11.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Përse ekziston e keqja në botë?

Më të lexuarat

Ky është transkriptim i një pjese të ligjëratës të cilën e ka mbajtur dijetari i njohur: Prof. Dr. Salih Sindi, në xhaminë e re të Universitetit Islamik të Medines.[1]

Në këtë pjesë ai jep përgjigje rreth dyshimit për çështjen problematike të ekzistimit të së keqes… Ai thotë:

“Hulumtimi në këtë temë na dërgon te një temë tjetër, që gjithashtu duhet hulumtuar dhe që mendoj se është shumë temë e rëndësishme për nxënësin e dijes dhe thirrësin në fenë e Allahut të Madhërishëm. Kjo temë ka të bëjë me një dyshim të cilin e hedhin armiqtë e Allahut të Lartësuar, për t’i trazuar mendimet e besimtarëve, e që është dyshimi rreth asaj që quhet “Problemi i ekzistimit të së keqes” (The problem of evil). Mendoj që prej mençurisë është që t’i kushtojmë kohë sado pak kësaj teme dhe të flasim rreth saj qoftë edhe duke i cekur vetëm pikat kryesore; sepse e kam vërejtur se kjo temë iu ka shkaktuar paqartësi madje edhe nxënësve të dijes, e në disa raste ca syresh janë pyetur rreth saj por janë hutuar dhe ngatërruar gjatë përgjigjes.

Mos e nënvlerëso dhe mos e merr si të lehtë këtë çështje, sepse ka njerëz që vihen në siklet kur u parashtrohet kjo pyetje (përse ekziston e keqja?), ndoshta mund të lëkunden dhe të bien në dyshim, në disa raste mospërvetësimi i mirë i kësaj teme mund të çojë në dalje prej fesë, Allahu na ruajt! Kjo, ngase duke hulumtuar dhe studiuar gjendjen e ateistëve është gjetur se ata e përhapin me të madhe këtë dyshim dhe se ndikimi i tij në zemrat e të paditurve është shumë i madh. Madje është thënë se “problemi i ekzistimit të së keqes” është argumenti qendror i ateistëve.

Pra, ndikimi i këtij dyshimi është i madh tek shumica e atyre njerëzve që kanë besim të dobët apo dije të pakët. Prandaj, është shumë e rëndësishme që nxënësi i dijes ta zotërojë mirë këtë çështje, që të mund t’u jap përgjigje këtyre paqartësive.

Përmbledhja e këtij dyshimi që e sjellin ateistët është se ata e kundërshtojnë ekzistimin e Zotit për shkak se ekziston e keqja. Ata thonë: “Sikur të ekzistonte një Zot i Cili është Krijues dhe i Plotfuqishëm, nuk do ekzistonte e keqja në këtë gjithësi. Pra, ekzistimi i së keqes është provë për mosekzistimin e Krijuesit, përndryshe pse Ai nuk e largon këtë të keqe përderisa është Zot, Krijues dhe i Plotfuqishëm?”

Shkurtimisht, ky është dyshimi të cilin ata e sjellin, edhe pse rreth kësaj çështjeje ata kanë folur gjerë e gjatë. Pra, kjo çështje është shumë e gjerë dhe ka nevojë për disa ligjërata radhazi që të përfshihet vetëm një pjesë e saj, por, si kundërpërgjigje do t’i përmendi shkurtazi disa parime që e ndihmojnë muslimanin ta kuptojë mirë këtë temë si dhe ta refuzojë këtë dyshim. Ndoshta, një fjalë të cilën e thua bëhet shkak që Allahu i Lartësuar ta kthejë në rrugën e drejtë dikë prej atyre të rinjve që këmbët e tyre filluan të rrëshqasin atëherë kur lexuan diçka prej këtyre dyshimeve dhe kështu mëdyshjet dhe luhatjet filluan të zënë vend në zemrat e tyre; ndërkohë disa tjerë, Allahu na ruajt, ishin shumë afër braktisjes së tërësishme të fesë Islame!

(Dhjetë përgjigje ndaj këtij dyshimi)

Përgjigjja e parë:

Ne e pranojmë ekzistencën e së keqes, por nuk e pranojmë se ajo është një e keqe e kulluar. Përkundrazi, prej ekzistimit të llojeve të ndryshme të fatkeqësive, dëmeve, padrejtësive, etj., rezulton diçka e dobishme. Pra, në ekzistimin e këtyre të këqijave ka një lloj të mire. Së këtejmi, nuk ka ndonjë problem që Zoti, Krijuesi, qoftë i Lartësuar, të caktojë ndodhjen e të këqijave, sepse prej tyre rezultojnë gjëra të mira dhe të dobishme. Kjo është një çështje të cilën mendjet e shëndosha arrijnë ta perceptojnë pa kurrfarë problemi.

Pra, e keqja që ekziston në këtë gjithësi, nga një anë është e keqe, por nga ana tjetër është e mirë. Uji për të cilën ju (ateistët) thoni se gjatë një vërshimi të madh përmbys fshatra të tëra duke shkatërruar dhe mbytur (një numër të madh të njerëzve dhe kafshëve), është i njëjti ujë në të cilin lundrojnë anijet dhe prej të cilit përfitojmë të mira të shumta. Është i njëjti ujë për të cilin kanë nevojë njerëzit në jetën e tyre të përditshme, qoftë për ta pirë apo për nevoja tjera. Pra, po e vërejmë se në ekzistimin e ujit ka dëme, porse dobitë janë shumë më të mëdha.

Po ashtu zjarri, për të cilin pretendoni se ka qenë shkak për djegien e shumë shtëpive apo njerëzve, është i njëjti zjarr prej të cilit njerëzit përfitojnë dobi të shumta, të cilat janë shumë më shumë se sa ato dëme.

Pra, të gjitha këto gjëra të cilave po u referoheni se në to ka dëme, ne u kundërpërgjigjemi se të mirat dhe dobitë që rezultojnë prej ekzistimit të tyre janë më të shumta. Prandaj, urtësia kërkon ekzistimin e tyre; si dhe ekzistimi i tyre nuk parakupton mohimin e ekzistimit të Krijuesit, qoftë i Lartësuar!

Përgjigjja e dytë:

E keqja në këtë gjithësi është brenda tërësisë së bukurisë së saj, prandaj, edhe shikimi duhet të jetë i përgjithshëm dhe jo i pjesshëm. Gabojmë rëndë nëse shikimin e hedhim vetëm tek ndonjë detaj duke e anashkaluar shikimin e përgjithshëm dhe total.

Për shembull: nëse e hedh shikimin tek një pikturë dhe dëshiron ta vlerësosh a është e bukur apo jo, mirëpo shikimin e ngul vetëm tek njëra nga vijat e saj – çfarë do të shohësh? A do të vëresh ndonjë bukuri në këtë rast? Nuk do të shohësh kurrfarë bukurie. Por, nëse e shikon atë në formë të përgjithshme, do ta vëresh bukurinë dhe mirësinë e saj.

Kështu janë edhe gjërat e këqija që ndodhin në këtë gjithësi, ato janë pjesë e bukurisë të cilën arrin ta perceptosh vetëm atëherë kur e hedh shikimin tek tërësia e saj.

Çfarë vlere ka shëndeti nëse nuk do ta njihnim sëmundjen? Çfarë vlere ka pasuria nëse nuk do ta njihnim varfërinë? Çfarë vlere ka suksesi nëse nuk do të kishte lodhje dhe vështirësi në arritjen e tij? Vetëm paramendoje ekzistimin e kësaj bote pa asnjë nga fatkeqësitë, pengesat dhe vështirësitë e saj. Si do të ishte gjendja e saj? Do të ishte një jetë e zbehtë, pa kurrfarë ngjyre dhe shije. Mirëpo, bukuria e këtyre gjërave kuptohet nga të kundërtat e tyre. Sepse, gjërat dallohen përmes të kundërtave të tyre. A do të arrinim ta dallonim vijën e drejtë nëse në origjinë nuk e dimë fare se çfarë është vija e shtrembër? Përgjigjja është jo. Ne arrijmë ta kuptojmë vlerën e vijës së drejtë vetëm atëherë kur e dimë se çfarë është vija e shtrembër.

Mund ta përmbledhim këtë çështje me një fjalë të disa dijetarëve të cilët thanë se ekzistimi i këtyre fatkeqësive, sprovave dhe llojeve të ndryshme të të këqijave është i domosdoshëm për ta shfaqur bukurinë e kësaj bote. Për shembull, pjesë e bukurisë së një pallati mbretëror është edhe ekzistimi i banjës/nevojtores që është vend i jashtëqitjeve dhe erërave të pakëndshme. Mirëpo, ai pallat që nuk ka nevojtore konsiderohet që është i mangët dhe që nuk e ka bukurinë e plotë. Ashtu siç u përshkrua në këtë shembull, e njëjtë është edhe çështja e fatkeqësive, sprovave, pengesave dhe llojeve të ndryshme të të këqijave – nëse pamja është e plotë. Pra, nëse këtë temë/subjekt e shikon në tërësinë e saj, atëherë do të arrish në përfundim se ekzistimi i këtyre gjërave është pjesë e urtësisë.

Përgjigjja e tretë:

Pretendimi se nuk ka kurrfarë dobie tek e keqja që ekziston në këtë gjithësi, apo siç e quajnë ateistët “e keqe falas/gratis”, domethënë që nuk rezulton asnjë e mirë pas saj, është një pretendim i kot. Ata thonë: Po e pranojmë se disa lloje të këqijave sjellin si rezultat disa të mira, por kemi lloje tjera të gjërave të këqija që janë falas dhe që nuk sjellin ndonjë të mirë.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij pretendimi themi: Është e pamundur për juve që të gjykoni se ekzistojnë të këqija pas të cilave nuk rezulton asnjë e mirë, kjo, sepse ky gjykim kërkon që njeriu të ketë një dituri gjithëpërfshirëse, kurse, juve, ashtu sikurse dhe neve, na mungon një dituri e tillë, pra, që dikush ta thotë në mënyrë të prerë se ekzistojnë disa të këqija pas të cilave nuk rezulton asnjë e mirë, qoftë menjëherë apo në të ardhmen, duhet të ketë një dije të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, kurse, realiteti dhe e vërteta tregojnë të kundërtën. Konkluzioni: dija e jonë është e pakët dhe e mangët!

Ta ilustrojmë këtë me një shembull: Nëse në këndin e një dhome i shohim dy persona të cilët e mbajnë një fëmijë dhe me vete kanë një sharrë me të cilën dëshirojnë t’ia prenë këmbën. A është e arsyeshme dhe e drejtë që vetëm duke u bazuar në shikimin tonë të gjykojmë që kjo është e mirë apo e keqe? Apo për ta dhënë një gjykim të tillë është e nevojshme që me dijen tonë ta përfshijmë të gjithë realitetin e asaj që po ndodhë? Përgjigjja është: Patjetër duhet që me dijeninë tonë t’i përfshijmë të gjitha detajet e asaj që është duke ndodhur. Ndoshta ata dy janë mjeku dhe babai i fëmijës, ndërsa ai fëmijë është prekur nga një sëmundje e cila nëse përhapet në pjesën tjetër të trupit do të shkaktonte vdekjen e tij. Në këtë rast çfarë kërkon urtësia që të veprojmë? T’ia presim këmbën që të shpëtojë fëmija apo ta lejojmë sëmundjen të përhapet në të gjithë trupin? A nuk është prej mëshirës në këtë rast që t’ia presim këmbën?

Pra, për të arritur në përfundim se kjo është një e keqe absolute dhe nuk ka kurrfarë dobie pas saj, duhet patjetër që dija e jote t’i përfshijë të gjitha hollësirat e realitetit. Dhe kjo është një gjë e paarritshme si për ju ateistët, ashtu edhe për ne besimtarët. Prandaj, ky pretendim i juaji është i pabazuar në ndonjë argument.

Përgjigjja e katërt:

I themi atij që mundohet të argumentojë me dyshimin e ekzistimit të së keqes: Logjikisht, a është e mundur ekzistimi i ndonjë të mire (dobie) që vjen si rezultat i keqes apo është e pamundur një gjë e tillë?

Nëse përgjigjet: ‘Është e mundur logjikisht por unë nuk e di’; i themi: ‘Mosdija e jote nuk do thotë që ajo nuk ekziston, dhe kështu dyshimi yt rrëzohet që në bazë, sepse kur argumentin e prek probaliteti/mundësia, ai e asgjëson atë (argumentin).’

Por, nëse përgjigjet: ‘Kjo është e pamundur logjikisht’, i themi: ‘Ti po tregohesh kokëfortë, sepse as ti, dhe asnjëri prej ateistëve, nuk mund ta vërtetoni se kjo gjë është e pamundur nga ana logjike.” Kjo është një përgjigje që i detyron ata ta pranojnë atë.

Përgjigjja e pestë:

“Nëse e pranojmë” se ekzistimi i së keqes qenka provë që tregon për mosekzistimin e Zotit, mirëpo çfarë mund të themi për ekzistimin e së mirës? A nuk do të ishte ekzistimi i saj argument që tregon për ekzistimin e Zotit? Cila prej tyre dominon më shumë në gjithësi? Besoj që pajtohemi mes nesh që origjina në këtë gjithësi është e mira, kurse e keqja është një rastisje , këtë e mohon vetëm një kokëfortë i cili nuk meriton të debatojmë me të.

Pra, siç thamë më lartë, cila ekziston më shumë shëndeti apo sëmundja? Shëndeti është ai i cili dominon më shumë. Nëse ata thonë se sëmundja është provë se Zoti nuk ekziston, atëherë si qëndron çështja me ekzistimin e shëndetit? Pse e para është provë (për mosekzistimin e Zotit), kurse e dyta jo (për ekzistimin e Tij)? Madje, vet njeriu mund të jetë i sëmurë në këmbën, zemrën apo në syrin e tij, mirëpo, si është çështja me organet e tjera të shëndosha? Pa dyshim, që ato janë shumë më shumë, siç thonë shkencëtarët që triliona qeliza ekzistojnë në trupin e njeriut, çdonjëra prej tyre funksionon në mënyrë të përkryer dhe në harmoni të plotë me tjerat. Pra, njeriu ka organe të shumta të shëndosha të cilat e kryejnë funksionin e tyre, dhe kjo, padyshim, është e mirë. Nëse është i sëmurë në sy, ai ende vazhdon ta ketë zemrën, mëlçinë, mushkëritë, zorrët, këmbët, duart, venat, enët e gjakut dhe shumë organe tjera të shëndosha. Pra, një organ i sëmurë qëndron përballë njëqind apo më shumë organeve të shëndosha. Atëherë, cila prej tyre (të mirës dhe të keqes) do të duhej të ishte origjina/baza? Nuk ka dyshim se peshorja do të anojë më shumë nga shumica.

Për këtë arsye, të gjithë ateistët janë të pafuqishëm që të japim përgjigje rreth asaj që quhet “problemi i ekzistimit të së mirës”. Prandaj, po e them shumë shkurt: Nëse ata argumentojnë me problemin e ekzistimit të së keqes, atëherë ne ua sjellim atyre një problem edhe më të madh, e që është problemi i ekzistimit të së mirës. Sepse, e mira (siç u sqarua) ekziston shumë më shumë se e keqja.

Përgjigjja e gjashtë:

Hulumtimi në këtë temë është hulumtim rreth atributeve të Zotit dhe jo hulumtim rreth ekzistencës së Tij.

Ateistët thonë: Sikur të kishte Krijues nuk do të ekzistonte e keqja. Ne themi – në formë të zbritjes (në nivelin e tyre)[2]: Pse të mos ekzistojë Zoti dhe njëkohësisht Ai ta dëshirojë ekzistimin e së keqes dhe mos largimin e saj? Nëse ata përgjigjen: Kjo kërkon që Ai është i padrejtë. Themi: Le të jetë ashtu! Mirëpo, Ai ekziston. Pranoje njëherë ekzistimin e Tij, pastaj debatojmë mes nesh rreth çështjes se a është Ai i cilësuar me drejtësi apo padrejtësi. I Lartësuar dhe i Pastër është Allahu nga çdo padrejtësi.

Pra, hulumtimi këtu ka të bëjë me atributet dhe jo me ekzistencën. Tani ti je duke folur rreth atributeve të Zotit dhe jo rreth ekzistimit të Tij. Ndërsa, a është Ai i drejtë apo i padrejtë, kjo është një çështje krejt tjetër rreth së cilës duhet të hulumtohet. Mirëpo, tani ti pranoje ekzistimin e Tij, pastaj fillojmë një debat krejt tjetër: a është ekzistimi i së keqes dëshmi për drejtësinë apo padrejtësinë e Tij? Nuk ka dyshim se ekzistimi i së keqes është provë për drejtësinë dhe urtësinë e Tij dhe nuk është provë për padrejtësinë e Tij – qoftë i Lartësuar!

Përgjigjja e shtatë:

Nuk ka lidhje të domosdoshme midis përsosmërisë së Krijuesit dhe përsosmërisë së krijesës.

Nëse e gjejmë një “krijesë” të mangët, a do të thotë kjo që domosdoshmërisht edhe “krijuesi” i saj të jetë i mangët dhe nuk di t’i përkryejë dhe përsos gjërat? Ka mundësi që të jetë kështu, por ka mundësi edhe të mos jetë. Ndoshta ai qëllimisht e ka bërë në atë formë (të papërsosur).

Këtë mund ta ilustrojmë me një shembull: I kemi dy pajisje të prodhuara nga një kompani e vetme. Njëra prej tyre është në kulmin e kualitetit dhe përkryerjes dhe ka karakteristika aq të shumta sa që kushdo që e sheh mahnitet prej tij. Ndërsa tjetra nuk është e së njëjtës kategori dhe nuk ka shumë karakteristika. A është e logjikshme që kur e shohim këtë (pajisjen e dytë) të themi se përderisa ka mangësi, atëherë nuk ekziston prodhuesi? Madje edhe aparatin e përkryer nuk e ka prodhuar kush! Të dy pajisjet nuk kanë prodhues, por kanë ardhur në ekzistencë rastësisht! A e pranon këtë intelekti i shëndoshë?

Një shembull tjetër: Nëse hyjmë në një pallat (mbretëror) i cili është në kulmin e përsosurisë dhe bukurisë. Ka me dhjetëra dhoma të mobiluara në mënyrën më të mirë, të lyera me ngjyrat më të bukura dhe të rregulluara sipas një rregulli të përkryer. Shkëlqimi i tij ia rrëmben shikimin dhe ia mbush zemrën me admirim secilit që e shikon. Fillojmë të shëtisim brenda tij duke e shijuar bukurinë e tij… për një çast e hapim njërën nga dhomat dhe tmerrohemi nga ajo që e shohim brenda saj: të gjitha sendet janë të shpërndara, muret janë të lyera me ngjyra të këqija, ka papastërti gjithandej… kur e shohim këtë themi: ky pallat nuk është ndërtuar nga ndonjë ndërtues.

Kjo është gjendja e ateistëve saktësisht. Por, a e thotë këtë ai që i ka mendje të shëndoshë?!

Kjo  gjithësi është në kulmin e përkryerjes dhe përsosurisë. Allahu i Lartësuar thotë: “I tillë është krijimi i Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë.”[3]“Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithmëshirshmit kurrfarë ceni.”[4] Madje, vet ateistët e pranojnë këtë gjë. Pra, që në këtë gjithësi ka një përsosuri që mendja e njeriut nuk mund ta kap. Por më pas, e sjellin një rast, dy, dhjetë, njëzet apo njëqind raste, karshi milionave e miliardave të aspekteve të përsosurisë dhe përkryerjes së kësaj gjithësie. Dhe për shkak të kësaj mangësie thonë: Kjo gjithësi nuk është krijuar nga ndonjë krijues!

Në shembullin më lartë: A mund të thotë ai që ka intelekt të shëndoshë se ndoshta ndërtuesi i pallatit qëllimisht e ka bërë këtë dhomë të këtillë? A ka mundësi që urtësia ta kërkojë një gjë të tillë apo jo? A është e mundur kjo dhe a ka gjasë logjikisht? Tani nëse fillojmë të hulumtojmë rreth urtësive që mund të fshihen pas këtij veprimi, ndoshta do t’i nxirrnim tri, katër apo pesë urtësi. Ndoshta, pronari i këtij pallati dëshiron që kjo dhomë të jetë vend për burgosjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Gjithashtu, ka mundësi të ketë qëllime të tjera.

Pra, ekzistimi i kësaj mangësie nuk do thotë që mungon urtësia te prodhuesi. E njëjta mund të thuhet edhe në lidhje me llojet e ndryshme të fatkeqësive, sëmundjeve dhe sprovave që ndodhin në këtë botë, nëse i krahason me bukurinë, përkryerjen dhe llojet e ndryshme të përsosurisë madhështore në këtë gjithësi.

Po e përsëris: Përsosuria e krijuesit nuk e kërkon doemos që edhe krijesa të jetë e përsosur. Këtu jemi duke folur rreth krijesës të cilës nuk i ndahet mangësia (papërsosuria) dhe nuk po flasim për një krijues i cili është i përsosuri absolut siç është Zoti. Ju – ateistët – po dëshironi që edhe gjithësia të jetë e tillë (e përsosur në mënyrë absolute)?!

Përgjigjja e tetë:

E çuditshme dhe e habitshme është çështja e ateistëve kur mundohen të argumentohen në këtë mënyrë! Sa e çuditshme është sjellja e tyre kur përmes ekzistimit të së keqes argumentojnë për mosekzistimin e Zotit!

Për ju ateistët nuk ekziston asgjë tjetër përveç materies! Ju thoni se kemi vetëm disa grimca të shpërndara të cilat u përplasën me njëra tjetrën dhe kështu, rastësisht, erdhi deri tek ekzistimi i gjithësisë!  Ju jeni ata që thoni se moralet/sjelljet janë relative! Pra, në origjinë/esencë ju nuk e pranoni fare që ekzistojnë e mira dhe e keqja! Për ju të gjitha gjërat janë njësoj dhe ato ecin në mënyrë të çrregullt dhe të verbër, pa ndonjë qëllim! Atëherë, si ka mundësi që pas kësaj (bindjeje) të argumentoni përmes ekzistimit të së keqes? Parimisht, cili është kriteri që e përcakton të keqën (sipas jush)? Si mund të gjykoni që kjo është e keqe apo e mirë, e saktë apo gabim, e përshtatshme apo jo? A nuk është që patjetër duhet ta kemi një kriter për këtë? Atëherë, cili është ky kriter?

Nëse dëshirojmë të përcaktohemi se ekziston e mira dhe e keqja, e sakta dhe e gabuara, atëherë çështja qëndron në atë se duhet të ngrihemi mbi materien. Prandaj, kur themi se padrejtësia është e shëmtuar dhe drejtësia është diçka e mirë, a vjen kjo si rezultat i teorisë së e evolucionit? Përgjigjja është: Jo, kurrsesi! Në këtë rezultat arrijmë vetëm atëherë kur e pohojmë se ka një Zot dhe një Krijues që e ka brumosur në zemrat e njerëzve këtë natyrshmëri përmes së cilës ata e dallojnë të saktën prej të gabuarës dhe të dobishmen prej të dëmshmes.

Ndërsa në bazë të parimeve tuaja, të gjithë gjërat janë njësoj, nuk ka dallim mes tyre. Pra, sipas ligjeve të ateizmit mendja e shëndoshë gjykon në këtë mënyrë: nëse e ushqen dhe tregohesh bamirës ndaj një jetimi është njësoj sikur ta mbytësh dhe gjymtosh atë! Kjo, sepse sipas tyre, nuk ekziston – në parim – ndonjë kriter që e përcakton se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Sipas tyre, të gjitha këto (çfarë është e mirë dhe e keqe) mund të jenë ligje për të cilat janë pajtuar njerëzit e një lokaliteti të caktuar, rrjedhimisht sikur ata të dakordoheshin për të kundërtat e të mirave – që të vrasin, vjedhin, përdhunojnë, etj – atëherë kjo do të ishte e pranueshme! Pra, ateistët thonë se moralet/sjelljet janë relative. Nuk ka ndonjë kriter që i përcakton moralet e mira (të drejta). Atë që ti e sheh si të mirë, ajo konsiderohet e mirë, dhe atë që ti e sheh si të shëmtuar, konsiderohet e shëmtuar. Mirëpo, dikush tjetër mund të ketë mendim të kundërt me ty. Sipas tyre, nuk ka dallim mes martesës së ligjshme dhe përdhunimit, mes bamirësisë dhe vrasjes e dhunimit të tjetrit.  E gjitha jeta në sytë e tyre është materiale dhe asgjë më shumë. Nuk ka ndonjë qëllim, synim dhe urtësi në këtë botë, dhe si rrjedhojë nuk ka ndjenja dhe as morale të mira.

Atëherë, pas gjithë kësaj, si ka mundësi që ju (ateistët) po argumentoni me problemin e ekzistimit të së keqes, kur – në parim – për ju nuk ka as të keqe dhe as të mirë?!

Kjo e rrëzon dyshimin e tyre që në themel.

Përgjigjja e nëntë:

Ky argument të cilin e sjellin ateistët tregon se koncepti i tyre rreth Zotit është i gabuar.

Fakti që Zoti, Krijuesi, i Cili ka dije dhe urtësi gjithëpërfshirëse, i Cili ka forcë, fuqi dhe pushtet, që vepron dhe gjykon sipas vullnetit dhe dëshirës së Tij, dhe të gjithë janë robër të nënshtruar ndaj Tij – kjo për ta as që bëhet fjalë.

Shkurtimisht, koncepti i Zotit – sipas tyre – është se ata e dëshirojnë një zot i cili është një makinë apo shërbëtor i tyre. Makinë e cila i vepron gjërat ashtu siç ata e programojnë, apo shërbëtor të cilin ata e urdhërojnë dhe ai u bindet. Ata dëshirojnë një zot i cili nuk ka punë tjetër veçse t’u përgjigjet kërkesave të tyre dhe t’ua përmbush dëshirat e tyre. Prandaj, nëse ndodh që t’i shpojë ndonjë gjemb i vogël, ata menjëherë shpejtojnë dhe thonë: ”S’ka Zot”, ky është pra koncepti i Zotit sipas tyre. Për këtë arsye, ata vazhdimisht pyesin: “Pse ekzistojnë të këqijat dhe fatkeqësitë”? Ne e dëshirojmë një zot i cili vazhdimisht na i jep ato gjëra që i dëshirojmë! A mund t’i thuhet këtij zot?!’ I Patëmeta dhe i Lartësuar është Zoti mbi ato që ata ia përshkruajnë!

Nëse ndodh që të lexosh rreth tyre, apo të debatosh me ta, apo t’i këshillosh, vështroje konceptin e Zotit në përfytyrimin e tyre, do të gjesh se ky koncept është shumë i gabuar.

Zoti është Ai i Cili vepron dhe gjykon sipas dëshirës dhe vullnetit të Vet dhe Atij i takon i gjithë pushteti. Ndërsa, njeriu është rob i këtij Zoti dhe nuk mund të dal nga ky realitet.

Përgjigjja e dhjetë:

Kjo botë është krijuar për t’u sprovuar njerëzit dhe jo për ta arritur lumturinë në gjërat materiale, kënaqësitë, epshet dhe të tjera të kësaj natyre.

Cila është arsyeja që Zoti e krijoi këtë gjithësi? Përgjigjja është në fjalët e Tij: “Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë”[5]. Pra, qëllimi i krijimit të njerëzve është sprovimi i tyre. Pra, kjo jetë është vetëm për t’u sprovuar dhe jo për ta arritur lumturinë (në gjërat materiale). Nuk është fundi i gjithçkaje në mënyrë që ne patjetër duhet t’i përjetojmë të gjitha kënaqësitë dhe të shpëtojmë nga të gjitha brengat. Kjo është e pamundur, sepse ne – besimtarët – themi se kjo jetë është vetëm një rrugëkalim dhe nuk është vendqëndrim (i përhershëm). Ekziston edhe bota tjetër që është një vendbanim (i përhershëm) ku vepërmirët do ta arrijnë lumturinë ideale.

Qëllimi im me këto fjalë është të sqarojë se problemi i këtyre njerëzve qëndron në faktin se vështrimi i tyre është i ngushtë, brenda kufijve të jetës së kësaj bote. Ata ndihen të kënaqur dhe të qetë me jetën e kësaj bote dhe nuk kanë aspirata për një jetë tjetër pas saj. Për këtë arsye, ai që beson se ka një jetë tjetër pas kësaj dhe që ajo është jeta e vërtetë: “Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!”[6] i largohen të gjitha problemet/paqartësitë në lidhje me ketë temë.

Them: Po e zëmë se ka mangësi, sprova dhe fatkeqësi të ndryshme (në këtë botë); por çfarë ndodh pas kësaj? Kjo jetë është vetëm disa çaste të shkurtra nëse e krahasojmë me botën tjetër. Për këtë arsye themi: Le të sëmuret njeriu, le të digjet me zjarr, të sprovohet me lloje të ndryshme të fatkeqësive; s’ka gjë!, ngase për të gjitha këto do të kompensohet dhe shpërblehet në botën tjetër. Kjo është një gjë shumë e arsyeshme nëse e matim me peshoren e mendjes së shëndoshë. Nëse vjen një person dhe na propozon këtë mundësi: Kush pajtohet që ta thumbojë një herë, mirëpo nëse tregon durim atëherë si shpërblim për këtë sprovë do t’i dhurojë një ndërtesë me gjashtë kate, një veturë luksoze dhe dhjetë milionë euro në llogarinë e tij rrjedhëse? Kush është ai që nuk do ta pranonte një propozim të këtillë?

Të gjitha llojet e sprovave në jetën e kësaj bote nëse krahasohen me shpërblimin që është përgatitur për ata që tregohet të durueshëm ndaj tyre janë më pak se ky thumbim. Në anën tjetër, llojet e kënaqësive që janë premtuar për këta durimtarë janë shumë më të mëdha se shpërblimi që u premtua në shembullin më lart. Madje, ato janë më me vlerë se krejt kjo botë dhe çdo gjë që gjendet në të. Siç është përcjellur në hadithin e saktë: “Vendi i kamxhikut të ndonjërit prej jush në Xhenet është më me vlerë se kjo botë dhe çdo gjë që gjendet në të.”[7] Domethënë, hapësira të cilën e zë shkopi i kamxhikut në trojet e Xhenetit është më me vlerë se kjo botë dhe çdo gjë që gjendet në të – duke përfshirë çdo gjë që t’i mund ta imagjinosh në këtë botë-!

Kthehem dhe them: Të gjitha këto probleme/paqartësi në lidhje me këtë temë largohen vetëm atëherë kur njeriu përqendrohet në këtë çështje: A është jeta e kësaj bote vend për arritjen e lumturisë (në gjërat materiale) dhe me përfundimin e saj merr fund çdo gjë? Apo ekziston edhe një botë tjetër e cila është vend për shpërblim, kompensim dhe arritjen kënaqësive? Një botë që është vendqëndrim i përhershëm për ata që besuan, e veçuan Allahun me adhurim dhe u treguan të durueshëm? Me këtë (bindje) largohen të gjitha paqartësitë.

Njerëzit në çfarëdo gjendje që jetojnë, të lumturit (sipas standardeve të tyre), ata që bëjnë jetë luksoze dhe të kamur, por edhe të varfrit, të sprovuarit me llojet të ndryshme të sprovave, sëmundjeve, kancereve, etj – një ditë do të vdesin. Në realitet, kjo jetë me të gjitha gjërat që ndodhin në të – sado që do të zgjasë sëmundja apo varfëria – është sa çel e mbyll sytë në raport me një jetë e cila do të zgjas deri në pafundësi. Pra, a nuk është një gjë e arsyeshme që Zoti t’i sprovojë njerëzit me lloje të ndryshme të sprovave, vështirësive dhe fatkeqësive, pastaj t’i shpërblejë për to me kënaqësi të përhershme në botën tjetër? Ne iu drejtohemi atyre me këto fjalë nga aspekti i diskutimit racional.

Këto dhjetë përgjigje janë baza të cilat të ndihmojnë, me lejen e Zotit, që ta përvetësosh këtë temë dhe ta kuptosh në mënyrën e duhur.

Në fund, shkurtimisht, besimi ynë si besimtarë në këtë çështje është i bazuar në besimin tonë se Zoti është i përkryer në mënyrë absolute, kurse njeriu është i mangët (i papërsosur). Ai që arrin ta kuptojë përsosurinë e Zotit sa i përket dijes, urtësisë dhe mëshirës së Tij, dhe arrin ta kuptojë mangësinë dhe dobësinë e njeriut, do t’i largohen të gjitha paqartësitë në lidhje me këtë temë.

Lusim Allahun që të na jap sukses dhe saktësi! Allahu e di më mirë!

O Allah! Lavdëroje dhe bekoje robin dhe të Dërguarin Tënd, Muhamedin, si dhe familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë deri në ditën e Gjykimit!

Përktheu: Lulzim Përçuku

[1] Ligjërata nr.23 e shpjegimit të librit: “Akidetus-selef ue as’habil-hadith”, e mbajtur me datë: 9.10.2019.

[2] Është e mirënjohur se gjatë debatit dhe polemikave ekziston një gjendje e cila është ‘të zbresësh në nivelin kundërshtarit’. Ka mundësi që të thuash diçka të cilën nuk e beson me qëllim që t’ia ofrosh atij një dije apo ta detyrosh që ta pranojë të vërtetën.

[3] (Kuran, 27:88)

[4] (Kuran, 67:3).

[5] (Kuran, 67:2)

[6] (Kuran, 29:64)

[7] (Buhariu dhe Muslimi).

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit