë.

Lidhjet klienteliste për marrjen e licencave.

 Xhevat Meha, ekspert financash, vlerësoi se në lidhje me marrjen e licencave nga kompania “Devolli” këto praktika sigurisht ndodhin në mjedisin e të bërit biznes, i cili për shumë vite rresht paraqitet në raportet ndërkombëtare me shkallë të lartë të korrupsionit. “Në tregun e derivateve të naftës ka shuma të mëdha parash.

Aty ku janë në qarkullim shuma të mëdha parash ato janë tërheqëse për zyrtarë të lartë të shtetit për të ndërhyrë për përfitime të veta”, tha ai. “Licencat jepen nga institucione që me ligj janë të pavarura, mirëpo këto institucione udhëhiqen nga individë të përzgjedhur nga politika si të dëgjueshëm”, u shpreh Meha. Sipas tij,”këto institucione veprojnë sipas porosive të atyre që i kanë përzgjedhur, që në këtë rast janë zyrtarë të lartë të shtetit”./K.S/.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit