Pyetja:
Si duhet këshilluar motrat muslimane një grua thirrëse?
***
Përgjigja:
Gruaja duhet të ketë frikë Allahun e Madhëruar dhe të mësojë para se të ftojë. Pra duhet të mësosh para se të ftosh, sepse nëse njeriu thërret pa pasur dije, ndodh që të bëjë të ndaluar diçka që është e lejuar, apo bën të lejuar diçka që është e ndaluar ose beson të vërtetën për të kotë dhe të kotën për të vërtetë. Dhe kjo për shkak të injorancës së tij. Prandaj është detyrë e burrave dhe grave që të mësojnë para thirrjes.
Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: kjo është rruga ime; unë ju ftoj drejt Allahut me dije të sigurt, unë dhe kushdo që me ndjek mua.” Jusuf: 108
Dmth., me dije të sigurt.
Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: ”Ftoji njerëzit në udhën e Zotit tënd me urtësi dhe me thirrje te bukur dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë.” Nahl: 125
Cili është ai që mundet të ftojë me urtësi e të bisedojë në mënyrën më të mirë dhe të bukur?Janë vetëm ata që kanë dije. Kështu që thirrësi dhe thirrësja duhet patjetër që të mësojë së pari. Dhe kur njeriu arrin dijen e nevojshme e cila e bën atë të aftë për thirrje, atëherë ai fton drejt Allahut në atë mënyrë që ka përmendur Allahu; me urtësi, këshillë të bukur dhe polemikë në mënyrën më të mirë.
Shejh Salih el Feuzan, “Përgjegjësia e dijetarëve dhe e thirrësve”
Përktheu: Udha e Besimtarëve