Përgjigje: Nëse gruaja muslimane është e mbuluar me mbulesën e plotë islame, atëherë për mendimin tim e ka të pamundur ta vozisë bicikletën. Kjo, sepse në përgjithësi mbulesa e gruas muslimane duhet të jetë e gjerë që e mbulon gjithë trupin dhe nuk ia përshkruan ndonjë pjesë të tij,si dhe të jetë jo transparente (e tejdukshme) që të mos shihet diçka prej trupit të saj. Gjithashtu, të mos ketë ngjyra dhe zbukurime që i tërheqin shikimet e burrave të huaj. Më së miri këto kushte të mbulesës i përfshin mbulesa që quhet xhilbab. Këto janë kushtet e mbulesës në përgjithësi, kurse për detajet e tyre mund t’i ktheheni librit të Shejh Albanit, Allahu e mëshiroftë: “Xhilbab el mer’a elmuslime” (Xhilbabi i gruas muslimane).
Gjithashtu, gruaja me mbulesën e saj duhet ta ketë për qëllim mbulimin e trupit dhe jo zbukurimin. Ky është qëllimi i mbulesës.Pastaj, prej pyetjes po kuptohet se qëllimi është vozitja e bicikletës nga ana gruas në qytet, pra aty ku e shohin burrat e huaj. E, kjo nuk lejohet. Sepse, edhe nëse supozohet që gruaja me xhilbab ka mundësi ta vozis bicikletën, prapë vozitja e saj para burrave të huaj nuk bën. Sepse, zakonisht gjatë vozitjes së bicikletës shfaqet ndonjë pjesë e trupit që e ka obligim ta mbulojë, apo i ngushtohen rrobat dhe ia përshkruajnë ndonjë pjesë të trupit të saj, dhe gjëra të ndaluara që realisht pritet të ndodhin gjatë vozitjes së bicikletës nga ana e saj. Mirëpo, nëse gruaja e vozitë bicikletën larg shikimeve të burrave të huaj (edhe pse nuk e di se ku mund të realizohet kjo gjë në vendin tonë), atëherë in shaa Allah nuk ka gjë të keqe në këtë (nga ana e sheriatit).
Allahu e di më së miri!
https://udhezimi.com/