12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Borrell për situatën në Kosovë: Evropa nuk mund të përballojë një konflikt të ri

Më të lexuarat

“BE-ja pret që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i kthehen urgjentisht dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, duke theksuar se punon për një takim të nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, pas tensionit të rritur në veri të Kosovës, tha se Evropa nuk mund të përballojë një konflikt të ri, raporton Anadolu.

Para takimit të tij me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në Bruksel, Borrell bëri deklarata lidhur me ngjarjet që shkaktuan rritjen e tensioneve në veri të Kosovës.

Ai theksoi se BE-ja dënon të gjitha aktet e dhunës, ndërsa shprehu mbështetjen ndaj KFOR-it.

Duke treguar se sot në mëngjes ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa mbrëmë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryediplomati evropian tha se “I kam bërë thirrje të dyja palëve që të marrin masat e nevojshme për të ulur tensionet urgjentisht dhe pa parakushte. Të gjitha llojet e hapave të njëanshëm duhet të evitohen dhe qetësia duhet të rivendoset”.

– “Nuk mund të përballojmë një konflikt të ri”

Për këtë, sipas tij, në fazë të parë duhet të ndalohen operacionet e policisë së Kosovës në komunat në veri të vendit, ndërsa nga protestuesit serbë presin që të tërhiqen.

“BE-ja pret që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i kthehen urgjentisht dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përhershme që do të sigurojë një mjedis që garanton sigurinë e qytetarëve në veri të Kosovës si dhe të hapin rrugën për zbatimin e marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit. Për këtë punoj mbi organizimin e një mbledhje urgjente të nivelit të lartë. I kërkova Zëvendës Sekretarit tim të Përgjithshëm për Siguri dhe Mbrojtje, Charles Fries, të shkojë në Kosovë dhe ai momentalisht gjendet në Kosovë”, theksoi Borrell.

Ai njoftoi se vendet kandidate të BE-së janë informuar rreth çështjes dhe se kanë biseduar masat e mundshme që mund të merren sot. “Ka pasur mjaft dhunë në Evropë. Nuk mund të përballojmë një konflikt të ri. Shpresoj që fjalët e mia të dëgjohen dhe njerëzit të veprojnë sipas kësaj”, shtoi ai.

– Tensionet në veri të Kosovë

Në veri të Kosovës ku ditët e fundit janë rritur tensionet, serbët zhvillojnë protesta duke u mbledhur para ndërtesave të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq duke tentuar të hyjnë në ndërtesat e komunave dhe duke penguar fillimin e detyrës për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

Mes forcave të sigurisë dhe serbëve në veri të Kosovës, edhe më 26 maj u shënuan përleshje pasi policia “asistoi” kryetarët e komunave veriore Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në të cilat jetojnë kryesisht serbët.

Ndërkohë u bë e ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i dha urdhër ushtrisë për “gatishmëri” dhe se pjesëtarët e ushtrisë serbe janë nisur drejt kufirit të Kosovës.

Policia e Kosovës dhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë kanë rrethuar me tela ndërtesat e komunave dhe shtuan numrin e personelit në rajon.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në rajon u fituan nga kandidatët e partive politike shqiptare, ndërsa u bojkotuan nga serbët e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga 45.095 votues të regjistruar në komunat veriore, votuan vetëm 1.567 qytetarë (3,47 për qind) e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit