Sulltan bin Abdullah el-Umerij
Erdhi Ramazani ndërsa vullneti që ishte në majat më të larta siç duket ishte sikur mysafiri shoqërues i Ramazanit, që qëndroi tre ditë dhe iku.
Është një gjendje shpirtërore, e cila përsëritet pothuajse çdoherë: Vullnet dhe energji për adhurim dhe nxitim në vepra të hajrit, pastaj përtaci dhe dembeli, derisa zemra bëhet qendër e plogështisë.
Ramazani është i tëri sezon garimi. Nuk është vetëm fillimi i tij. Andaj, vëlla agjërues, nxito që të zësh të tjerët që të kanë kaluar në vepra të mira. Dëgjoje thirrjen e Allahut të Madhëruar:
“Ndërsa të përparmit janë të dalluar (janë në ballë). Ata pra, janë më të afruarit (te Zoti).“ (Vakia: 10-11)
Eja dhe shpejto që të arrish majat. Ngritu në Xhenete me vullnetin e besimit tënd, ngritu që të arrish kënaqësinë e Allahut. Kanë shkuar ditë dhe kanë ngelur të tjera, po ku ta dimë se çfarë është pranuar e çfarë jo?!
Unë i drejtohem shpirtit tënd, me shpresë që të merr veten, të kthjellet, dhe t’i futet garës prapë. Ne ende jemi në podium. Ende gara vazhdon. Andaj, veprat që do t’i bësh, le të jenë më të mira se ato që ke bërë.
Ja dhjetëshi i fundit është afruar, kemi edhe Natën e Kadrit, e cila është më e mirë se 1000 muaj, por ku është vullneti, o kërkues i Xhenetit?
Dyert e Xhenetit vazhdojnë të jenë të hapura, por ti kur do të dërgosh mësitët për të shfaqur mallëngjimin dhe dashurinë tënde për to?!
Përshtati: Sedat Islami