9.9 C
Pristina
Sunday, February 25, 2024

A mund ta bëjë ChatGPT punën time?

Më të lexuarat

Javën e fundit është folur shumë nëse gazetarët mund ose duhet të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale. Personalisht, nuk jam e shqetësuar. Ja pse.

Deri më tani, redaksitë kanë ndjekur dy qasje shumë të ndryshme për të integruar mjetin e ri më të zhurmshëm të inteligjencës artificiale, ChatGPT, në punën e tyre. Faqja e lajmeve teknologjike CNET filloi të përdorte fshehurazi ChatGPT artikuj të tërë, dhe pa eksperimentin të hidhej në erë. Në fund iu desh të bënte korrigjime mes akuzave për plagjiaturë. Buzzfeed, nga ana tjetër, ka marrë një qasje më të kujdesshme dhe të matur. Drejtuesit e saj duan të përdorin ChatGPT për të gjeneruar përgjigje kuizesh, të udhëhequr nga gazetarë që krijojnë tema dhe pyetje.

Ju mund t’i zbërtheni këto histori që përmenda, në një pyetje themelore me të cilën përballen tani shumë industri: Sa kontroll duhet t’i japim një sistemi të Inteligjencës Artificiale? CNET i dha shumë dhe përfundoi në një rrëmujë të turpshme, ndërsa qasja më e kujdesshme (dhe transparente) e Buzzfeed për përdorimin e ChatGPT si një mjet produktiviteti, është pritur përgjithësisht mirë dhe ka çuar në rritje të çmimit të aksioneve.

Por a e dini sekretin e pistë të gazetarisë? Një sasi çuditërisht e madhe e saj mund të automatizohet, thotë Charlie Beckett, një profesor në Shkollën e Ekonomisë në Londër, i cili drejton një program të quajtur JournalismAI. Gazetarët ripërdorin në mënyrë rutinore tekste nga agjencitë e lajmeve dhe vjedhin ide për lajme dhe burime nga konkurrentët. Ka shumë kuptim që redaksitë të eksplorojnë se si teknologjitë e reja mund t’i ndihmojnë ato t’i bëjnë këto procese më efikase.

“Ideja se gazetaria është ky shtrat me lule i origjinalitetit dhe krijimtarisë është absolutisht broçkull,” thotë Beckett.

Nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe nëse mund t’i transferojmë Inteligjencës Artificiale, disa nga pjesët e mërzitshme dhe të përsëritura të gazetarisë. Në fakt, mund t’i lirojë gazetarët të bëjnë punë më kreative dhe të rëndësishme.

Një shembull i mirë që kam parë për këtë është përdorimi i ChatGPT për të ripaketuar tekstin e lajmeve në formatin “shkurtësi e zgjuar”, e përdorur nga Axios. Chatbot duket se e bën mjaft mirë punën e vet dhe mund të imagjinoj se çdo gazetar i ngarkuar për të realizuar atë format, do të jetë i lumtur të ketë kohë për të bërë diçka më argëtuese.

Ky është vetëm një shembull se si redaksitë mund të përdorin me sukses Inteligjencën Artificiale. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë gjithashtu gazetarët të përmbledhin pjesë të gjata teksti, të krehin grupet e të dhënave ose të krijojnë ide për titujt. Në procesin e shkrimit të këtij artikulli, unë vetë kam përdorur disa mjete të Inteligjencës Artificiale, të tilla si plotësimi automatik në përpunimin e tekstit dhe transkriptimi i intervistave audio.

Por ka disa shqetësime të mëdha kur bëhet fjalë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në redaksi. Një prej tyre është privatësia, veçanërisht rreth historive të ndjeshme ku është jetike të mbroni identitetin e burimit tuaj. Ky është një problem të cilin gazetarët e kanë hasur në shërbimet e transkriptimit të audio-ve, dhe fatkeqësisht e vetmja rrugëdalje është të transkriptohen me dorë intervistat që kanë ndjeshmëri.

Gazetarët gjithashtu duhet të kenë kujdes në lidhje me futjen e materialeve të ndjeshme në ChatGPT. Ne nuk e kemi idenë se si krijuesi i tij, OpenAI, i trajton të dhënat e dhëna në mënyrë robotike, dhe ka të ngjarë që të dhënat tona të jenë duke u futur përsëri në trajnimin e këtij modeli, që do të thotë se ato potencialisht mund të rikthehen tek njerëzit që do e përdorin atë në të ardhmen. Kompanitë tashmë po mendojnë për këtë gjë: një avokat i Amazon thuhet se ka paralajmëruar punonjësit që të mos përdorin ChatGPT në dokumentet e brendshme të kompanisë.

ChatGPT është gjithashtu i famshëm për broçkullat, siç e zbuloi CNET për të keqen e vet. Modelet e gjuhës së Inteligjencës Artificiale funksionojnë duke parashikuar fjalën tjetër, por ato nuk kanë njohuri për kuptimin ose kontekstin. Ato përhapin gënjeshtra gjatë gjithë kohës. Kjo do të thotë se gjithçka që gjenerojnë duhet të kontrollohet me kujdes. Pas një kohe, do shihni që ju merr më pak kohë ta shkruani vetë atë artikull./Tech Review – Bota.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit