2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Qëllimet e adhurimit në Islam

Më të lexuarat

Nga: Jusuf Kardavi

Qëllimet e adhurimit në Islam
Qëllimi i njeriut në këtë botë është adhurimi i Allahut. Adhurimi është kulmi i nënshtrimit dhe dashurisë për Allahun. Adhurimi në Islam përfshin të gjithë fenë dhe të gjitha sferat e ndryshme të jetës.

Adhurimi është ushqimi i shpirtit: 
Njeriu nuk është thjesht materie (lëndë), i cili kërkon ushqimin e tij në tokë, por vërtetësia e tij qëndron tek ai xhevahir i shtrenjtë, për të cilën njeriu është më i nderuar dhe zotëria i të gjithë krijesave në rruzullin tokësor. Ky xhevahir është shpirti, i cili gjallërohet dhe pastrohet kur thërret Allahun e Lartësuar. Adhurimi i Allahut është ushqimi i shpirtit. Ai e furnizon shpirtin për çdo ditë. Imam Razi ka thënë: “Dije, se ai që i njeh dobitë e adhurimit, ka dëshirë që ta kryejë atë dhe nuk i pëlqen asgjë tjetër përveç saj”. Dobitë e adhurimit mund të shikohen në dy aspekte:
 
Aspekti i parë: Momenti më i mirë për njeriun është, kur ai e adhuron Allahun, sepse zemra i ndrit nga drita hyjnore, gjuha fisnikërohet me përkujtimin e Allahut dhe leximin e Kuranit, kurse gjymtyrët e tij zbukurohen duke i shërbyer Allahut. Këto janë momentet më të bukura për njeriun. Duke qenë se njeriu ndihet i lumtur në këto momente, atëherë kjo lumturi e shoqëron atë edhe në të ardhmen. Kështu pra, njeriu nuk rëndohet nga kryerja e adhurimeve dhe zemra e tij e shijon ëmbëlsinë e tyre.
Aspekti i dytë: Ai, i cili adhuron Allahun, kapërcen nga përjetimi mashtrues për tek përjetimi i lumturisë, nga angazhimi me krijesat për tek angazhimi me të vërtetën. Kjo gjë sjell ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e plotë.
 
Adhurimi i Allahut është rruga për tek liria:
Adhurimi i sinqertë i Allahut është liria e vërtetë. Ai e çliron zemrën e njeriut nga vargonjtë e krijesave, e çliron njeriun nga nënshtrimi dhe bindja ndaj zotave të rremë apo despotëve, që i skllavërojnë njerëzit,  të cilët në pamje të parë duken të lirë, në formën më të keqe.
E vërteta është, se njeriu ka nevojë që të lidhet me Zotin, të nxitojë dhe të veprojë punë të mira për të fituar kënaqësinë e Tij. Nëse njeriu nuk e adhuron Allahun, i Cili është Një i Vetëm, atëherë do të adhurojë lloj-lloj zotash, të cilët i ka parë ose jo, ekzistojnë ata apo nuk ekzistojnë.
Nuk ka gjë më fisnike për njeriun, sesa të adhurojë Atë, i Cili e ka krijuar, e ka përsosur dhe drejtuar, si dhe të braktisë adhurimin e çdo gjëje tjetër.
Nuk ka lumturi dhe qetësi shpirtërore më të madhe për atë njeri, i cili i drejtohet dhe i bindet vetëm një Zoti, ndërsa zemra e tij nuk është shpërndarë tek adhurimi i zotave të rremë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dëgjojeni këtë shembull që ka dhënë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë ata të njëjtë në krahasim”?[1]
            Njeriu i cili ka vetëm një pronar është i qetë, sepse ai e di shumë mirë. se cilat janë ato gjëra që e kënaqin pronarin e tij. Prandaj ai i kryen obligimet që ka ndaj pronarit të tij me kënaqësi të madhe. Kurse njeriu i cili ka shumë bashkëpronarë, ku secili e urdhëron ndryshe nga tjetri, është i mjerë dhe fatkeq.
 
Qëllimi kryesor dhe dytësor i adhurimit:
Adhurimi ka qëllim kryesor dhe dytësor, ashtu siç ka thënë imam Esh Shatibi. Qëllimi kryesor është që njeriu t’i drejtohet Allahut në çdo moment. Pas këtij qëllimi kryesor vjen qëllimi dytësor, se njeriu e adhuron Allahun, për të fituar gradë të larta në Ahiret, apo për të qenë prej miqve të Allahut. Qëllim dytësor konsiderohet edhe adhurimi që bëhet me qëllim që të jesh njeri i mirë e me vlera.
Imam Esh Shatibi ka thënë: “Namazi është bërë obligim, që njeriu t’i nënshtrohet Allahut, t’i drejtohet Atij me sinqeritet, të jetë i përgjëruar dhe që ai ta kujtojë Allahun. Allahu i Lartësuar thotë: “Kryeje namazain për të më kujtuar Mua”[2], “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar, kurse përmendja e Allahut është më e madhe”[3]. Kjo do të thotë, se njeriu e përmend Allahun gjatë namazit dhe kjo përmendje është më e madhe se qëllimi i tij për të ndaluar nga shthurja dhe veprat e shëmtuara. Profeti (a.s) ka thënë në një hadith: “Ai që falet, thërret Zotin e tij”[4].
Pas qëllimit kryesor vjen qëllimi dytësor, që është ndalimi i shthurjes dhe i kryerjes së veprave të shëmtuara, qetësimi i shpirtit nga mundimet e dynjasë, tamam ashtu siç iu drejtua proferti (a.s) Bilalit (r.a) me fjalët: “Na qetëso me të (namazin) o Bilal!”, ose kur ai (a.s) thoshte: “Kënaqësia ime është kur jam duke u falur”.
Po ashtu kemi të bëjmë me qëllim dytësor edhe kur njeriu falet, pasi dëshiron të zgjidhë ndonjë hall që i ka rënë, siç është rasti i namazit të istihares apo të nevojës. Shpëtimi nga Zjarri dhe hyrja në Xhenet është një qëllim tjetër (dytësor) i muslimanit që e fal namazin. Kjo është dobia më e mirë që përfiton muslimani që falet, sepse ai është nën mbrojtjen hyjnore. Profeti (a.s) thotë në një hadith: “Kush e fal namazin e Sabahut, është nën mbrojtjen e Allahut”. Nga falja e namazit, muslimani dëshiron të fitojë edhe gradë të larta, prandaj edhe ky konsiderohet qëllim dytësor. Allahu i Lartësuar thotë: “Kaloje një pjesë të natës me falje si falje vullnetare për ty. Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë në një vend të lavdëruar”[5]. Për shkak se Profeti (a.s) falte namazin e natës, Allahu i dhuroi një vend të lavdëruar.
Kështu është çështja përsa i përket të gjithë adhurimeve. Njeriu, i cili i kryen ato, shpërblehet në dynja dhe ahiret. Ky është qëllim dytësor dhe është në shërbim të qëllimit kryesor, që është bindja dhe nënshtrimi ndaj Allahut të Lartësuar.
Nuk ka dyshim se shpresa dhe frika janë formë adhurimi, por ato duhet të shoqërohen patjetër me sinqeritet për hir të Allahut të Lartësuar.

[1] – Sure Zumer: 29.
[2] – Sure Taha: 14.
[3] – Sure Ankebut: 45.
[4] – Muata I Imam Malikut (181)
[5] – Sure El Isra: 79.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit