Pyetje:
Kam një problem kur shkoj tek familja ime: babai nuk punon, kurse vëllai punon në ato lojëra (ruana Zot) me aparate, dhe prej aty e merr rrogën. A është haram të ha aty ushqim kur i vizitoj prindërit?
Kam provuar dy-tri herë, kur i kam vizituar, të mos ha, por nëna ime dhe babai hidhërohen kur nuk ulem të ha me ta. Si të veproj unë? Edhe vajza ime është dyvjeçare dhe edhe asaj i japin të hajë nga ai ushqim. Kur refuzoj të ha apo të pi diçka nga shtëpia e prindërve, ata hidhërohen. Nëse ua them që ushqehen nga harami, prapë hidhërohen.
A duhet t’i vizitoj më rrallë dhe të largohem? Jam e mbuluar dhe më bren ndërgjegjja. Nuk ndihem mirë, ngase nuk po marr një përgjigje adekuate.
Përgjigja: Pasuria e ndaluar në Islam është dy lloje: -Pasuria e cila është e ndaluar në vetëvete, si: Pasuria e vjedhur, e uzurpuar, etj. Kjo pasuri është e ndaluar për atë i cili e posedon atë pasuri dhe për atë të cilit i dhurohet ajo. Kështuqë nëse dikush të ofron ushqim i cili është i vjedhur, është i ndaluar ky ushqim për atë dhe për ty që të dhurohet ai. Dhe nëse dikush psh: e vjedh një dele dhe pastaj e therr atë në emër të Allahut dhe sipas Sheriatit Islam, ngrënia e këtij mishi është e ndaluar.
-Pasuria e cila është e ndaluar për shkak të mënyrës së fitimit të saj, si: pasuria e fituar me kamatë, me bixhoz, me ryshfet, etj. Kjo pasuri është e ndaluar për atë që e ka fituar në këtë mënyrë, ndërsa nuk është e ndaluar për atë që i dhurohet prej kësaj pasurie nëse ai nuk bashkëpunon për fitimin e saj. Kështuqë nëse dikush fiton pasuri nëpërmjet bixhozit, kjo pasuri është e ndaluar për të. E nëse ai pastaj me ato të holla të blen një dhuratë ty, ajo dhuratë për ty është e lejuar, ngase ti e ke fituar atë në mënyrë të lejuar.
Transmetohet me zinxhirë të vërtetë nga Abdullah ibn Mes’udi (radijallahu anhu) i cili u pyet se: Nëse të fton për ushqim fqiu i cili punon me kamatë, a lejohet t’i përgjigjesh atij? Tha: Përgjigju, ngase nderi është për ty, ndërsa mëkati bie mbi të. (Xhamiul Ulumi vel Hikem 71)
Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Nëse njeriu e di se prindi i tij e ka pasurinë e ndaluar, nëse ajo është e ndaluar në vetëvete, dmth: ai e di që prindi i tij e ka vjedhur atë, atëherë nuk lejohet që të ushqehet me të… e nëse është pasuria e ndaluar për shkak të mënyrës së fitimit të saj, dmth: ai punon me kamatë, apo me mashtrime, apo të ngjashme me këto, atëherë lejohet të ushqehet me të dhe mëkati i mbetet atij (prindit të tij). (Likaul Babil Meftuh 13/188)
Kështuqë lejohet ju të ushqeheni në shtëpinë e prindërve të juaj. Edhepse nëse mendoni se mosushqyerja e juaj do të ndikojë në ta dhe mund të largohen nga fitimi i pasurisë në atë mënyrë, atëherë më mirë ndërprejeni atë për një kohë, deri të pëmirësohet gjendja e tyre. E nëse kjo nuk ndikon fare, atëherë së paku këshilloni ata edhe nëse ata hidhërohen. Ndërsa mos u largoni prej tyre, ngase ata janë prindër edhe nëse është gjendja e tyre e këtillë. Por mundohuni vazhdimisht t’i këshilloni ata, ndoshta Allahu e përmirëson gjendjen e tyre dhe këshilla juaj u bën dobi atyre.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami
