3.9 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Largimi yt s’është problem

Më të lexuarat

Nga: Dr. Selman Aude

Largimi yt s’është problem

Shpesh herë njeriu zhytet në mendime të thella lidhur me atë që do të thonë njerëzit pas largimit të tij përfundimtar. Ndoshta, është pikërisht ky shqetësim ai që ka nxitur elitat e çdo populli të ndërtojnë tyrbe dhe mazoleume mbi varret e tyre. Faraonët ndërtonin piramida për tu prehur, kurse popuj të tjerë kanë ndërtuar kala e vepra arti. Gjëra të tilla janë të ndaluara në islam, i cili i urdhëron pasuesit e tij që varret ti ndërtojnë rrafsh me tokën, e jo më të ndërtohen mure e mazoleume sipër tyre.
Fjala dhe emri i mirë, është një motiv i fuqishëm që e shtyn njeriun për punë të mira. Emri i mirë është një motivues i natyrshëm dhe i pranueshëm, gjithmonë nëse nuk kalohen kufijtë. Ai është i ngjashëm me instinktin e të ushqyerit, martesës, pronës etj…
Një ditë, mendoja me vete. Nuk e di, nëse po e pyesja unë, apo po më pyeste ajo… vallë çfarë do të thuhet kur të largohesh ti?
Kjo është një pyetje që shqetëson shumë njerëz. Sigurisht, ajo ka qenë shqetësim edhe për kushedi sa njerëz, të cilët kaluan në këtë botë, lanë gjurmët e tyre dhe u larguan përfundimisht. Përgjigja mbetet e fshehtë në ndërgjegjen e tyre, ose jehona e saj s’ka mbërritur tek ne.
Një pyetje e tillë, është produkt i natyrshmërisë së pastër, përndryshe s’ka asnjë logjikë për ta shtruar. Mos vallë ti bën përjashtim, që e shtron një pyetje të tillë?
Mund të largohesh dhe mos të të kujtojë askush, ose një pakicë e vogël nga rrethi më i ngushtë, ata me të cilët je ndjerë si një trup i vetëm, si familja dhe fëmijët. Por, për ty mund të shkruhet dhe në gazeta, revista dhe faqe interneti. Ata që ndihen borxhlinj ndaj teje, mund të organizojnë dhe një mënyrë të veçantë për këtë ditë, si formë mirënjohje ndaj teje.
Në rastin më të mirë, do të hysh tek ajo plejadë figurash, për të cilët janë shkruar biografi, si ato të Ibnu Kethirit, Dhehebij, Sebkij, Ibnu Khalkan etj… Asokohe do të hysh tek ata burra emri i të cilëve u përmendet sa herë u përmenden librat dhe veprat e tyre.
Nëse autorët do të jenë neutralë, do tu përcjellin lexuesve lëvdata, komplimente dhe kontributet e tua, duke të radhitur tek figurat model për të gjallët. Tashmë ti je i vdekur dhe askush nuk të frikësohet për rivalitet dhe askush nuk të ka zili, ndoshta.
Emrin tënd do e lexojnë njerëz të cilët njihen me ty për herë të parë. Ata do të habiten me lëvdatat që thuhen rreth teje. Mos vallë të është bërë padrejtësi, apo autorët e kanë tepruar me lëvdata rreth teje? Ndoshta, po të të kishin krahasuar me të tjerë, do të gjenin se ata kanë kontribut tepër të vyer në fushën e shkencës, edukimit, informimit, ekonomisë dhe politikës.
Me largimin tënd, gjithçka do të mbetet siç ishte, universi do të funksionojë si më parë, njerëzit do të jenë po ata. Shkurt, largimi yt nuk do të bëjë ndonjë problem, edhe pse mund të thuhet ashtu.
Largimi yt do ua dorëzojë stafetën e kontributit të tjerëve, të cilët do e kryejnë misionin sipas mundësive. Plagët do i mbyllë koha dhe gjithçka do të harrohet.
Që këtu, vdekja shndërrohet në një motivues të fuqishëm për punë, kreativitet, vijimësi të arritjeve, më shumë përvoja etj… dhe jo rast për plogështi, dembelizëm dhe përshpejtim të procesit të vdekjes pa i ardhur koha.
“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (Hixhr, 99)
Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Shfrytëzo pesë gjëra, para se të vijnë pesë të tjera; Jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para fukarallëkut, rininë para pleqërisë, kohën e lirë para se të angazhohesh.” (Nisaij, Ahmed)
Në një hadith tek Buhariu, transmetohet nga Ibnu Umer:”Jeto në këtë botë si një kurbetçi ose si një kalimtar.”
Vetë Ibnu Umer thoshte:”Nëse ngrysesh mos e prit mëngjesin dhe nëse gdhihesh mos e prit mbrëmjen. Shërbeji sëmundjes përderisa je i shëndoshë dhe shërbeji vdekjes përderisa je i gjallë.”
Largimi yt do i hapë portën dhe do u japë shansin të tjerëve që po vijnë, të cilët do të ndihen, ndoshta, të çliruar. Sikur të mundeshe ti dëgjoje çfarë thonë, mund të dëgjoje xhevahire. Dikush do të thoshte: Largimi i tij ishte i dhimbshëm, por, ndoshta është e hajrit! Një tjetër i pëshpërit dikujt që qëndron përbri tij: Menduam se do të krijonte një boshllëk të madh, por nuk qenka kështu!” Dikush tjetër thotë:”Ofroi çfarë pati për të ofruar!”
I patë meta është Ai që nuk largohet e nuk shuhet asnjëherë!
 
Perktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit