10.7 C
Pristina
Thursday, January 9, 2025

Bankat Islame – Praktikat Aktuale

Më të lexuarat

Nganjëherë argumentohet kundër sistemit financiar islam se bankat dhe institucionet financiare islame, që funksionojnë prej tre dekadash të fundit, nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim të dukshëm në strukturën ekonomike, madje as në fushën e financimit. Kjo tregon se pretendimet e bujshme për krijimin e ‘drejtësisë shpërndarëse’ nën ombrellën e bankimit islam janë të ekzagjeruara.

Kjo kritikë nuk është realiste, sepse nuk merr parasysh faktin që, në përpjesëtim me bankimin konvencional, bankat dhe institucionet financiare islame nuk janë gjë tjetër veçse një pikë e vogël në një oqean, dhe prandaj nuk mund të pritet që ato të revolucionarizojnë ekonominë në një periudhë të shkurtër kohe.

Së dyti, këto institucione po kalojnë fazën e tyre fillestare. Ato duhet të funksionojnë nën një numër të madh kufizimesh, prandaj disa prej tyre nuk kanë qenë në gjendje të përmbushin të gjitha kërkesat e Sheriatit në të gjitha transaksionet e tyre, dhe për rrjedhojë, çdo transaksion i kryer prej tyre nuk mund t’i atribuohet Sheriatit.

Së treti, bankat dhe institucionet financiare islame zakonisht nuk mbështeten nga qeveritë, sistemi ligjor dhe ai i taksave, apo bankat qendrore të vendeve përkatëse. Në këto kushte, atyre u janë dhënë disa lehtësime, mbi baza të nevojës ose domosdoshmërisë, të cilat nuk bazohen në parimet origjinale dhe ideale të Sheriatit.

Islami, si një mënyrë praktike jetese, ka dy grupe rregullash; njëri bazohet në objektivat ideale të Sheriatit që zbatohen në kushte normale, dhe tjetri bazohet në disa lehtësime të dhëna në situata jonormale. Rendi i vërtetë islam bazohet në grupin e parë të parimeve, ndërsa i dyti është një lehtësim që mund të shfrytëzohet në kohë nevoje, por nuk pasqyron pamjen e vërtetë të rendit islam të mirëfilltë.

Duke jetuar nën kufizime, bankat islame kryesisht mbështeten në grupin e dytë të rregullave, prandaj aktivitetet e tyre nuk kanë sjellë një ndryshim të dukshëm madje as në rrethin e kufizuar të operacioneve të tyre. Megjithatë, nëse i gjithë sistemi financiar bazohet në parimet ideale islame, ai do të sjellë padyshim një ndikim të dallueshëm në ekonomi.

Parimet ideale islame të financës janë elaboruar në këtë seksion dhe më pas do të diskutojmë lehtësimet më të mira të mundshme që mund të shfrytëzohen gjatë periudhës kalimtare, kur institucionet islame funksionojnë nën presionin e sistemit ligjor dhe fiskal ekzistues. Sheriati ka parime specifike për këto lehtësime gjithashtu, dhe qëllimi i tyre bazë është të shmangin ndalesat e qarta duke adoptuar një rrugë më pak të preferuar. Kjo mund të mos shërbejë për qëllimin bazë të vendosjes së një rendi të mirëfilltë islam, por mund të ndihmojë në shmangien e një mëkati të dukshëm dhe të shpëtojë dikë nga fati i keq i mosbindjes, gjë që, në vetvete, është një qëllim i çmuar për një mysliman, ndonëse në nivel individual.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit