0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

A lejohet të lexohet Kurani me kompensim me të holla?

Më të lexuarat

Pyetja:

A lejohet leximi i Kuranit për të vdekurit? Si dhe a lejohet të lexohet Kurani me kompensim me të holla?

***

Përgjigjja:

Dijetarët islam kanë mendim unanim (ixhma) se të vdekurit përfitojnë nga punët e kësaj bote edhe pas vdekjes në dy çështje:

1. Nëse i vdekuri derisa ishte i gjallë ka bërë ndonjë punë prej së cilës të gjallët edhe pas vdekjes së tij përfitojnë dhe kanë dobi, siç është lënia e diturisë apo ndërtimi i ndonjë hajrati (xhami, shkollë, urë) etj..

2. Lutja dhe kërkimfalja e të gjallëve për të vdekurit, dhënia e lëmoshës (sadakasë) për ta, kryerja e haxhit, të gjitha këto i sjellin dobi të vdekurit. Ky mendim bazohet në argumente të shumta, prej të cilave përmendim:

a) Fjala e Allahut të Lartësuar :

Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!” (Hashr: 10).

Po ashtu porosia e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur varroste ndonjërin prej shokëve të tij, e thoshte:

Kërkoni falje për vëllanë tuaj dhe lutuni për të që të jetë i paluhatshëm në besimin e tij, sepse ai tani llogaritet (pyetet në varr).” [1]

b) Hadithi që transmeton Sa’d bin Ubadeh, se nëna i kishte vdekur kurse ai nuk ishte qenë prezent. Kur kthehet, i thotë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Nëna ime më ka vdekur e unë nuk kam qenë prezent. A ka dobi nëse unë për shpirt të saj jap sadaka?” Pejgamberi ﷺ, i tha se po. Atëherë Sa’di ka thënë: “Të dëshmoj ty, o i Dërguar i Allahut ﷺ, se kopshtin tim “El-Mihraf” po e lë sadaka për shpirt të saj.” [2]

Gjithashtu një grua ka ardhur tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Nëna ime është zotuar për ta bërë haxhin, por ka vdekur pa e kryer haxhin, a ta bëj unë haxhin për të?” Pejgamberi i tha: “Bëje haxhin për të! Po të kishte nëna jote borxh ndaj dikujt, a do ta kishe kryer? Kryeni borxhet ndaj Allahut, ngase borxhi ndaj Allahut e meriton më shumë që të zbatohet.” [3]

Kurse sa i përket dhurimit të shpërblimit të leximit të Kur’anit për të vdekurit, nëse leximi është vullnetar, si në raste kur lexon Kur’an vëllai për vëllanë, djali për prindërit, shoku për shokun dhe raste të ngjashme, atëherë kjo formë është e lejuar dhe të vdekurit inshaAllah i arrin shpërblimi, sikurse i arrin shpërblimi i sadakasë, haxhit, lutjes dhe veprave të tjera.

Disa dijetarë thonë: “Çdokush që bën një vepër të mirë, nëse i plotëson kushtet e kërkuara, e ka shpërblimin, prandaj ai i cili e ka shpërblimin ka të drejtë t’ia dhurojë atij që do, përveç nëse ka ndonjë pengesë që e ndalon përfitimin nga dhurata. Pengesa e vetme që e ndalon përfitimin e të vdekurit nga shpërblimi i dhuruar nga tjetërkush është vdekja në gjendje kufri, mosbesimi. Vdekja si vdekje nuk është pengesë për arritjen e shpërblimit, ngase lutja me mendim unanim arrin tek i vdekuri.”

Kurse leximi i Kur’anit me qëllim që t’i dhurohet shpërblimi të vdekurit kundrejt kompensimit me të holla është vepër që nuk ka kurrfarë baze në Islam, ngase këtë vepër askush prej muslimanëve të parë nuk e ka vepruar, e as që e kanë lejuar dijetarët e mëvonshëm.

Leximi i Kur’anit është adhurim me anë të të cilit i afrohemi Zotit të Madhërishëm duke kërkuar shpërblim vetëm prej Tij. Imran bin Husajni thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë thënë: “Kush lexon Kur’an, le të kërkojë shpërblim vetëm prej Allahut, ngase do të vijnë njerëz të cilët do të lexojnë Kur’an e do të kërkojnë shpërblim prej njerëzve.” [4]

Ibën Ebi el-Iz-z el-Hanefij në shpjegimin e “Akides së Tahaviut” thotë: “Huazimi për të lexuar Kur’an (me para) është e ndaluar me konsensusin e ulemave… dhe se sevapi nuk i shkon të vdekurit nëse vepra e bërë nuk është për hir të Allahut të Lartësuar.  Leximi i Kur’anit me para nuk është për hir të Allahut, por për para, andaj edhe nuk i arrin sevapi të vdekurit.” [5]

Me qëllim të ikjes nga mospajtimet që ekzistojnë në mesin e dijetarëve në lidhje me këtë çështje, unë mendoj se më së miri do të ishte që njeriu ta lexojë Kur’anin për hir të Allahut të Madhëruar, siç lexon çdo musliman, e kur ta bëjë duanë e hatmes, të lutet për veten e tij, familjen e tij dhe për të afërmit e tij të vdekur. Ndoshta kjo do të ishte më e mira.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 3221, dhe Albani e ka bërë sahih.

[2] Buhariu, nr. 2756.

[3] Buhariu, nr. 1852.

[4] Tirmidhiu, nr. 2917, dhe ka thënë: “Hadithi është hasen”.

[5] Sherh el-Akideti et-Tahavijjeti, fq. 372.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit