ARRESTIMI I “MYFTIUT TË FUÇIVE”
Autoritetet siriane konfirmuan arrestimin e Ahmed Hasunit, ish myftiut të regjimit famëkeq sirian. Ahmed Hasuni u arrestua në aeroportin e Damaskut, në sallën e rezervuar për personalitet, gjatë një përpjekje për t’u larguar në drejtim të Jordanisë.
Hasuni, i datëlindjes 1949 në Haleb të Sirisë, mbajti postin e Myftiut të Përgjithshëm nga viti 2005 gjer në vitin 2021, vit në të cilin Beshar Esedi e shkriu Myftininë e Përgjithshme si post zyrtar.
Hasuni gjatë gjithë kësaj kohe ishte i njohur për qëndrimet e tij ekstreme në mbështetje të regjimit esedian dhe njihej si një nga më të besuarit e diktatorit sirian. Ai sulmoi me akuza popullin sirian që në fillimet e protestave në Dera të Sirisë dhe me përshkallëzimin e konfliktit mbajti një qëndrim pro shtypjes mizore të revolucionit, aq sa populli sirian e titulloi me nofullën përbuzëse “myftiu i fuçive”, për shkak të fetvave ekstreme të tij ndërkohë që popullsia civile shfarosej nën bobardimin e fuçive bombë të regjimit sirian.
Në vitin 2016, organizata botërore Amnesty Internetional e akuzoi si një nga personat e autorizuar personalisht nga Beshar Esedi për firmosjen e ekzekutimeve të të burgosurve politikë të burgut famëkeq Sejdnaja.
Hasuni ishte i njohur edhe për marrëdhëniet e ngushta që kishte me qarqet shite të Sirisë, Irakut dhe Iranit dhe në shumë raste e shprehte publikisht simpatinë për ta dhe për medhhebin e tyre.
Me rrëzimin e regjimit në dhjetor të vitit të kaluar, Ahmed Hasuni u shfaq shumë rrallë në skenë dhe në ato pak raste që u shfaq në publik u mundua të justifikohej nën preteksin e imponimit dhe paaftësisë për të reaguar ndryshe.
Autoritetet e reja siriane e arrestuan në pritje për të ngritur akuza zyrtare ndaj tij për krime të cilat nëse vërtetohen mund të konsiderohen si krime lufte dhe gjenocid njerëzor.
Hoxhë Florian Leli
