8.4 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Kosova kujton viktimat e gjenocidit serb

Më të lexuarat

Kosova kujton viktimat e gjenocidit serb
Kuvendi i Kosovës vite më parë 15 janarin e shpalli si Dita e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Për të tretin vit me radhë në Kosovë nesër do të shënohet Dita e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Kjo datë përkon me masakrën e Reçakut, të kryer nga forcat serbe më 15 janar të vitit 1999.

Aktivitete të ndryshme për shënimin e kësaj dite janë paralajmëruar se do të mbahen edhe jashtë Kosovës.

Krahas masakrës së Reçakut, gjatë luftës në vitin 1998-1999, ushtria serbe dhe paramilitarët gjithandej kanë kryer krime të rënda kundër popullatës civile gjithandej Kosovës. Kësisoj, nesër do të përkujtohen të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Poklek, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë, në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999.

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“ u ka bërë ftesë të gjithë shqiptarëve që nesër t’u bashkëngjitën në aktivitetin e tyre në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.

“Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit!”, thuhet një njoftimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2019 e shpalli 15 janarin si Ditë e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Lufta e Kosovës, e cila filloi më 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës, përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11 qershor 1999.

Në këtë luftë u dëbuan 848.000 shqiptarë nga Kosova, ndërsa mbi 10 mijë u vranë dhe u masakruan.

Ndryshe, edhe pse po mbushen 24 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i 1.600 të zhdukurve me dhunë nga Serbia.

TRT Balkan

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit