“Raçak II”: Kur drejtësia vonon por nuk harron!
Në një operacion të përbashkët nga Zyra e Prokurorit Special dhe Policia e Kosovës, pesë persona u arrestuan në Kosovë të dielën si pjesë e hetimit për krime lufte në rastin e njohur si “Raçak II”.
Sipas Zyrës së Prokurorit Special, të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin më 15 janar 1999 në fshatin Raçak.
Nga Prokuroria Speciale u tha se hetimet për krimet në Raçak vazhduan edhe pasi një aktakuzë u ngrit në mungesë kundër 21 personave në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas tij, janë marrë prova të reja në gjashtë muajt e fundit që lejuan identifikimin e të arrestuarve. Ai theksoi se identifikimi i të dyshuarve u krye nëpërmjet videoregjistrimeve dhe provave të tjera, duke përfshirë materiale të publikuara më parë nga mediat në Kosovë dhe Serbi.
Morina theksoi se hetimi nuk është përqendruar vetëm te autorët e drejtpërdrejtë të krimit, por edhe te organizatorët dhe urdhëruesit e tij.
Gjatë operacionit të së dielës, u kryen kontrolle në disa vende, gjatë të cilave u sekuestruan dokumente, uniforma, pajisje policore dhe materiale të tjera relevante për hetimin. I dyshuari i gjashtë në këtë rast nuk u gjet në banesën e tij dhe aktualisht nuk është i disponueshëm për autoritetet.
Në një konferencë për shtyp, Zyra e Prokurorit njoftoi se të gjithë të arrestuarit ishin me kombësi serbe dhe se ata ishin ish-anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë. Katër prej tyre janë pensionistë, ndërsa njëri ende punon në shërbimet postare në Serbi. Policia e Kosovës saktësoi se njëri nga të dyshuarit u ndalua në orët e para të mëngjesit në pikën kufitare të Bela Zemljas, ndërsa katër të tjerët u gjetën dhe u arrestuan në vende të ndryshme në Kosovë. /tesheshi.com/
