Thirrja për tek Allahu është një lëvizje e gjallë, ku ndërthuren mendjet, afrohen zemrat dhe ndërveprojnë rrethanat. Ajo i nënshtrohet ligjeve hyjnore të pandryshueshme, të cilat nxjerrin në pah sinqeritetin e brendshëm për ta ndryshuar realitetin e jashtëm.
Davetit nuk është një slogan që shqiptohet nga gjuha për t’u dëgjuar nga veshi, e as një mall që përcillet në një rrugë të drejtë nga folësi te dëgjuesi.
Kurani Fisnik e vendosi themelin e kësaj ndërtese madhështore kur Allahu i Lartësuar urdhëroi:
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë.” (En-Nahl, 125)
Urtësia këtu nuk është vetëm zgjedhje e fjalëve të duhura, por është një kuptim gjithëpërfshirës i mënyrës së komunikimit, njohje e atij që thirret, si dhe largpamësi ndaj kohës, rrethanave dhe kontekstit.
Ky proces madhor ndërtohet mbi tre shtylla.
Shtylla e parë: Thirrësi (Daiu)
Në të vërtetë, ai nuk është një altoparlant që përcjell ftohtë mesazhin. Ai është fillimi i procesit dhe njëkohësisht lajmi i tij; është vendi i parë ku lind ndikimi dhe prej nga buron ndikimi mbi të tjerët.
Forca e fjalës së tij nuk buron nga bukuria e zërit, por nga pastërtia e asaj që ai ka mbjellë së pari në vetveten e tij, si dhe nga mënyra e mirë me të cilën jeton dhe sillet me ata që i fton.
Prandaj Kurani i qorton ata që harrojnë vetveten:
“A i urdhëroni njerëzit për mirësi, ndërsa harroni veten tuaj?” (El-Bekare, 44)
Fjala, nëse lind nga një zemër bosh prej realitetit të saj, lind e vdekur, pa shpirt dhe pa ndikim.
Pejgamberi ﷺ e ilustroi këtë gjendje me një shembull që e trondit ndërgjegjen:
“Shembulli i atij që ua mëson njerëzve të mirën, ndërsa harron veten e tij, është si fitili: u jep dritë njerëzve, ndërsa djeg vetveten.”
(Sahih el-Xhami’)
Ndikimi nuk ka qenë kurrë fryt i mjeshtërisë së të folurit, i shkëputur nga sinqeriteti i gjendjes.
Prandaj udhëzimi praktik dhe sjellja e Pejgamberit ﷺ me shokët e tij ishin më elokuente se vetë hutbet e tij, sepse ai ishte një “Kuran që ecte mbi tokë.”
Shtylla e dytë: I thirruri (Med’uv)
Gabojmë rëndë nëse e konsiderojmë atë një tokë të zbrazët ku mund të hidhen farat pa kriter.
Ai është një qenie njerëzore me strukturë të ndërlikuar, ku ndërthuren ndjenjat, përvojat dhe qëllimet.
Kurani e përcaktoi qartë mënyrën e trajtimit të këtij kompleksiteti njerëzor duke thënë:
“Kujtoji, sepse ti je vetëm kujtues. Ti nuk je mbikëqyrës mbi ta.” (El-Gashije, 21–22)
Kështu u përcaktua detyra e davetxhiut: të kujtojë, ndërsa iu ndalua imponimi.
Fortesat e zemrës njerëzore nuk pushtohen me forcë e as nuk hapen me dhunë; ato fitohen me butësi.
Nga ky kuptim profetik buron fjala e Pejgamberit ﷺ:
“Ju jeni dërguar për ta lehtësuar, e jo për ta vështirësuar.”
Lehtësimi këtu nuk është një teknikë komunikimi, por një kuptim i thellë i natyrës njerëzore, e cila largohet nga ashpërsia dhe afrohet me butësinë.
Sa i vërtetë është edhe hadithi tjetër:
“Butësia nuk gjendet në asnjë gjë veçse e zbukuron atë.”
Kur fjala del nga thellësia e zemrës së thirrësit, ajo bie në thellësinë e zemrës së të thirrurit. Por nëse mbetet vetëm në buzë, nuk kalon përtej veshëve.
Në thelb, daveti është takim shpirtrash dhe jo përplasje fjalësh.
Shtylla e tretë: Fusha e davetit
Ajo nuk është një skenë e heshtur që vetëm vëzhgon ngjarjet, por një faktor shoqëror aktiv që imponon logjikën dhe kontekstin e vet.
Kurani tërheq vëmendjen për ndikimin e ambientit në refuzimin e thirrjes:
“Sa herë që kemi dërguar paralajmërues në ndonjë vendbanim, pasanikët e tij kanë thënë: ‘Ne i gjetëm të parët tanë në këtë rrugë dhe ne po i ndjekim gjurmët e tyre.’(Ez-Zuhruf, 23)
Shpesh ambienti e refuzon të vërtetën jo për mungesë argumentesh, por për shkak të rrënjosjes së zakoneve dhe modeleve të trashëguara.
Prandaj edhe metodologjia profetike ndryshonte sipas rrethanave.
Fjalimi i tij në Mekën e zhytur në idhujtari nuk ishte i njëjtë me fjalimin në Medinen që po ndërtonte shtetin islam.
Sjellja e tij me beduinin e ashpër nuk ishte si ajo me dijetarin e urtë.
Ndërveprimi i këtyre tre shtyllave
Në këtë ndërthurje të mrekullueshme shfaqet filozofia e vërtetë e ndikimit.
Thirrësi ndikon me sinqeritetin dhe fuqinë e mesazhit.
I thirruri ndikohet sipas gatishmërisë së tij.
Ndërsa ambienti përcakton ritmin e kësaj lëvizjeje.
Pastaj këto elemente fillojnë të ndikojnë edhe mbi njëri-tjetrin.
Thirrësi piqet nga përvoja me njerëzit dhe rinovon ligjërimin e tij.
Ambienti ndryshon gradualisht nga grumbullimi i ndikimeve.
Kështu realizohet ligji hyjnor:
“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata ta ndryshojnë vetveten.” (Er-Ra’d, 11)
Çlirimi nga iluzioni i kontrollit
Një nga kuptimet më të thella që duhet të rrënjoset në zemrën e çdo reformatori është se ndikimi nuk nënkupton pushtimin e mendjeve.
Ai është vetëm përgatitje e shpirtit që ta zbulojë vetë të vërtetën, hap pas hapi.
Për këtë arsye, Allahu ia rezervoi Vetes udhëzimin e zemrave, madje edhe Pejgamberit ﷺ iu tha:
“Ti nuk mund ta udhëzosh atë që e do, por Allahu udhëzon kë të dojë.” (El-Kasas, 56)
Kur davetxhiu e kupton këtë të vërtetë, ai çlirohet nga iluzioni i kontrollit dhe nga obsesioni për rezultatet.
Ai bëhet shërbëtor besnik i parimit, jo sundues i fateve të njerëzve.
Përfundim
Në thelbin e tij, daveti nuk është garë oratorësh dhe as përplasje fjalësh.
Ai është një proces i rëndë i ndërtimit të njeriut.
Ky proces nuk ngrihet veçse mbi bashkimin e tre elementeve:
* Sinqeritet dhe formim i mirë i thirrësit.
* Gatishmëri dhe hapje e zemrës së të thirrurit.
* Kuptim i thellë i realitetit dhe i fushës së veprimit.
E mbi të gjitha këto qëndron ndihma dhe suksesi që vjen prej Allahut.
Vetëm atëherë ndikimi shndërrohet nga fjalë kalimtare që tregohen, në realitete të gjalla që jetohen; dhe përpjekjet e shpërndara kthehen në një ndërtim qytetërues islam që shtrihet në kohë dhe hapësirë.
Allahu ka urtësitë dhe caktimet e Tij në krijimin e Vet.
Hasen Abbas
