8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Depresioni i Madh, i ngulitur në ADN-në e të lindurve atë kohë

Më të lexuarat

Fëmijët e lindur gjatë Depresionit të Madh të periudhës ndërmjet luftërave (1929-1939), më i keqi në historinë moderne, tregojnë pasojat e ngulitura në ADN-në dhe qelizat e tyre deri më sot, në formën e biomarkerëve të plakjes më të shpejtë, tregon një studim shkencor amerikan.

Depresioni i Madh, i cili la të papunë deri në një të katërtën e fuqisë punëtore në SHBA, duket se ka pasur një ndikim biologjik në mënyrën se si njerëzit plaken. Shkencëtarët zbuluan se qelizat edhe të njerëzve që as nuk kishin lindur, por ishin ngjizur gjatë Depresionit të Madh, më vonë treguan shenja të plakjes më të shpejtë.

Studimi, i udhëhequr nga Lorin Schmitz nga Universiteti i Wisconsin-Madison, i cili u botua në revistën e Akademisë Kombëtare të Shkencave të SHBA (PNAS), sipas “Nature”, u bazua në regjistrimin e ndryshimeve në të ashtuquajturat “epigjenomi i qelizave”, domethënë grupi i shënuesve kimikë të lidhur me ADN-në që ndikojnë kur, ku dhe si do të shprehen gjenet në secilën qelizë.

Studimet e mëparshme kanë treguar se përvoja e krizave ekonomike dhe të tjera të rënda nga njerëzit (luftërat, uria, epidemitë, ndotja, etj.), të cilat rezultojnë në stres të madh gjatë fazave fillestare të zhvillimit njerëzor, madje edhe në fazën e embrionit, mund të ndikojë shëndetin e tij për dekada më pas. Ngjarjet e mëdha historike lënë një gjurmë në epigjenom dhe, si rrjedhojë, ndikojnë në vetë gjenomin njerëzor.

Studimi i ri tregon se ndikimi i Recesionit të Madh është ende duke u ndjerë në trupat e njerëzve shumë të moshuar dhe se, siç tha Patrick Allard nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA), “është padyshim diçka që do të jetë në tekstet shkollore në një moment”.

Një embrion merr nga prindërit udhëzimet gjenetike për zhvillimin e tij, por gjatë rrugës një sërë faktorësh (mjedisi, ushqimi, hormonet etj.) ushtrojnë ndikimin e tyre epigjenetik që ndikon ndjeshëm nëse dhe si do ta kryejnë qelizat potencialin e tyre gjenetik. Këto efekte, siç tregon hulumtimi i ri, mund të zgjasin gjatë gjithë jetës.

Duke krahasuar biomarkerët e plakjes në 832 njerëz të lindur gjatë viteve 1930, u zbulua se ata të lindur në ato shtete që ishin goditur më shumë nga Depresioni (papunësia dhe rënia e pagave ishin më të mëdha) ishin ata qelizat e të cilëve dukeshin më të vjetra. Qelizat ishin dukshëm më të reja te njerëzit e lindur në zonat e SHBA-së që ishin kursyer nga më e keqja e Depresionit të Madh.

Studiuesit pranuan se është e vështirë të përcaktohen mekanizmat e saktë biologjikë me të cilët një recesion i rëndë ngulitet në trup dhe e plak më shpejt./tesheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit