14.8 C
Pristina
Tuesday, October 19, 2021

A i lejohet muslimanit ta festojë ditën e Novruzit?

Më të lexuarat

Pyetja:

A i lejohet muslimanit ta festojë ditën e Novruzit?

***

Përgjigja:

Së pari: Novruzi është fjalë persiane e arabizuar dhe në origjinën e saj ka kuptimin: Një ditë e re.

Kjo ditë është nga festat më të mëdha persiane. Thuhet se i pari që e ka festuar ishte Xhemshidi, njëri nga mbretërit e hershëm persian, që ndryshe e kanë quajtur edhe Xhemshad.

Novruzi është dita e parë e vitit persian dhe si e tillë kremtohet edhe pesë ditë më pas. Është fakt se Novruzin e festojnë edhe koptët’ (kristianët) e Egjiptit dhe konsiderohet dita e parë e vitit të tyre, tek ata njihet me emrin: Festa e Pashkëve (koptë).

Imam Dhehebiu në librin me titull “Teshebuh el Hasijs” fq. 46 thotë: Sa i përket Novruzit, duhet ditur se egjiptianët i kalojnë kufijtë dhe e festojnë atë, edhe pse ajo është dita e parë e vitit të koptëve. Ata e kosiderojnë festë dhe Muslimanët i imitojnë në këtë kremtim.” [Revista e Universitetit Islamik të Medinës nr. 103-104]

Së dyti: Muslimanët nuk kanë festa të tjera përpos festës së Kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit. Festa të tjera konsiderohen të shpikura dhe nuk lejohet kremtimi i tyre.

Ebu Daudi (1134), Nesaiu (1556) përcjellin nga Enesi i cili tregon: “Kur i Dërguari i Allahut [ﷺ] mbërriti në Medine, banorët e saj festonin dy ditë në të cilat loznin dhe dëfreheshin. Ai u tha: Çfarë janë këto dy ditë? – Ata thanë: Janë ditë në të cilat loznim dhe dëfreheshin në kohën e injorancës (para Islamit). – I Dërguari i Allahut [ﷺ] u tha: Vërtet Allahu ua ka zëvendësuar ato dy ditë me dy ditë të tjera më të mira: Ditën e Kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit.”

Në festa të shpikura përfshihen: Festa e Novruzit, festa e nënës, ditëlindja, dita e pavarësisë etj. Nëse një festë në origjinë rrjedh nga festat e mohuesve – siç është në rastin tonë Novruzi -, atëherë çështja është më e rrezikshme dhe më madhore.

Festa e Novruzit është festë injorance të cilën e kremtonin persët para se tu vinte Islami. Është ditë që e festojnë edhe të krishterët, prandaj ndalimi bëhet edhe më i fortë për shkak të imitimit që mund tu bëjmë atyre.

Imam Dhehebiu në librin me titull “Et Temessuk bis Sunen” (Të kapurit pas traditës profetike) thotë: Sa i përket imitimit të Krishterëve në festën e krishtlindjeve, ditës së enjte apo Novruzit, të gjitha këto janë festa të shpikura dhe të shëmtuara.

Nëse një besimtar e feston Novruzin me idenë se është festë fetare (islame), atëherë ai konsiderohet injorant dhe  duhet t’i tërhiqet vërejtje dhe ta mësojmë. Nëse feston nga dashuria që ka për të krishterët që jetojnë në vendin e tij dhe për të treguar gëzim para tyre, edhe kjo vepër është e nënçmuar. E nëse feston nga zakoni, apo për t’u dëfryer dhe kënaqur familjen e tij, apo për të gëzuar fëmijët, kjo duhet parë, dhe veprat vlerësohen sipas nijeteve (qëllimeve). Injoranti justifikohet dhe i sqarohet çështja me butësi. Dhe Allahu e di më së miri.” [Marrë nga Revista e Universitetit Islamik të Medines nr. 103-104].

Në enciklopedinë e jurisprudencës Islame thuhet: “Imitimi i mohuesve në festa e tyre: Nuk lejohet imitimi i tyre në festat që kanë. Kjo bazuar në hadithin e të Dërguarit të Allahut [ﷺ] që thotë: ‘Kush imiton një popull ai është prej tyre.’ Nga kjo kuptojmë largimin që muslimanët duhet të kenë nga aprovimi i atyre gjërave me të cilat janë veçuar jobesimtarët.” [El Meusuatul Fikhije 7/12].

Përcillet nga Abdullah bin Umer se ka thënë: “Kush shkon në vendet e të huajve (jobesimtarëve) dhe kremton festën e Novruzit të tyre, apo festa të tjera dhe i imiton ata derisa të vdesë duke qenë në këtë gjendje, ai do të ringjallet bashkë me ta në Ditën e Gjykimit.”

Shejh ibn Xhibrin (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Nuk lejohet kremtimi i festave të shpikura si psh: Festa e krishtlindjeve, Novruzi, apo disa festa që i kanë shpikur edhe muslimanët për ditëlindjen e Profetit (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) në muajin Rabiul Euel, Israja dhe Miraxhi etj. Nuk lejohet të konsumohet ushqimi që kanë përgatitur të krishterët, apo idhujtarët për festat e tyre. Nuk lejohet t’u përgjigjemi ftesave të tyre atëherë kur i kremtojnë, sepse përgjigja i inkurajonë ata dhe është miratim i veprimeve të shpikura që bëjnë. Gjithashtu bëhet shkak që injorantët të mashtrohen dhe të mendojnë se këto festa nuk kanë ndonjë problem. Allahu e di më së miri.”
[El Lu’lu el Mekijn fq 27]

Si përfundim themi: Muslimanit nuk i lejohet të festojë ditën e Novruzit e as ta veçojë atë ditë me kremtime, ushqime apo dhurata. Allahu e di më së miri.

Përshtati: Udha e Besimtarëve

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit