11 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Bilanci vjetor i myslimanit

Më të lexuarat

SHKRUAN: ULVI FEJZULLAHU

 

Ditët shkojnë, vitet ecin, jeta pakësohet, vdekja afrohet. Njeriut nuk i mbetet asgjë tjetër vetëm se të ndalet dhe të mendojë për aktivitetin e kaluar. Ai duhet të ndalet dhe të mendojë për veprimet. Vallë, a ka kontribuar më shumë për të mirën apo për të keqen?! Cilat janë arritjet e tij gjatë vitit që lamë prapa? Libri i tij çfarë shënimesh përmban? I mençur është ai që bën llogari para se t’i nënshtrohet llogarisë së Allahut të Lartësuar. Në prag të përfundimit të çdo viti kompanitë tregtare janë të detyruara që të bëjnë llogarinë dhe bilancin vjetor, duke kontrolluar dhe analizuar hyrjet dhe daljet, faturat etj., dhe në saje të rezultateve hartohet plani buxhetor për vitin e ardhshëm dhe biznes-plani për t’i realizuar projektet e reja. Kështu veprojnë organizatat e ndryshme, shtetet e mëdha dhe të vogla kontrollojnë, përmirësojnë, planifikojnë, hartojnë… Vallë! Pse shumë prej nesh kalon viti ndoshta edhe shumë vite të jetës duke mos menduar fare për të marrë në llogari vetveten?! Llogari për ditët, javët, muajt, vitin e dekadat e kaluara të jetës sonë! Kështu kalon jeta duke mos u ndalur për të menduar vetëm edhe një moment: Vallë çfarë jam duke bërë; cilat janë humbjet dhe arritjet gjatë këtij viti?!…

 

Kur ndonjëri humb diçka nga pasuria trazohet e gjithë dynjaja. Kur e humb një mik të dashur shqetësimi i tejkalon kufijtë e normales. Ndërsa i shkon një pjesë e jetës me të cilën nuk ka mundësi ta zhdëmtojë dhe ta rikthejë. Për besimtarin është e rëndësishme hartimi i një strategjie jetësore, duke programuar çdo aktivitet jetësor. Ai duhet të interesohet për çdo lëvizje që të jetë në përputhje me mësimet e besimit. Është e rëndësishme që të kujdesemi për kohën, se ku do ta kalojmë edhe për këtë do të japim llogari para Allahut të Lartësuar. Koha është gjëja më e shtrenjtë për besimtarin, ajo është pjesë e pandashme e tij, kur shkon një ditë ka shkuar një pjesë e jetës së tij.

 

Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Njeriu nuk do të lëvizë pa iu përgjigjur katër pyetjeve: Ku e ke kaluar jetën? Çfarë ke punuar me dijen tënde? Si e ke fituar pasurinë tënde dhe ku e ke harxhuar? Ku e ke lodhur trupin tënd?’’ (E përcjell Tirmidhiu, hadithi është hasen.) Dita e Llogarisë është një ditë ku njeriut i paraqitet çdo detaj nga jeta e kësaj bote, Allahu i Lartësuar thotë: “(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë një largësi të madhe. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij. Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me robërit e Vet.” (Ali Imran 30). Këto janë fakte dhe argumente për ata që mendojnë dhe dëshirojnë një përfundim të mirë në këtë botë dhe llogari të lehtë në Ditën e Llogarisë.

 

Të nderuar! Dëshiroj t’ia kujtoj vetes më parë dhe juve disa porosi, ku Allahu i Lartësuar na tregon se për çdo aktivitet të ushtruar në këtë botë do të ketë dëshmitarë të shumtë nga të cilët nuk ka mundësi askush t’i ikë. Atëherë mendoje, o njeri, për kohën që po kalon dhe ti nuk po lodhesh fare, se si e kalon atë, a në kënaqësinë e Allahut apo në hidhërimin e Tij. O njeri, të kujtojmë së pari, se nëpër tokën të cilën po ecim, po ushqehemi, po pushojmë, po i zhvillojmë aktivitetet tona, do të jetë dëshmitare para Allahut të Lartësuar për gjynahet tona. Po kjo tokë një ditë do të ofrojë prova dhe do të dëshmojë për çdonjërin, do të flasë për çdo mëkat që është bërë në të. Do të vijë një ditë kur ajo do të shpalosë, do të zbulojë, do të publikojë dhe do të nxjerrë fshehtësitë dhe sekretet tuaja. Ka mundësi që ti, o njeri, këtë e kupton si jo serioze dhe thua: Vallë, cili është argumenti për shpalljen e provave kundër meje, se ato do të ekspozohen në Ditën e Gjykimit?! “Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit), kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!” Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj,…” (Zelzele 1-4). Fjalët e Allahut: “Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj”, i shpjegon i Dërguari i Allahut me fjalët: “Padyshim që tregimet (lajmet) e asaj dite janë dëshmia për çdonjërin çfarë ka vepruar në sipërfaqen e tokës, duke thënë: “E ke bërë këtë dhe këtë vepër, po në këtë ditë. Këto pra, janë rrëfimet e asaj dite.” (hadith hasen – Tirmidhiu).

 

Së dyti, le të kujtojmë se melaiket shënojnë veprat e mira dhe të këqijat. Nuk mbetet asgjë pa u regjistruar dhe në ditën e gjykimit pyeten: A të kujtohet nata kur ti ishe pranë ekranit televiziv dhe shikoje kanalet që transmetonin femra të zhveshura, seriale epsharakë, filma degjenerues? Ndoshta të kujtohet si veproje. Me siguri që ti ishe vetëm, pa askënd tjetër. Po ta dije se melaiket kanë regjistruar çdo gjë, çdo veprim tëndin, nuk do të kishe vepruar ashtu, nuk do të kaloje nga një kanal në tjetrin. Është e mundur që serialet, pjesët muzikore, filmat, lojërat, bisedat me telefon, qëndrimi i gjatë në internet, të gjitha këto e humbin besimtarin dhe besimtaren dhe e largojnë nga namazi dhe ia humbin kohën. Por mos harro se melaiket dëgjojnë dhe shënojnë veprimet e juaja dhe në Ditën e Gjykimit ato do t’i lexoni: “Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë.” (Zuhruf 80). Pas këtyre shënimeve, ç’do të ndodhë? Kur vdes njeriu, mbyllet dosja e shënimeve, kështu që me të do të takohesh. Pas daljes tënde nga varri do të vijë dosja e shënimeve të tua e regjistruar nga melaiket në dynja. Allahu i Lartësuar do ta urdhërojë njeriun që t’i lexojë shënimet e veta. “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” (Israë 13-14). Çast i vështirë dhe shqetësues! Njeriu qëndron i zhveshur para Krijuesit, Allahut, bashkë me të edhe dosja e shënimeve, divani i cili përmbledh të mirat dhe të këqijat. Së treti, le të kujtojmë se gjymtyrët e trupit, si: duart, këmbët, gjuha, sytë, veshët po edhe e tërë lëkura. Të gjitha këto, o njeri, do të dëshmojnë për ty në Ditën e Gjykimit.

 

Do t’i zbulojnë mëkatet, krimet dhe haramet e tua dhe do t’i bëjnë publike. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot Ne ua mbyllim gojët atyre…” (Jasin 65). E më pas ç’do të ndodhë: “…Neve na flasin duart e tyre…” (Jasin 65) Vallë a do të mbesë me kaq, jo: “…Kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” (Jasin 65). Ah, ditë e rëndë dhe e vështirë do të jetë!… Duart do të flasin e do të thonë: “O Zot, këto duar kanë blerë revistat e ndyra, cd-të me muzikë. Po këto duar kanë ndërruar kanalet satelitore. Këto duar kanë prekur trupin e femrës së huaj. Këto duar kanë përgatitur duhanin, drogën, alkoolin…” Këmbët po të njëjtën gjë do të thonë: “Edhe ne kemi ecur për në haram, nuk jemi ngritur për ta falur namazin, kemi kërcyer në klubet e natës, kemi ecur nëpër plazhe…”. Por edhe më shqetësuese do të jetë kur të flasë lëkura, e “Ata do t’i thonë lëkurave të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” (Fussilet 21). Përgjigjja do të jetë: “Allahu, i Cili çdo sendi ia ka dhënë të folurit, na e dha edhe neve.” (Fussilet, 21)

 

Vëlla dhe motër, ndalu dhe mendo mbi këto fakte e argumente dhe askush nuk ka mundësi t’i shmanget. Mos e kalo kohën së koti, shfrytëzoji edhe sekondat në kënaqësinë e Allahut. Të përkujtuarit e Ahiretit dhe argumentet e lartpërmendura nuk mbjellin tmerr dhe pesimizëm tek njeriu, por përkundrazi këto të dhëna hyjnore janë rregullatorë të veprimeve të njeriut në këtë botë. Kujto atë ditë, se do të ndodhë. Beso bindshëm dhe vepro, mbill të mira, se do t’i vjelësh frytet e saj në botën tjetër. Bëhu rob i Allahut, rob i cili përulet në ruku dhe në sexhde, lexon Kuran, i nënshtrohet dhe i përulet Krijuesit, Allahut. Bëhu rob i Allahut në shtëpi, rob i Allahut në xhami, rob i Allahut në rrugë, rob i Allahut në punë, rob i Allahut kur njerëzit të njohin dhe kur nuk të njohin, edhe kur të jesh në vetmi pa askënd, pos Allahut. Allahu është Ai që të sheh këtu dhe atje. Pra, i mençur është ai që bën llogari para se t’i nënshtrohet llogarisë së Allahut të Lartësuar.

 

Atëherë merrni masat preventive për vitin e ardhshëm, që të jeni më të mobilizuar për të vepruar me kënaqësinë e Allahut të Lartësuar në kënaqësinë e Tij. Dhe në fund po e përmbylli me këto mesazhe: – Mundohu të jesh prej bamirësve: “Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (Bekare 195). – Mundohu të jesh prej të penduarve të pastruar: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Bekare 222). – Mundohu të jesh prej të devotshmëve: “Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm.” (Ali Imran 76). – Mundohu të jesh durimtar: “Allahu i do të duruarit.” (Ali Imran 146). – Mundohu t’i mbështetesh vetëm Atij: “Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Ali Imran 159). – Bëhu i drejtë: “Vërtet, Allahu i do të drejtët.” (Maide 42).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit