Pyetje:
E lexoj rregullisht Kur’anin mirëpo nuk po e kuptoj. A do të kem shpërblim nga
All-llahu subhanehu ue teala edhe përkundër asaj që nuk po e kuptoj Librin e Tij?
***
Përgjigje:
Kur’ani është Libër i Bekuar. All-llahu subhanehu ue teala thotë:
“Ky është Libër i begatshëm. Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend” (Suretu Saad 38:29).
Njeriu do të shpërblehet për leximin e Kur’anit të Shenjtë pa marrë parasysh a e ka kuptuar atë apo jo. Mirëpo besimtari, prej të cilit kërkohet që t’i zbatojë dispozitat e Librit, nuk bën që ta lexojë librin e All-llahut pa e kuptuar atë, p.sh. nëse dikush dëshiron që ta mësojë mjekësinë dhe studion librat e mjekësisë, ai nuk mund të përfitojë prej këtyre librave nëse nuk i kupton ato, dhe ato t’i sqarohen atij. Ky njeri është i etur për t’i kuptuar këto libra që më pas dijen e tij ta fusë në përdorim. Atëherë, sa është e nevojshme dhe e rëndësishme që të kuptohet Libri i All-llahut subhanehu ue teala, i cili është shërim për zemrat e njerëzve dhe i cili këshillon dhe paralajmëron njerëzimin!
Sa është e drejtë për çdokënd që ta lexojë Kur’anin dhe të meditojë rreth tij pa e kuptuar
atë? Prandaj sahabet (All-llahu qoftë i kënaqur me ta) nuk kalonin në leximin e ajetit
vijues pa e kuptuar dhe praktikuar ne jetën e përditshme ajetin paraprak. Njeriu do të
shpërblehet për leximin e Kur’anit të shenjtë pa marrë parasysh a e ka kuptuar atë apo
jo, por kërkohet prej tij që të bëjë përpjekje me mish e me shpirt për ta kuptuar Librin e
All-llahut tebareke ue teala. Këtë dije duhet ta marrë nga dijetarët e besueshëm. Nëse
nuk ka mundësi që të takohet me këta dijetarë, atëherë le t’i kthehet librave të
besueshme të tefsirit të dijetarëve të njohur siç janë Ibn Xheriri, Ibn Kethiri, etj. All-llahu
subhanehu ue teala e din më së miri.
Marrë nga “Fetaua islamijje” nr. 4 të shejh Ibn Uthejmin
Përktheu: V.Z.