Tradita e Maradonës te pasardhësit në fushë: lojtarë të mirë, por njerëz të ulët!
Përkundër faktit që Argjentina u shpall kampione bote në Katar, dhe jo pa meritë, në aspektin etik, përfaqësuesja e saj prodhoi dhe shfaqje të ulëta. Më e fundit, ajo kur portieri Martinez bëri një gjest të ndyrë sapo morri dorezën e artë. Ishte një gjest imoral, pa u kuptuar se për ç’arsye dhe kundrejt kujt, në një stadium por jo vetëm, edhe para një publiku botëror, edhe me të mitur e nëna spektatorë.
Dhe nuk do ishte e tepërt që Martinez të merrte një ndëshkim shembullor për atë që bëri, duke mos e lënë më të luajë në ndonjë Botëror tjetër.
Më herët, në çerekfinale, lojtarët argjentinas u tallën me gjeste ndaj lojtarëve hollandezë, ku dhe Messi u soll me vulgaritet të theksuar ndaj një lojtari hollandez që kërkoi të ndërronte bluzën me të.
Por kujtojmë: edhe Maradona, tashmë i ndjerë, ishte lojtar i madh por njeri i vogël. Nëse nuk do kishte këmbët, qënia e tij njeri ishte pa ndonjë vlerë të spikatur.
Përkundër tij, Pele nuk ka qenë kurrë njeri skandalesh. Por ashtu dhe yje të tjetër botërorësh, ku ndër ata që rrezatuan fisnikëri në fushë, duke qenë dhe lojtarë të mëdhenj, ishin Bekenbauer, Krujf, Rumenige, Lineker, Platini, Barezi, apo doktor Sokrates, braziliani superelegant i viteve ’80.
/tesheshi.com/