Libri i ri zbulon paralajmërimin e fortë të Trump ndaj Netanyahut
Një libër i ri i shkruar nga gazetarët e New York Times, Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, pretendon se Donald Trump ka shpërthyer ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë negociatave për armëpushimin në Gaza në vitin 2025, duke i bërë një paralajmërim të ashpër që të mos sabotojë marrëveshjen e mbështetur nga SHBA.
Libri “Regime Change: Inside the Imperial Presidency of Donald Trump” (Ndryshimi regjimi: Brenda presidencës perandorake të Donald Trump), merret me vitin e parë të mandatit të dytë të Trump dhe rolin e administratës së tij në përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, që synonte t’i jepte fund luftës në Gaza.
Sipas fragmenteve të publikuara, gjatë një telefonate të tensionuar ku morën pjesë edhe këshilltarët e lartë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, Trump thuhet se i është drejtuar Netanyahut me fjalë të ashpra: “Të gjithë janë të lodhur nga ti Bibi. Të gjithë hebrenjtë janë të lodhur nga ti. Edhe dy hebrenjtë në këtë telefonatë janë të lodhur nga ti…”.
Sipas raportimeve, kjo bisedë ka ndodhur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2025, në një periudhë kur Trump po lobonte për një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës dhe për të rindërtuar Gazën.
Në atë periudhë, Izraeli sapo kishte kryer një sulm ajror në Katar, duke synuar drejtues të Hamasit që ndodheshin atje për negociata. Sulmi nuk arriti të eliminonte figurat kryesore, por shkaktoi viktima të tjera dhe një roje sigurie nga Katari.
Pas këtij incidenti, Katari u tërhoq nga roli i ndërmjetësit në negociata. Libri nuk sqaron nëse zemërimi i Trump ishte i lidhur drejtpërdrejt me këtë sulm. Gjithsesi, raportimet për këtë telefonatë pasqyrojnë një përkeqësim të dukshëm të marrëdhënieve mes Trump dhe Netanyahut, veçanërisht për shkak të marrëveshjes SHBA-Iran dhe operacioneve ushtarake në rajon.
Libri gjithashtu pretendon se Witkoff dhe Kushner e kishin paralajmëruar shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, se Netanyahu mund të përpiqej të telefononte Trumpin për të prishur planin e paqes në Gaza.
Për këtë arsye, zyrtarët amerikanë vendosën t’i mbanin ata në linjë gjatë telefonatës me kryeministrin izraelit. Sipas librit, Trump reagoi ashpër që në fillim të bisedës: “Nuk mund të tërhiqesh nga kjo marrëveshje. Unë jam miku më i mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë. Të gjithë të urrejnë, por unë të kam mbështetur. Kjo është një marrëveshje e madhe për Izraelin”.
Në një fragment tjetër thuhet se Trump e kishte quajtur Netanyahun “mashtrues” gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë.
Sipas autorëve, presioni amerikan e detyroi Netanyahun të pranonte marrëveshjen, dhe vetëm dy ditë më vonë të dy liderët dolën në një konferencë të përbashkët për të treguar unitet publik.
Armëpushimi në Gaza hyri në fuqi më 10 tetor 2025. Në fazën e parë u realizuan shkëmbime të të burgosurve, rritje e ndihmës humanitare dhe tërheqje e pjesshme e forcave izraelite nga disa zona.
Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, raportimet tregojnë se sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar në mënyrë pothuajse të përditshme, ndërsa hyrja e ndihmave humanitare mbetet e kufizuar. \tesheshi.com\
