Zyrtari në Shtëpinë e Bardhë hetohet për baste mbi fjalimet e presidentit
Një operator i teleprompterit të Shtëpisë së Bardhë po hetohet nga autoritetet amerikane, pasi dyshohet se ka përfituar nga qasja e tij në fjalimet e presidentit Donald Trump për të vendosur baste mbi përmbajtjen e tyre, duke fituar në mënyrë të paligjshme më shumë se 100 mijë dollarë.
Sipas hetimeve, Gabriel Perez, i cili punonte me teleprompterin presidencial, kishte mundësi të njihte paraprakisht tekstet e fjalimeve të Trump, dhe në disa raste, merrte pjesë edhe në ndryshimet që presidenti kërkonte t’u bënte atyre deri në minutat e fundit.
Prokurorët dyshojnë se ai e ka shfrytëzuar këtë informacion konfidencial për të parashikuar me saktësi fjalët ose temat që Trump do të përdorte në daljet e tij publike.
Bastet dyshohet se janë vendosur në Kalshi, një platformë e njohur e tregjeve parashikuese (prediction market), ku përdoruesit mund të vënë baste jo vetëm për aktivitete sportive, por edhe për zgjedhje, ngjarje ekonomike, vendime politike dhe madje edhe për përmbajtjen e fjalimeve publike.
Sistemi i monitorimit të Kalshi identifikoi një seri bastesh të pazakonta dhe, në muajin mars, ia referoi rastin Commodity Futures Trading Commission (CFTC), agjencisë federale amerikane që mbikëqyr këtë sektor.
Rregullorja e platformës ndalon shprehimisht përdorimin e informacionit të marrë përmes detyrës zyrtare për të siguruar përfitime nga bastet. Pas sinjalizimit, llogaria e Perez u pezullua, ndërsa autoritetet federale nisën hetimet.
Ai është marrë tashmë në pyetje të paktën një herë. Sipas CFTC-së, Perez ka vendosur baste për një periudhë rreth tremujore, përfshirë edhe një fjalim të Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, gjatë muajit janar.
Gabriel Perez nuk është një emër i ri në administratën Trump. Ai kishte punuar me presidentin edhe gjatë mandatit të tij të parë dhe konsiderohej pjesë e stafit që përgatiste teleprompterin dhe përditësonte tekstet sipas kërkesave të presidentit, shpesh pak çaste para se ai të dilte në skenë.
Rasti ka rikthyer në qendër të debatit popullaritetin në rritje të tregjeve parashikuese. Në vitet e fundit, platforma si Kalshi dhe Polymarket kanë tërhequr miliona përdorues, të cilët mund të vënë baste për pothuajse çdo ngjarje të ardhshme, nga rezultatet sportive dhe zgjedhjet politike deri te vendimet e bankave qendrore apo deklaratat e liderëve botërorë.
Megjithatë, zgjerimi i këtyre platformave ka ngritur shqetësime serioze për përdorimin e informacionit të privilegjuar (insider trading), si dhe për përputhshmërinë e tyre me ligjet mbi lojërat e fatit.
Për këtë arsye, disa vende kanë ndaluar funksionimin e tyre. Në Itali, për shembull, bastet në Kalshi dhe Polymarket nuk lejohen. Nuk është hera e parë që një çështje e tillë përfundon në hetim.
Në muajin prill, një ushtar i forcave speciale amerikane u arrestua pasi dyshohej se kishte përdorur informacione sekrete për të vendosur baste në Polymarket mbi datën e një operacioni për rrëzimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka reaguar menjëherë ndaj rastit. Zëdhënësja Karoline Leavitt bëri të ditur se presidenti Donald Trump ka vendosur ta pezullojë Gabriel Perez nga detyra, duke e cilësuar çështjen “një turp”.
Po ashtu në fund të muajit mars, administrata presidenciale shpërndau një udhëzim të brendshëm për stafin, ku i paralajmëronte punonjësit të mos përdornin informacione konfidenciale për të përfituar në tregjet parashikuese.
Rasti i Perez mund të jetë prova e parë e rëndësishme që do të testojë efektivitetin e këtyre masave dhe kufijtë ligjorë të një industrie që po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shtetet e Bashkuara. \tesheshi.com\
