13.3 C
Pristina
Friday, October 18, 2024

I gjallë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Çdo kauzë sado ftohtë dhe në mënyrë racionale ta trajtosh, nuk mund ta çosh kurrë përpara nëse nuk përfshihesh emocionalisht tërësisht në të, madje edhe kur përvoja e gjatë me të nuk ta zhgënjen pritshmërinë.

Emocioni i jep jetë kauzës më shumë se çdo gjë tjetër. Njerëzit shpesh të besojnë më shumë për shkak të vendosmërisë dhe emocionit me të cilën e trajton kauzën sesa argumentet që iu jep atyre për vërtetësinë e saj. Kështu që një kauzë sado e drejtë dhe e dobishme të jetë, po nuk pati gjallërinë që i jep emocioni, ajo vdes dhe ngelet thjesht dëshirë apo vajtim për kalorësit e munguar të saj.

Sa e sa kauza të padrejta dhe të errëta kanë përfshirë miliona njerëz dhe territore të gjera të botës, vetëm për shkak të vendosmërisë emocionale të të zotëve, dhe aspak për shkak të vërtetësisë së tyre?

Po kështu edhe e vërteta dhe besimi i drejtë kërkojnë domosdoshmërish emocionin dhe ndjeshmërinë e fortë për t’u çuar përpara, përndryshe ligji i Zotit për njerëzit në tokë nuk bën dallim, pse i jep sukses njërit dhe jo tjetrit.

Nëse shohim jetën e Profetit të Zotit, preokupimin dhe emocionet e forta që ai kalonte duke e përjetuar thirrjen për tek Zoti dhe misionin e tij edhe pas vitesh të tëra sfilitje dhe betejash, si të ishte në ditën e parë të saj, kuptojmë një nga çelësat thelbësore të suksesit të misionit të tij. Të njëjtat emocione dhe përjetime ai ua përçoi edhe ndjekësve të tij, ndaj dhe ata qenë njerëzit më të suksesshëm pas tij për të çuar përpara misionin që ai nisi.

Dhe kauza e misioni i profetëve dhe trashëgimtarëve të tyre, nuk kalon kurrë nëpër rrugë të sheshta, të shtruara dhe të lehta për t’u kaluar, përkundrazi gjarpëron përmes monopateve dhe shtigjeve të rrezikshme dhe të vështira.

Nëse është e vërtetë se jeta është luftë, atëherë lufta pa emocione është e humbur. E nëse mungesa e emocioneve që të jep kjo luftë është mungesë jete, atëherë kush nuk lufton është i vdekur, që ecën përmbi tokë.

“Ky (Libër) është veçse një Mesazh dhe një Kuran i qartë, për të paralajmëruar këdo që është i gjallë” (Jasin: 69-70)

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit