E ardhmja e projektit u bë burim tensioni diplomatik pasi Trump sugjeroi se mund të bllokonte hapjen e saj, duke pretenduar se ura nuk duhet të vihej në funksion derisa SHBA të “kompensohej plotësisht”
Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka deklaruar se ura ndërkombëtare Gordie Howe do të hapet “në fund të javës”, duke vazhduar me inaugurimin pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar projektin, transmeton Anadolu.
“Është një lajm pozitiv, padyshim”, tha Carney për gazetarët kur u pyet për statusin e urës, duke e përshkruar projektin gjigant të infrastrukturës si “një simbol, por edhe një fakt bashkëpunimi mes vendeve tona”.
Kryeministri kanadez theksoi se ura do të përmirësojë ndjeshëm tregtinë dhe lëvizjen, duke lehtësuar kalimin e qytetarëve kanadezë dhe amerikanë në kufi. Ai nuk specifikoi orën e saktë kur do të fillojë qarkullimi.
“Dua vetëm të përshëndes ata që e ndërtuan në të dy anët dhe mezi pres ta shoh të përfunduar”, tha Carney.
E ardhmja e projektit u bë burim tensioni diplomatik në shkurt, kur Trump sugjeroi se mund të bllokonte hapjen e saj, duke pretenduar se ura nuk duhet të vihej në funksion derisa SHBA të “kompensohej plotësisht” dhe të merrte kushte më të favorshme, përfshirë kërkesën që të zotëronte të paktën gjysmën e strukturës. Trump kërkoi “drejtësi dhe respekt” nga Otava për kalimin ndërkufitar.
Ura Gordie Howe është një lidhje e rëndësishme ndërkombëtare mes Windsorit në Ontario dhe Detroitit në Michigan, e projektuar për të përmirësuar qarkullimin ndërkufitar dhe transportin e mallrave.
Sipas marrëveshjes Kanada-Michigan të vitit 2012, Kanadaja ka mbuluar të gjitha kostot e ndërtimit. Në këmbim, Otava do të mbledhë të ardhurat nga tarifat derisa investimi të rikuperohet, pas së cilës Michigan do të ketë të drejtë për 50 për qind të fitimeve neto.
