Me rritjen e tensioneve në rajon për shkak të përplasjes ushtarake mes Iranit dhe “Izraelit” mëngjesin e 13 qershorit, çështja e bazave amerikane në Lindjen e Mesme është rikthyer në vëmendje, mes paralajmërimeve të drejtpërdrejta iraniane për goditjen e këtyre bazave nëse ato shndërrohen në platforma sulmuese kundër Teheranit.
Ndërkohë që Uashingtoni riafirmon angazhimin e tij të “pakushtëzuar” për sigurinë e “Tel Avivit”, vëmendja përqendrohet te gjeografia ushtarake që Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar në zemër të Gjirit.
Ndryshime në ekuilibrin e forcës – Bazat amerikane nën lupë
Përballë mundësisë së përhapjes së luftës, burime ushtarake iraniane, të cituara nga agjencia “Fars”, paralajmëruan se reagimi iranian mund të përfshijë të gjitha bazat amerikane në rajon, nëse ato përdoren për të goditur territorin iranian. Kjo deklaratë, megjithëse jo e re në tonin e saj, vjen në një moment tepër delikat, duke ngjallur një pyetje të ngutshme: A mund të mbeten bazat amerikane në Gjirin Persik jashtë ndikimit të konfliktit?
Bazat që shtrihen nga Doha në Dhafra – Prani amerikane ndërkufitare
Forcat amerikane janë të shpërndara në vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe që datojnë më shumë se tridhjetë vjet më parë. Këto marrëveshje u japin ushtrisë amerikane lehtësira të gjera logjistike, përfshirë përdorimin e aeroporteve, porteve, hapësirës ajrore, depove të armëve dhe qendrave të komandës dhe kontrollit – duke i kthyer këto baza në pjesë kyçe të operacioneve ushtarake amerikane në të gjithë botën.
Vlerësohet se mbi 30 mijë ushtarë amerikanë ndodhen në mënyrë të përhershme në rajon, të shpërndarë në baza të mëdha dhe qendra mbështetëse ushtarake në Katar, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Bahrein dhe Oman.
Katar – Thellësia strategjike e Uashingtonit në Gjirin Persik
Baza ajrore e Al Udeid në Katar është objekti më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Ajo strehon rreth 13 mijë ushtarë dhe përfshin qendra komanduese ajrore dhe të përbashkëta, depo armësh dhe pistën më të gjatë për uljen e avionëve në rajon.
Marrëdhënia mbrojtëse ndërmjet Dohës dhe Uashingtonit daton në vitin 1992, ndërsa baza Al Udeid hyri në përdorim zyrtar në vitin 2002, duke u bërë sot qendra kryesore e operacioneve amerikane në rajon, përfshirë luftën kundër ISIS-it dhe Al-Kaedës.
Kuvajti – Bazë për dislokim dhe tërheqje
Që nga çlirimi i Kuvajtit në vitin 1991, marrëdhëniet ushtarake me SHBA-të janë forcuar nëpërmjet një marrëveshjeje mbrojtëse që lejon dislokimin e mijëra trupave amerikane.
Baza kryesore përfshijnë:
Baza e Arifjanit: Qendra kryesore e komandës tokësore amerikane.
Baza ajrore Ali Al Salem: Për operacione transporti dhe dislokimi.
Kampi Doha: Komandë gjatë Luftës në Irak.
Baza e Buehring: E pajisur me radarë të avancuar.
Në Kuvajt ndodhen aktualisht rreth 13 mijë trupa amerikane.
Emiratet e Bashkuara Arabe – Portë për operacione ajrore dhe detare
Baza ajrore e Al Dhafra në Abu Dhabi është një pikë kyçe për operacionet ajrore të SHBA-së. Vlerësohet se rreth 5 mijë ushtarë amerikanë ndodhen në Emirate. Përveç Dhafrës, ekzistojnë edhe baza detare si:
Porti Jebel Ali: Mbështetje për aeroplanmbajtëset.
Baza e Fujairahut: Mbështetje alternative në rast të mbylljes së ngushticës së Hormuzit.
Këto baza kanë pasur një rol logjistik kyç në luftërat në Afganistan dhe Siri.
Arabia Saudite – Partneritet i kufizuar nga politika
Pas një tërheqjeje të pjesshme në vitin 2003, prania amerikane në Arabinë Saudite është rikthyer në një nivel të kufizuar me rreth 2,700 trupa. Ata angazhohen në trajnime dhe mbështetje mbrojtëse, pa u përfshirë drejtpërdrejt në operacione luftarake.
Bazat kryesore janë:
Baza ajrore e Princit Sultan
Baza ajrore e Iskanit
Koordinimi përqendrohet në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe monitorimin e hapësirës ajrore.
Bahreini – Baza e Flotës së Pestë Amerikane
Që nga viti 1948, Bahreini ka qenë i lidhur me praninë detare të SHBA-së dhe sot është selia e Flotës së Pestë. Bazat kryesore përfshijnë:
Baza detare e Juffair: Komanda detare.
Baza ajrore Sheikh Isa
Baza ajrore Muharraq
Bahreini strehon afërsisht 9 mijë trupa amerikane.
Omani – Qetësi politike dhe lehtësira të gjera
Megjithëse me një qëndrim politik të rezervuar, Omani nënshkroi një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-në në vitin 1980, e cila lejon aksesin amerikan në 24 objekte ushtarake.
Bazat kryesore janë:
Baza ajrore Masirah
Baza ajrore Thumrait
Baza ajrore Al Musannah
Rreth 600 trupa amerikane ndodhen aty, në pika strategjike për monitorimin e lundrimit në Detin Arabik.
A do të përfshihen bazat amerikane në luftë?
Nuk mund të shihet prania e bazave amerikane në Gjirin Persik jashtë dinamikave të reja gjeopolitike. Ndërmjet partneriteteve me shtetet e Gjirit dhe angazhimeve mbrojtëse ndaj Izraelit, këto baza ndodhen në një udhëkryq të ndjeshëm.
A do të shndërrohen ato nga mekanizma parandalues në objektiva të sulmeve? Dhe a mund t’i përballojnë shtetet e Gjirit pasojat e këtij përfshirjeje të mundshme?
Javët e ardhshme do të zbulojnë nëse këto baza do të ruajnë rolin e tyre mbrojtës apo do të bëhen shkëndija shtesë në një fuçi baruti që tashmë po digjet.
/Revista El-Muxhtemea Kuvajtijane/
