Para shpalljes, pabesimtarët e Kurejshëve e njihnin Muhamedin sal Allahu alejhi ve selem si njeriun më të besueshëm ndër ta. Ata e njihnin si njeriun më të sinqertë, më të mëshirshëm, më fisnik dhe më të pastër në moral. E quanin i besueshmi. Kështu ua mësonin edhe fëmijëve të tyre: se ky njeri nuk gënjen, nuk tradhton, ruan amanetin, mban lidhjet farefisnore dhe ka moralin më të lartë. Ky ishte Muhamedi sal Allahu alejhi ve selem në sytë e tyre para shpalljes: njeriu tek i cili kishin besim, njeriu të cilit ia linin amanetet, njeriu për të cilin nuk kishin dëgjuar kurrë një gënjeshtër, një tradhti apo një padrejtësi.
Por kur atij i erdhi shpallja nga Allahu dhe filloi t’i thërriste njerëzit në tevhid, që ta adhuronin vetëm Allahun, ata që dikur e lavdëronin filluan ta akuzonin. E quajtën gënjeshtar, përçarës dhe me emra të tjerë nënçmues.
Sa e çuditshme është zemra e njeriut kur e njeh të vërtetën, por nuk dëshiron t’i nënshtrohet asaj. Dje e quanin të besueshëm, ndërsa sot, vetëm pse i thirri te Allahu, e quajtën gënjeshtar. Dje ua mësonin fëmijëve të tyre moralin e tij, ndërsa sot mundoheshin t’i largonin prej thirrjes së tij. Atëherë fëmijët e parisë kurejshe, kur dëgjuan drejtpërdrejt fjalët e Pejgamberit sal Allahu alejhi ve selem dhe e kuptuan realitetin e thirrjes së tij, filluan të debatonin me prindërit e tyre dhe u thoshin: “Ju vetë na keni mësuar se ky njeri ka moralin më të mirë. Na keni thënë se është i besueshëm, se nuk gënjen kurrë, se është i mëshirshëm dhe se ruan lidhjet farefisnore. Atëherë pse sot po e quani gënjeshtar dhe përçarës?” Kjo pyetje ishte e rëndë për zemrat e tyre, sepse nuk vinte nga armiqtë e tyre, por nga vetë fëmijët e tyre. Ata fëmijë kishin dëgjuar prej prindërve të tyre se Muhamedi sal Allahu alejhi ve selem ishte njeriu më i drejtë, më i pastër dhe më fisnik. Prandaj, kur panë se e njëjta gjuhë që dikur e lavdëronte, tani e akuzonte, e kuptuan se problemi nuk ishte tek Muhamedi sal Allahu alejhi ve selem, por tek ata që nuk donin ta pranonin të vërtetën. Kjo tregon se problemi i tyre nuk ishte se nuk e njihnin të vërtetën, por se shumë prej tyre nuk deshën ta pranonin atë. Ata e dinin kush ishte Muhamedi sal Allahu alejhi ve selem, por krenaria, interesi dhe frika nga humbja e pozitës i penguan ta ndiqnin fenë që Allahu e zbriti përmes tij. Sepse ndonjëherë njeriu nuk e refuzon të vërtetën nga padituria, por nga mendjemadhësia. E njeh dritën, por zgjedh errësirën. E njeh sinqeritetin, por e lufton atë. E njeh të dërguarin e Allahut, por frikësohet se pranimi i tij do t’ia rrëzojë pozitën, krenarinë dhe interesin.
Por i Dërguari i Allahut sal Allahu alejhi ve selem mbeti ai që ishte: njeriu më i mirë që eci mbi tokë, më i sinqerti në fjalë, më i pastri në zemër, më i mëshirshmi ndaj njerëzve dhe më besniku ndaj amanetit të Allahut.
Fitim Gërguri
28.05.2026
