5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Humbja e rëndë e konservatorëve në Britani dhe një mësim shumë i madh për ne – Fitim Zekthi

Më të lexuarat

Humbja e rëndë e konservatorëve në Britani dhe një mësim shumë i madh për ne

Partia konservatore në Britani ka humbur zgjedhjet me rezultatin më të rëndë që nga historia tre shekullore e ekzistencës së saj. Laburistët kanë fituar thellë sa i përket numrit të vendeve në parlament. Në të vërtetë ka pasur një lëvizje gjigante të votës. Ka një rrjedhje të padëgjuar më parë të votës së konservatorëve. Ata ranë me mbi 24 pikë përqindjeje dhe nga rreth 46% që morën në vitin 2019 tani kanë marrë rreth 22%. Laburistët janë rritur me vetëm 4 pikë përqindjeje, nga rreth 32% që kishin, kanë shkuar në 36%. Pjesa tjetër e votës është shpërndarë. Në Uells konservatorët nuk kanë fituar asnjë zonë. Tetë ministra nuk kanë fituar.

Është një votë e egër kundër konservatorëve dhe jo një votë pro laburistëve. Simon Heffer, ndoshta analisti më i njohur konservator në Britani (prej 30 vjetësh figurë qendrore e mendimit konservator në shtypin britanik), thoshte konservatorët votuan me inat vetë kundër partisë konservatore sepse ajo i tradhtoi ata në këto pesë vite. Parimet themelore konservatore u hodhën në kosh dhe partia u zhyt në një moçal interesash që e zhvendosi atë plotësisht nga parimet konservatore, sidomos për çështjen e taksave, të karantinës dhe pandemisë së COVID-it, të punës dhe pagave, etj.

Kjo ndodh kur një parti del nga binarët, zhytet në interesa të sajat dhe të luftës politike dhe tradhton parimet e saj. Atëherë vetë votuesit e saj e braktisin atë të mërzitur, të hidhëruar. Ky është një mësim shumë i madh edhe për politikën tonë ku parimet janë hedhur në plehra në mënyrën më të përçudnuar, më të shëmtuar dhe interesat personale politike të politikanëve tanë janë e vetmja gjë që udhëheq. Nisur edhe nga niveli qesharak dhe mjeran i politikës sonë, këtu nuk tradhtohen interesat e votuesit si në Britani ku ndiqen politika jo konservatore për taksat, punën dhe pagat apo pandeminë.

Këtu tradhtohen duke lëvizur nga cepi në cepi, duke ndryshuar qëndrim si nata me ditën, duke u sjellë si ekstremistë dhe komplet irracionalë në mbrojtje me çdo mjet të interesit më imediat personal. Këtu tradhtohen duke mbajtur një qëndrim komplet komunist dhe bolshevik dhe herë një qëndrim fashist. Këtu tradhtohen duke lavdëruar dikë dhe duke e quajtur nesër kriminel. Këtu tradhtohen duke mbrojtur një politikan hajdut të madh dhe duke sulmuar një tjetër. Rezultati sigurisht që do të jetë si ai në Britani.

Vetë votuesi i ndjerë i tradhtuar do ta braktisë atë që dikur e quante forcë të tijën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit