Pohimi: Qëllimi për të shkatërruar muslimanët boshnjakë dështoi!

Më të lexuarat

Mesazhet e forta në Ditën e Përkujtimit të Srebrenicës

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995, e cila shënohet më 11 korrik, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i bëri homazhe kujtimit të më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë dhe tha se kujtimi i Srebrenicës do të thotë mbrojtja e së vërtetës nga mohimi dhe revizionizmi.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995, ne i bëjmë homazhe më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë që u vranë sistematikisht, dhe mijëra grave, fëmijëve dhe të moshuarve që u zhvendosën me force”, tha ai.

“Qëllimi për të përzënë muslimanët boshnjakë nga Srebrenica dështoi. Ne qëndrojmë në solidaritet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, përfshirë Nënat e Srebrenicës, guximi i të cilave e ruajti këtë të vërtetë para botës”, tha Guterres.

Gjykatat ndërkombëtare, kujtoi ai, kanë përcaktuar se krimet e kryera në Srebrenicë përbëjnë gjenocid. Ata gjithashtu kanë konfirmuar se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund t’i atribuohet kurrë ndonjë grupi etnik, fetar apo tjetër.

Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës, kundërshtimit të mohimit të gjenocidit dhe vazhdimit të punës për drejtësi, pajtim dhe paqe të qëndrueshme.

“Të kujtosh Srebrenicën do të thotë të mbrosh këto të vërteta nga mohimi dhe revizionizmi, të kërkosh llogaridhënie dhe të njohësh vuajtjet e çdo viktime. Do të thotë gjithashtu të përballesh me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin, dhe të ripërtërish vendosmërinë tonë për ta bërë ‘kurrë më’ një realitet për të gjithë”, theksoi Guterres.

“Në këtë ditë të trishtueshme dhe solemne, shtoi ai, le t’i kujtojmë viktimat, t’i dëgjojmë të mbijetuarit dhe të ndërmarrim veprime për të çuar përpara drejtësinë, pajtimin dhe paqen. Kujtesa e Srebrenicës le ta forcojë angazhimin tonë ndaj dinjitetit njerëzor, sot dhe për brezat që do të vijnë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Kombet e Bashkuara publikuan gjithashtu dokumentarin “Mbajtësit e Kujtesës së Srebrenicës”, i cili ndjek historitë e tre të mbijetuarve të gjenocidit që tani punojnë në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari.

Filmi tregon historinë e punës së tyre për të ruajtur kujtimet, faktet dhe të vërtetën, në një kohë kur shoqëritë vazhdojnë të përballen me mohimin e gjenocidit, i cili përshkruhet si faza e fundit e vetë gjenocidit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit