Përgjigja:
Kjo nuk është prej sjelljes të mirë me gruan. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem na ka mësuar të sillemi mirë me gratë tona. Ky gjest i yti, nuk ka bazë fare në Islam, që të mos i tregosh gruas se ku po shkon. Tregoj asaj, sidomos kur ky gjest e bën nervoz atë apo e shqetëson atë. Ka prej grave që kanë vesvese, duan ta dinë se ku e kanë burrin, kështu që ti duhet t’i tregosh sepse kjo e qetëson atë dhe ia largon atë mendim të keq që e ka.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: Silluni mirë me gratë e juaja.
Çdo fjalë e mirë, e çdo gjest i mirë që e përmirëson raportin tënd me gruan është i preferuar, dhe e kundërta është e ndaluar. Nuk duhet këtu burri ta tregojë atë burrërinë e tij, në thonjëza, e të thotë “Nuk i tregoj gruas”. Kjo nuk është burrëri. Burrëria e vërtetë është të sillesh mirë me gruan tënde. Të mos i tregosh gruas se ku po shkon është prej xhahilijetit. Ku e kanë marrë myslimanët këtë? E kanë marrë ose prej traditës familjare, rrethit ku ka jetuar, fshatit, qytetit. Ata në këtë mënyrë e kanë treguar burrërinë e tyre. Por, përkundrazi burrëri është të sillesh mirë me gruan tënde.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që më së miri sillet me familjen e tij (gruan dhe fëmijët), dhe unë sillem më së miri me familjen time”.
Kështu që nëse njeriu do ta dijë se çfarë burri është, le ta shikojë sjelljen e tij brenda shtëpisë. Jo jashtë shtëpisë. Jashtë shtëpisë çdo kush mund të sillet mirë, por morali dhe sjellja e mirë tregohen brenda shtëpisë, aty ku je vazhdimisht, ku ke pushtet dhe të dëgjohet fjala, atëherë aty duhet ta tregosh drejtësinë, mirësinë, moralin dhe sjelljen e mirë.
Ky burrë duhet ta dijë se është duke i bërë gjynah Allahut me këtë sjellje. Kjo është sjellje e keqe e cila po dërgon në prishje të raportit me gruan. Çdo fjalë dhe vepër që dërgon në prishjen e raportit me gruan tënde është i ndaluar në Islam. Ajo që është obligim është ta veprosh të kundërtën, pra të thuash fjalë dhe të bësh vepra që e përmirësojnë raportin mes jush.
Është e vërtetë që disa gra e teprojnë ngase kanë vesvese e dyshime, por ti duhet ta kuptosh natyrën e tyre, sepse Allahu ashtu i ka krijuar. Çfarë të kushton ty kjo? Kjo tregon se ti (burri) je ndikuar prej shejtanit. Nuk është kurrfarë rëndese, kurrfarë barre ti tregosh vendin se ku po shkon, dhe me këtë përmirësohet raporti mes dy bashkëshortëve.
Kjo ishte këshilla për atë burrë të cilit i vjen mërzi ta pyesë gruaja se ku po shkon.
Hoxhë Lulzim Perçuku