16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

A po e rrezikojnë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri raportet personale të Kurtit me Ramën

Më të lexuarat

Pjesëmarrja në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet nesër në Tiranë do të jetë vizita e parë zyrtare e Albin Kurtit në Shqipëri, në mandatin e tij të dytë si kryeministër. Në mandatin e parë, Kurti kishte respektuar traditën që ishte krijuar nga krerët institucionalë në Kosovë që pas pranimit të detyrës, vizitën e parë jashtë vendit ta bënin në Tiranë. Por, një gjë të tillë nuk e bëri në mars, kur nisi mandatin e dytë, pavarësisht se pati një ftesë nga shefi i ekzekutivit të Shqipërisë.

Për këtë, si shkak po përmenden raportet jo edhe aq të mira të tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Përderisa një gjë e tillë po mohohet nga Lëvizja Vetëvendosje, analistët politikë në Kosovë dhe Shqipëri thonë se raportet mes dy vendeve janë në pikën më të ulët.null

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, thotë se Qeveria Kurti po angazhohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Shqipërinë, si kundërpërgjigje ndaj atyre që po kritikojnë raportet mes dy vendeve.

“Pra ne tashmë veçse kemi nisma konkrete të bashkëpunimit me Shqipërinë. Ajo çështja e zgjedhjeve konsideroj se është një çështje tjetër dhe nuk do ta pengojë në asnjë mënyrë bashkëpunimin që ne do ta kemi me Qeverinë e Shqipërisë dhe iniciativat që ne mendojmë t’i marrim për thellimin e bashkëpunimit. Unë mendoj që si kundërpërgjigje ndaj këtyre deklaratave kemi nisma konkrete e punë të përbashkëta”, tha Fejza për KosovaPress.

Por, ndryshe mendon drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, tha se marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë janë në pikën e tyre më të ulët.

“Ne do të duhej të kishim bashkëpunim institucional të qëndrueshëm, pavarësisht se kush janë personat që drejtojnë në momente të caktuara. Praktikisht marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë janë në pikën e tyre më të ulët. Ka një mosbesim të theksuar dhe ka sulme personale të politikanëve ndaj njëri-tjetrit. Në Tiranë dhe në Prishtinë ka pasur artikuj që denigrojnë figurat reciproke politike, përfshirë edhe dy kryeministrat. Ndërkohë që raporti i dy kryeministrave, siç u pa edhe në takimin e fundit informal është më shumë raport personal se raport mes dy qeverive dhe institucioneve dhe nëse ka gjë për të cilat ne do të duhej të reflektonim, përfshirë kabinetin e ri në Tiranë dhe kabinetin e ri në Prishtinë është e para për të hequr dorë nga aktet simbolike, siç ka bërë Tirana me deklarata periodike për Kosovën apo me emërimin e politikanëve të Kosovës në Shqipëri për periudha të caktuara, apo siç ka bërë Prishtina me vendimin e Kurtit për të marrë pjesë si votues në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe për të pasur kandidatët e vetë kundër Ramës”, tha Krasniqi.

Kosovën dhe Shqipërinë nuk i pengon asgjë që të kenë raporte sa më të mira në të gjitha sferat. Kështu thotë njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, deklaroi se bashkëpunimi ndërshtetëror asnjëherë nuk duhet të kthehet në raport personal mes udhëheqësve.

“Duhet thënë po ashtu se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i pengon asgjë që të krijojnë raporte sa më të mira në të gjitha sferat. Domethënë nuk kanë kurrfarë pengese, por po duket se inatet personale ose inatet që kanë të bëjnë me inatet partiake politike të njërit ose liderit tjetër që është në pushtet e kanë sjellë situatën që sërish të flasim për përmirësim të raporteve mes dy vendeve. Ne e dimë se viteve të kaluara disa herë janë takuar qeveritë e dyja vendeve, ku janë nënshkruar një numër jashtëzakonisht i madh i marrëveshjeve, por është çështje tjetër sa këto marrëveshje janë zbatuar dhe tash sërish nevojiten takim tjetër për të parë se deri ku kanë shkuar ato marrëveshje dhe a janë zbatuar ose jo. Tash në pushtet, në Shqipëri është Rama e në Kosovë është Kurti. Natyrisht se nëse flasim me logjikën e zotit Kurti kur ka qenë në opozitë, ai nuk do të duhej të takohej e të bashkëpunojë me Ramën si kryeministër i Shqipërisë, por z.Kurti tash është në cilësinë e kryeministrit dhe përtej emrave të përveçëm është e rëndësishme që dy vendet të bashkëpunojnë si shtete të pavarura njëra me tjetrën, respektivisht si shtete shumë të afërta. Kushtimisht çdo përpjekje me nxjerr këtë bashkëpunim ndërshtetëror në kontekst të ndonjë raporti personal është e dëmshme dhe do t’i dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve”, ka thënë Mushkolaj.null

Në lidhje me këtë temë, KP i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës, për t’i pyetur se përse Kurti nuk ka realizuar vizitë zyrtare në Shqipëri, me të marrë mandatin. Po ashtu, nga Qeveria janë pyetur nëse mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosja për tre kandidatët që garuan si të pavarur në zgjedhjet në Shqipëri, ka ndikuar në raportet mes dy kryeministrave. Për të gjitha këto çështje, ka disa ditë që nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit