Beteja që shumë të rinj e humbin para se të fillojë – Dr. Abdulkerim Bakkar

Më të lexuarat

Po t’i pyesnim njerëzit para pesëdhjetë vitesh për sfidat më të mëdha me të cilat përballeshin të rinjtë, shumica do të përmendnin varfërinë, paditurinë ose mungesën e mundësive.

Sot, megjithatë, është shfaqur një sfidë e një natyre tjetër:

Dobësimi i aftësisë për t’u përballur me dëshirat.

Një pjesë e madhe e botës moderne është ndërtuar mbi një ide të vetme: që njeriu ta marrë atë që dëshiron menjëherë.

Ndien mërzi?
Hap telefonin.

Kërkon argëtim?
Gjen mijëra video brenda pak sekondash.

I dëshirohet diçka?
Mund ta porosisë me një klikim.

Dëshiron të shohë çfarë të dojë?
Pothuajse gjithçka është e disponueshme.

Me kalimin e kohës nuk kanë ndryshuar vetëm mjetet…

Kanë ndryshuar edhe vetë njerëzit.

Vullneti është si muskuli. Nëse mësohet të marrë gjithçka menjëherë, humbet aftësinë për të duruar. Nëse mësohet t’i përgjigjet çdo dëshire, dobësohet aftësia për t’i rezistuar asaj.

Prandaj, problemi i shumë të rinjve sot nuk është mungesa e dijes. Ata e njohin të drejtën dhe të gabuarën më shumë se shumë breza të mëparshëm.

Por ata jetojnë në një mjedis që e bën zbatimin e asaj që dinë më të vështirë se kurrë më parë.

Sfida e vërtetë nuk është më arritja e së vërtetës.

Por qëndrimi i palëkundur në të.

Pikërisht për këtë arsye, një nga madhështitë e Islamit është se ai nuk ndërton vetëm dijen, por ndërton edhe vullnetin.

Namazi mëson disiplinën.

Agjërimi mëson shtyrjen e kënaqësive dhe kontrollin e dëshirave.

Ulja e shikimit mëson vetëkontrollin.

Dhikri mëson rezistencën ndaj shkujdesjes.

Këto nuk janë adhurime të shkëputura nga jeta.

Ato janë stërvitje të përditshme për ta udhëhequr vetveten, në vend që njeriu të udhëhiqet nga dëshirat e tij.

Kush i vëzhgon gjendjet e shumë njerëzve sot, kupton se humbjet më të mëdha nuk ndodhin kur njeriu bie në një gabim të caktuar.

Ato ndodhin kur ai humbet aftësinë për t’i rezistuar gabimit. Kur dëshirat bëhen udhëheqëse, ndërsa arsyeja dhe besimi mbeten vetëm pasuese.

Prandaj, pyetja që do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në vitet që vijnë nuk është:

Sa dimë?

Por:

A jemi ende të aftë ta kontrollojmë veten tonë?

Sepse kombet nuk ndërtohen nga ata që kanë dëshirat më të forta, por nga ata që kanë vullnetin më të fortë.

Dhe nuk ka të ri që fiton mbi vetveten, e që të mos jetë më i aftë të triumfojë edhe mbi shumë prej pengesave që i dalin përpara në jetë.

Dr. Abdulkerim Bakkar

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit