Çka është hajdi (menstruacionet) dhe cilat janë dispozitat islame për të?

Më të lexuarat

Përkufizimi i hajdit
Hajd ose menstruacion në kuptimin gjuhësor të gjuhës arabe do të thotë “rrjedhje”. Me këtë term, në terminologjinë e sheriatit islam, nënkuptojmë ciklin mujor të gjinisë femërore që rrjedh në kohë të caktuar. Pra, menstruacionet janë gjak që del nga mitra në kohë të caktuar kur femra arrin moshën e pjekurisë.


Kohëzgjatja dhe kufijtë e hajdit
Periudha më e shkurtër e pastërtisë (pa menstruacione) është 15 ditë sipas shumicës së dijetarëve, sepse disa të tjerë kanë thënë se është 13 ditë. Në bazë të mendimit të shumicës së dijetarëve, hajdi nuk shfaqet para moshës nëntë vjeçare. Andaj, nëse vërehet gjak më herët, kjo do të jetë nga ndonjë shkaktar tjetër.


Dallimi mes hajdit dhe istihadës
Gjaku i menstruacioneve dallon nga ai i istihadës prej karakteristikave të mëposhtme:

  1. Ngjyra e gjakut menstrual është i zi (i kuq i errët), ndërsa gjaku i istihadës është i kuq.
  2. Gjaku i menstruacioneve është i trashë dhe i rëndë, ndërsa gjaku i istihadës është i hollë.
  3. Gjaku i menstruacioneve ka erë të rëndë, ndërsa gjaku i istihadës jo, pasi vjen nga një venë e zakonshme.
  4. Gjaku i menstruacioneve nuk mpikset kur del nga trupi, ndërsa gjaku i istihadës po, pasi del nga një venë e zakonshme.

Ngjyrat e mundshme të hajdit
Ngjyra e gjakut të menstruacioneve mund të jetë e ndryshme tek femrat e ndryshme. Ato janë:

  1. Ngjyra e errët
  2. Ngjyra e kuqe
  3. Ngjyra e verdhë (si qelbin që e ka mbizotëruar ngjyra e verdhë)
  4. Ngjyra e përzier mes të zezës dhe të bardhës, pra si e turbullt, si uji i pistë

Të gjitha këto ngjyra mund të dallohen fare lehtë nga gjaku i zakonshëm, përveç kur gjaku i hajdit del i kuq, sepse edhe ai i zakonshmi është i kuq. Mirëpo prapë mund t’i dallosh. E nëse nuk mundesh, atëherë e dallon nëpërmjet erës dhe nëpërmjet karakteristikave të tjera, sepse gjaku i hajdit gjithnjë ka erë të vetën që dallohet nga gjaku normal.


Hajdi si shenjë e pubertetit dhe ndikimi në adhurime
Hajdi (menstruacionet) janë edhe shenjë për hyrjen në moshën e pubertetit. Gjatë kohës së menstruacioneve ka rregulla të veçanta përsa i përket:

  • Namazit
  • Agjërimit
  • Tavafit rreth Qabes

Kohëzgjatja e hajdit sipas sheriatit
Për sa i përket kohës më të shkurtër dhe kohës më të gjatë të hajdit, nuk ka diçka të caktuar me argument. Mendimi më i saktë i dijetarëve është se nuk ka një minimum ose maksimum të caktuar. Kur ky gjak me cilësitë e veta të dallueshme është i pranishëm, atëherë është menstruacion, qoftë ky gjak në sasi të madhe ose të vogël.


Llojet e femrave sipas rregullsisë së ciklit
Femrat janë dy llojesh:

  1. Femrat që i kanë ditët e hajdit të rregullta për çdo muaj.
  2. Femrat që i kanë të çrregullta.

Për ato që i kanë të rregullta:
Nëse i zgjasin veç 6 ditë dhe pas një kohe sheh se ditën e shtatë i ka dalë prapë gjak, ajo e llogarit hajdin veç gjashtë ditë dhe çfarë është më tepër konsiderohet istihada. Femra e pastron atë gjak për momentin, merr abdes dhe falet.

Për ato që i kanë të çrregullta:
Mund ta dallojë gjakun e hajdit nëpërmjet ngjyrave dhe erës së përmendur më sipër. Nëse shikon gjak normal që nuk i ngjan gjakut të hajdit, ajo quhet istihada.


Rrjedhja e gjakut gjatë ciklit
Nuk është kusht që gjakderdhja gjatë kohës së hajdit të jetë e vazhdueshme, p.sh.:

  • Mund të ketë 1 ditë gjakderdhje
  • Ditën tjetër më pak ose fare
  • Pastaj ditën tjetër përsëri

Dispozitat e femrës gjatë ciklit menstrual

  1. Nuk e ka obligim namazin.
  2. E ka haram të agjërojë muajin e Ramazanit, por ato ditë duhet t’i zëvendësojë më vonë (i bën kaza).
  3. Nuk i lejohet leximi i Kur’anit dhe nuk i lejohet ta prekë atë.
  4. Burrit nuk i lejohet kontakti intim me bashkëshorten gjatë kësaj kohe.

“Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: ‘Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen…” [Kur’an, 2:222]

Të gjithë dijetarët janë të mendimit se burrit i lejohet prekja e gruas në këtë gjendje mbi kërthizë dhe nën gjunj për shkak të kënaqësisë.

  • Shumica e tyre e ndalojnë kënaqësinë në pjesën ndërmjet kërthizës dhe gjunjëve.
  • Disa të tjerë mendojnë se edhe kjo është e lejuar.

Muhamedi (alejhi selam) ka deklaruar: “Bëni ç’të dëshironi pos marrëdhënies seksuale.”
Transmeton Muslimi, Ebu Davudi dhe të tjerët.

  1. Nuk lejohet të qëndrojë në xhami.
  2. Nuk bën tavaf.
  3. Nuk divorcohet.

Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndau gruan e tij kur ajo ishte me menstruacione, por Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, e urdhëroi ta kthente dhe ta mbante derisa të pastrohej.
Përzgjedhur nga Muslimi.


Pastrimi pas hajdit
Kur femra pastrohet nga cikli dtth i mbaron cikli:

  • Duhet të lahet (të marrë gusël)
  • Më pas mund të ketë kontakt intim me burrin e saj

“…E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu…” (Bekare, 222)

Nëse sheh ngjyrë të verdhë ose të turbullt pas pastrimit, nuk e merr në konsideratë, bazuar në thënien e Umu Atijes:

“Nuk e merrnim në konsideratë të verdhën apo të turbulltën pas pastrimit.”
Përzgjedhur nga Buhariu.

Ndërsa gjatë ditëve të menstruacioneve, nëse shihen këto ngjyra, atëherë janë menstruacione. Kështu që:

  • Nuk lahet(merr gusëll)
  • Nuk falet
  • Nuk agjëron

 

/Shkruar nga Eglantina Muça/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit